Iliriana Sulkuqi: Na bashkoi Elbasani ynë i bukur, Elbasan

Iliriana Sulkuqi: Na bashkoi Elbasani ynë i bukur, Elbasan

Në kuadrin e vitit të Skënderbeut, bashkuesit të madh kombëtar, qyteti i Elbasanit ftoi bijtë e bijat e tij, poetë, shkrimtarë, shkencëtarë, artistë (aktorë/e, piktorë/e, skulptorë/e, muzikantë/e, këngëtarë/e, instrumentistë/e, balerinë, sportistë, intelektualë, kudo që ishin, në qytete, shtete e kontinente të tjerë, për një mbrëmje së bashku; figura të njohura, që me punën e talentin e tyre kanë bërë që emri i Elbasanit, qytetit të dijes, të artit e kulturës, të njihet kudo ku ata kanë punuar e jetuar; breza trashëgimtarësh në vite të figurave të shquara, që për arsye të ndryshme ndodhen në kuadratin lidhës Atdhe dhe vendin ku ata jetojnë dhe punojnë; të huaj të lidhur me shqiptarë dhe shqiptare që kanë një arsye më shumë t’i gëzohen dhe përkushtohen në vite Elbasanit; të rinj e të reja që shkëlqejnë duke nderuar Elbasanin e mjaft të tjerë. Bashkëbisedimi u çel në teatrin “Skampa”. Takimi vazhdoi në skenografinë natyrore të ‘Resort Panorama’ Elbasan, në faqen e Kurorës së Ullishtës, përballë Krastës së Gjelbër, te Rrapi i Mancit, ku dikur mblidheshim për të festuar Ditën e Verës. Nuk ishte projekt. Askush nuk fitoi para. Të fituarit ishim vetëm ne, dashuria jonë e malluar. Gjithçka, falë shpirtit të biznesmenëve të ndershëm që na shtrojnë sofrën e tyre të bujarisë…

Ne gjithmonë jemi bashkë, kudo ndodhemi, por virtualisht. Tashmë, kishim një mundësi të ishim së bashku, sy më sy, të përqafuar me njëri-tjetrin dhe  çmallëm vitet e mungesës! Shumë nga ju u larguan të rinj dhe jeni bërë prindër. Ato që u larguan prindër janë bërë gjyshër… Erdhët në qytetin tuaj, në qytetin tonë -Obelisk-Elbasan! Erdhët, në vendlindjen tuaj ku shëtitëm së bashku në rrugicat e kalldrëmta të fëmijërisë sonë, ku bëmë xhiron e mbrëmjes në bulevardin përgjatë mureve të Kalasë, si dikur…! Erdhëm, në qytetin e historisë shekullore; në qytetin e dijes, kulturës, artit! Erdhëm,  në qytetin e Onufrit, të Kristoforidhit, Dhaskal Todhrit…; në qytetin e Korifejve Akademikë: Aleks Buda, Mahir Domi, Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Shuteriqi, Ylli Popa, Bedri Dedja…!  Erdhëm,   në qytetin e dashurive të mëdha me bashkëjetesën më sublime ndërfetare!  Erdhëm,   në qytetin e melodisë dashurore të Myzyrit, Bodinit, Vinit; në qytetin e aktorëve të mëdhenj sa të gjitha kohërat bashkë, për t’u ngjitur në skenën e ëndrrës suaj: Teatrin “Skampa”; në qytetin e një sahati të lashtë e gjigant që numëron orët e minutat për t’ju pritur…!  Erdhëm,  , te “balli i kazanit”, ku është ruajtur me dashuri një gotë raki për ju!  Erdhëm, te Elbasani i karakaftes, i karafilave dhe i trëndafilave me aromë vendlindjeje!  Erdhëm, te oborri i shtëpisë suaj me portokaj, limona, rrush, fiq e gjithfarë frutash…; te Elbasani i të gjitha stinëve dhe me të gjitha relievet gjeografike!  Erdhëm, te qyteti i Ballakumeve që na serviri për ju, edhe pse jo në ditën e shenjtë të tyre!  Erdhëm,  te qyteti e poetëve!“Arratisuni” nga vitet e dhimbjeve të mbijetesës suaj, kudo ndodheni! “Arratisuni” nga gjithçka që ua bën të pamundur ardhjen! “Arratisuni” edhe nga vetja juaj!  Erdhëm, të jemi së bashku në qytetin tonë, nga ku e nisëm arratinë!  Erdhëm,  të bëjmë ”paradën” e mallit dhe të kujtesës, mbi “tapetin” shumëngjyrësh ku kemi shkelur dhe lënë gjurmët tona!

Të gjithë së bashku, ishim autorë dhe aktorë të “Nata e madhe e “Arratisë”, brenda përjetimit të “Nata me ngjyra”. Unë, i munda pamundësitë, për të qenë pranë dhe e pandarë me ju. Elbasani ynë na priti me gjithçka që quhet: DASHURI.
– U takuam, u përqafuam, promovuam së bashku vlerat e munguara në qytetin tonë më të bukur se 7-të Mrekullitë e Botës

Grupi organizator:
– Shoqata Elbasani në mërgim.
– Ismail Hodaj, Gjermani.
– Eduart Çala, Elbasan
– Klejda Plangarica, Tiranë.
– Migena Arllati, Gjakovë.
– Fatbardh Marku, Elbasan.
– Zeqir Sulkuqi, Elbasan
– Hasan Bulçari, Itali
– Vehap Xhindoli, Elbasan.
– Flutura Xhabija, Tiranë.
– Trëndafile Visha, Tiranë
– Flutura Maçi, Tiranë.

– Kuruan, deri në detaje programin, Artistet e Popullit, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, të pamunguarat e përvitshme në Teatrin e Qytetit tonë Obelisk-Elbasan.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …