Imer Lladrovci: Analizë e veprës së akademik Arsim Bajramit “Gjykata speciale midis të vërtetës dhe mashtrimeve”

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë a është vërtet gjykatë e Kosovës?!

  1. Luftërat zakonisht një ditë përfundojnë në tryezën e bisedimeve. Kjo nuk ndodhi me Luftën e Kosovës. Siç dihet, serbët e refuzuan nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë (Rambouillet) në Francë me shqiptarët dhe kështu ua hapën udhën në qiell aeroplanëve ushtarakë të NATO-së drejt qiellit të tyre me 24 mars 1999.  Serbët s’i pranuan kushtet e shteteve perëndimore në Rambuje për një reformë rrënjësore politike që e linte Kosovën brenda sistemit të tyre politik, i cili nuk do të mbetej statik. Në këtë tryezë diplomatike Serbia mund të gjente një zgjidhje për problemin e Kosovës që do të shmangte bombat, por ajo nuk deshi një zgjidhje paqësore. Elitat serbe e dinin fort mirë se po hynin në një terren të rrëshqitshëm, por  „mbrojtën“  me kokëfortësi politikën e tyre kundër shqiptare. Pa këtë refuzim nuk do të kishim pasur bombardimet e NATO-së, bashkë me të as një luftë në gjithë Serbinë. Në Marrëveshjen e Kumanovës, me 9 qershor 1999 nuk u përfshi fare e vetmja ushtri që luftonte në tokë kundër serbëve, UÇK-ja, oficerët e saj, por oficerët serbë kishin përballë vetëm ushtarakët e vendeve të NATO-së, para të cilëve nënshkruan kapitullimin, i cili e kushtëzonte marshimin e ushtrive tokësore të vendeve të NATO-së në një hapësirë pa rezistencë. Pse serbët donin marrëveshje me NATO-n dhe jo me shqiptarët? Sepse këtë mënyrë donin të nënvizonin faktin se ata po i nënshtroheshin një force të madhe dhe jo shqiptarëve, të cilët kujtonin se mund t‘i eliminonin shpejt nga skena. Shqiptarët, qoftë në planin rajonal, qoftë në atë botëror, nuk ishin në pozitë mirë. Po, a ishte krejt kështu? Problemi themelor ishte në rend të parë  kontesti mes serbëve dhe shqiptarëve dhe jo mes serbëve dhe vendeve të NATO-së.  NATO-ja këtu ishte në pozitën e një faktori të jashtëm në konflikt, e një faktori që rreshtohej në njërën anë të palëve në konflikt, por ky rreshtim ishte me rëndësi tejet të madhe, vendimtare. Sjellja e papërgjegjshme politike e serbëve i dha konfliktit edhe një aspekt  tjetër, dmth. anën ndërkombëtare. Nëse serbët do ta kishin kuptuar drejt situatën historike, do të kishin përfillur këshillat nga jashtë dhe do të kishin mundur të gjenin një zgjidhje të drejtë për problemin shqiptar.  Por zgjidhja do të  thoshte heqje dorë nga politika kundër shqiptare. Nuk them se kjo zgjidhje e tillë do të ishte e lehtë, por nuk mund të them as që ishte e pamundshme. Supozoj se Adem Demaçi ka luajtur një rol të madh  politik në pozicionimin dogmatik të Beogradit. Një politikë serioze serbe do të kërkonte zgjidhje që do ta përjashtonin luftën. Në fund të fundit, Serbia nuk po humbte asgjë  menjëherë në substancë.  Humbjet e saj  do të fillonin tek atëherë kur ajo në dukje qëndroi konsekuente me politikën e saj ndaj Kosovës. Perëndimi në këtë rast thjesht ishte pozicionuar për një palë në konflikt dhe po e ndëshkonte Serbinë. Çdo luftë në histori është vendosur nga fakti që luftën e ka fituar ai që ka pasur aleatë më të fuqishëm. Serbët kishin mbetur pa aleatë në Perëndim dhe këtë mungesë ata s’mund ta kompensonin me rreshtimin pro serb të Bashkimit Sovjetik si Rusi. Serbët e dinin që kartat e tyre politike s’ishin gjithaq të mira, por nuk kishin alternativa të tjera dhe shpresonin që shqiptarët nuk do të dinin të silleshin si duhet në këtë situatë të ndjeshme. Megjithatë, edhe shqiptarët e dinin që sjellja e tyre politike kishte rëndësi të madhe, ndaj dhe nuk nguteshin në zgjedhjet e tyre dhe kështu për të bërë ndonjë gabim të pafalshëm. Bombardimet e NATO-së që pasuan pas një tendosjeje shumë të madhe në raportet serbo-shqiptare patën rrjedhoja jashtëzakonisht të rënda për Serbinë. Që do të ketë bombardime kundër Serbisë, këtë gjë s’e mendonin dhe as e besonin shumë shqiptarë. Shkaku ishte mosnjohja e thellë e kontradiktave mes Beogradit dhe qendrave të vendosjes në Perëndim. Ne kemi mësuar vazhdimisht se Serbia ishte e përkëdhelura e Perëndimit, por kurrë se ajo dhe kursi i saj politik ishte trajtuar pikërisht në Perëndim me njëfarë mosbesimi dhe rezerve. Një qasje e tillë e njëanshme vërtet ka pasur ndikim të madh  në mobilizimin shqiptar kundër Serbisë, por nga pikëpamja e njohjes nuk ka qenë adekuat. Vetëm një botëkuptim i tillë mund ta shpjegojë bombardimin e vitit 1999 si një mrekulli. Serbia, gjithçka që kishte arritur në rajon, e kishte arritur me mbështetjen e Perëndimit, mirëpo tani s’ishte e gatshme për ta pranuar faktin se kjo mbështetje kishte qenë e kushtëzuar. Me arsenalin e madh ushtarak që kishin pasur dhe mbështetjen politike që serbët kujtonin se mund ta riaktivizonin ende, ata ishin përcaktuar kundër kompromiseve të çfarëdoshme. Serbët nuk donin ta pranonin se gjërat shpejt mund të ndryshonin ashtu që Serbia të kthehej nga një shtet me mbështetje të madhe politike, mund  të binte në një gropë të madhe izolimi. Ky opsion për pushtet mbajtësit në Beograd ishte i papërfytyrueshëm, edhe pse që nga lufta në Slloveni, mbështetja nga jashtë ishte zvogëluar pothuajse krejtësisht. Tani vetëm Rusia dhe deri diku Kina e mbështesnin kursin politik serb. Pastaj lufta  e serbëve në Kosovë  ishte ende e përballueshme dhe me pasoja shumë të vogla materiale për Serbinë, ndryshe ishte me bombardimet e NATO-së. Pse e bëri këtë gjë ushtria serbe? Ishte ky kapitullim një strategji politike e zgjuar nga ana e politikanëve serbë? Është vështirë të thuhet se bëhet fjalë këtu për një strategji të zgjuar serbe, sepse politikanët serbë e njihnin më mirë se kushdo tjetër sa të fortë e kishin ushtrinë e tyre. Ajo e mbronte elitën serbe edhe nga kundërshtarët e brendshëm, të cilët mbaheshin efektivisht nën kontroll. Në fund të fundit, ata me politikën e tyre e kishin formësuar këtë formacion ushtarak dhe mbanin përgjegjësi direkte për këtë ushtri që u siguronte ndër të tjera pushtet dhe fuqi. Nëse këtë ushtri do ta hidhnin në fushëbetejë me këmbësorinë e ushtrive të shteteve të NATO-së, ushtri kjo që ishte e stërvitur mirë dhe e armatosur me armët më të mira të mundshme se ushtria serbe, atëherë do ta humbnin luftën dhe të drejtën për të qeverisur edhe më tej këta njerëz të nëpërkëmbur. Politika aventureske serbe që s’e kurseu Serbinë dhe Malin e Zi nga bombardimet ajrore e shpëtoi veten  këtë herë nga një turp i madh publik. Pas 78 netëve të bombardimeve ajrore, ajo që kishte mbetur nga ushtria serbe nuk do të mund t‘u ofronte ushtrive perëndimore kurrfarë rezistence. Ushtria e Jugosllavisë/ e Serbisë dhe Malit të Zi edhe pse në fund të një dhjetëvjeçari luftërash gjithandej në hapësirën jugosllave nuk kishte arritur të bëjë përvojë të madhe lufte me ushtritë e rregullta. Kudo që ishte ndeshur me to në fushëbetejë, kishte humbur. Ajo ishte treguar e suksesshme kryesisht në luftë me civilët e paarmatosur. Spastrimi etnik i territoreve jo serbe dhe Srebrenica ishin të vetmet rezultate që mund të ofronte. Edhe në Kosovë, ajo nuk kishte shkëlqyer si ushtri. Përkundrazi. Në dy beteja të mëdha kundër UÇK-së, në Koshare dhe Pashtrik, kishte pësuar humbje të mëdha, sepse ishte gjetur e vetmuar përpara vullnetarëve të UÇK-së dhe aleatëve të tyre. Në tokë luftonin të rinjtë shqiptarë nga Kosova dhe gjithë viset shqiptare në ish Jugosllavi, kurse nga qielli bombardonte një aviacion super modern i vendeve të NATO-së dhe binin gjylet e artilerisë së ushtrisë së shtetit shqiptar. UÇK-ja jo vetëm që ishte keq e armatosur, por s‘ishte as ushtri e stërvitur mirë. Ushtarët e NATO-së ishin pikërisht në këta tregues ndryshe, ata do ta shfarosnin ushtrinë serbe. Në këtë kuptim, Millosheviqi, u kishte dhënë oficerëve të tij ingerenca të plota profesionale. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës u ndie kudo në vijat e frontit të luftës një lehtësim i madh mes ushtarëve serbë, të cilėt reaguan me gëzim për marrjen fund të luftës. Në atë kohë vetëm Ushtria e Jugosllavisë kishte një numër të madh ushtarësh, 140.000 ushtarë ishin stacionuar në Kosovë. Sot Serbia ka nën armë një ushtri prej 25.000 ushtarësh, kështu që analistët si Berat Buzhala që përhapin panik nga ushtria serbe në fakt nuk e thonë të vërtetën për këtë ushtri. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, për të ruajtur pushtetin e tij mund të ndërmerrte një sulm aventuresk ndaj Kosovës, por një pjesë e madhe e serbëve armët e tyre do t‘i kthenin kundër tij. Një sulm eventual serb mbi Kosovën do të përfundonte me rrëzimin e tij.

Gjithë shekulli i XX kaloi nën hijen e tendosjes serbo-shqiptare. Në vitin 1912 filluan luftërat ballkanike dhe hapësira shqiptare në Ballkan u zvogëlua edhe një herë pas Krizës Lindore të vitit 1878. Kur turqit osmanë e pushtuan Ballkanin në Mesjetë, hapësira etnike që kishte mbetur pas dyndjes së popujve sllav ishte shumë here më e madhe se ajo Shqipëri etnike që lanë osmanët në fillim të shekullit XX kur ikën nga Ballkani. Serbët, atëbotë kishin një ushtri më të fortë dhe shumë aleatë në Perëndim, kurse shqiptarët ishin të vetmuar, të përçarë politikisht dhe pa aleatë. Të tronditur, ata iu ngjitën Perandorisë Osmane, pushtuesit, duke menduar se kështu do të shpëtonin atë që mund të shpëtohej. Ata nuk luftuan askund për vendin e tyre. Thjesht nuk kishin një program politik kombëtar, s’ishin subjekt, por objekt i historisë. Edhe Shkodrën e mbrojtën nën flamurin turk. Shqiptarët e asaj kohe ikën në Turqi dhe atje u detyruan të  luftonin në Çanak kala, por jo për vendin e tyre. Në Shqipërinë Verilindore pati masakra serbe, por   në asnjë rast luftë shqiptaro-serbe. Gjeneralit gjerman dhe teoriku më i madh i luftës, Karl  fon Klauzevic ( Carl von Clausewitz)thotë se lufta nuk fillon me sulmin, por me mbrojtjen.  Sulmi pa mbrojtje prodhon masakra, por jo luftë. Në rastin shqiptar, kjo teori vërtetohet plotësisht. Edhe Lufta e Dytë Botërore, siç konstaton me të drejtë profesori gjerman, dr. Herfrid Mynkler ( Herfried Münkler), nuk filloi në vitin 1938 me invadimin e ushtrisë hitleriane në Austri dhe më vonë në Sudettenland dhe në pjesën tjetër të Çekosllovakisë, por me 1 shtator të vitit 1939 kur invadimit gjerman polakët iu përgjigjen me luftë vetëmbrojtëse. Edhe në fund të LDB-së shqiptarët luftuan në Drenicë, por e humbën luftën. Vërtet lufta është politikë me mjete të tjera, por lufta është mjeti i fundit i një politike që synon ekspansionin. Nëse ky mjet nuk funksionon, atëherë kjo politikë nuk ka më mjete të tjera. Ndoshta kjo është njëra nga arsyet që luftërat kurrë nuk përfundohen  nga ata që i nisin, por nga ata që vetëmbrohen. Ata që vetëmbrohen dhe aleatët e tyre zakonisht e organizojnë paqen, e cila fillon me përcaktimin e përgjegjësinë për sulmin. Nga ana tipologjike format e luftës janë të shumta, por  në themel të luftës qëndrojnë luftërat e padrejta dhe ato të drejta. Në luftërat e drejta hynë lloje të ndryshme të luftërave. Lufta jonë e fundit ishte luftë për pavarësi dhe çlirim kombëtar. Disa autorë, tipin e luftës sonë e fusin te luftërat qytetare, gjë që përbën një klasifikim të gabuar, sepse në një vend ku diskriminimi bëhet mbi bazën e përkatësisë kombëtare që fillon me pushtimin, nuk mund të flitet për luftë qytetare, për arsyen e thjeshtë se qytetaria jepet mbi bazën e përkatësisë kombëtare. Në këto kushte e vetmja formë e luftës që mbetet është lufta çlirimtare.

2. Profesor Arsim Bajrami në librin e tij „Gjykata Speciale mes të vërtetës dhe mashtrimeve“ merret me një institucion juridik që ka pësuar në rrjedhën e kohës një ndikim të madh politik që e dëmton imazhin e shtetit të Kosovës dhe luftës çlirimtare të saj. Libri ka 12 kapituj që e ndriçojnë problemin nga anë të ndryshme, por qasja ndaj problemit që merret në shqyrtim  është një analizë e fakteve juridike. Këta kapituj materialin empirik të bollshëm e trajtojnë nga pike vështrimi historik dhe politik, por para së gjithash nga pikë vështrimi  juridik. Tre kapitujt e parë që i kushtohen historisë së marrëdhënieve serbo-shqiptare,  gjenocidit serb në Kosovë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të krijojnë idenë se libri nuk kufizohet në aspektin juridik të çështjes. Megjithatë kjo është vetëm përshtypja e fillimit, sepse edhe këto çështje trajtohen nga pikë shikimi juridik.

Lufta me Serbinë ka një histori të gjatë, të cilën faktorët ndërkombëtarë e njohin edhe më mirë sesa ne.  Koncepti politik i Serbisë së Madhe  lidhet me „Naçertanien“ e Ilija Garashaninit (Ilija Garašanin). Po „Naçertania“ fillimisht s‘ishte një ide serbe. Ajo u mor nga Garashanini prej  një teksti të emigrantit polak, Frantishek  Zah (František Zach) , dhe u modifikua ashtu që prodhoi një program politik të kundërt me modelin antitus dhe anti austriak të diplomatit  polak Adam Çartoryski (Adam Czartoryski), nën ndikimin e të cilit Frantishek Zahu e kishte bërë tekstin e tij, duke  projektuar një  bashkim të popujve sllavë  të robëruar të jugut në  një bllok kundërrus. Këtë ide e mori Garashanini dhe pasi i hoqi prej tij   elementin kundrues dhe atë jugosllav, të cilët i zëvendësoi   me elementët të tjerë, rusofilin dhe serbët dhe viset e tyre, nxori diçka tjetër që më vonë e trazoi gjithë Ballkanin.,Garashanini kërkonte bashkimin e të gjithë serbëve, jo të të gjithë sllavëve të jugut si Çartoriski. Filozofi serb i kohës sonë  Sllobodan Pavlloviq (Slobodan Pavlović)  ka botuar një libër me titullin „Shqiptari imagjinar“ ( Imaginarni albanac) ku  na jep një histori origjinale të idesë  së Serbisë së Madhe, sidomos në raport me shqiptarët. Ideja e tij është kjo: Serbia synonte daljen në Detin Adriatik përmes serbëve të Bosnjës. Bota gjermane e kundërshtoi me vendosmëri këtë program politik, atëherë Serbia iu kthye bregdetit shqiptar dhe shqiptarëve të veriut, të cilët i klasifikoi si serbë të pandërgjegjshëm.  Kështu historiografia serbe hodhi në qarkullim tezën e arnautashëve, dmth. të serbëve që u asimiluan në  shqiptarë përmes fesë islame.  Bashkëjetesa mijëvjeçare e shqiptarëve me fqinjët e tyre sllavë, jo domosdoshmërish  serbë  mund të dëshmohet shkencërisht, por serbët janë munduar të bëjnë politikë edhe nga kjo materie historike. Studimet gjenetike të sotme kanë treguar se gjene serbe ka në gjenomin shqiptar, por shumë më tepër gjene shqiptare në gjenomin serb. Teza e arnautashëve, siç thotë historiani zviceran Oliver Jens Schmit ( Oliver Jens Schmitt), është tezë që s‘e përfaqëson më në botën  shkencore askush. Në politikë kjo tezë ende mbijeton.

Në këtë kapitull, autori na i jep shkurtimisht serinë e elaborateve të ndryshme  serbe që projektojnë zhdukjen etnike të shqiptarëve nga hapësira e tyre. Shumica e jonë dimë për elaboratin e Qubrilloviqit (Çubrilović), por jo për elaboratet e tjera kundër shqiptare. Duhet ta thadrojmë në kujtesë që politika serbe ndaj jugut ka prodhuar një varg projektesh për zgjidhjen e problemit shqiptar. Pa këto projekte të shtetit serb nuk mund të kuptohet urrejtja ndaj shqiptarëve në Serbi. Megjithatë, nuk janë vetëm projektet e ndryshme të klasës politike serbe që sundonte  dhe që mundohej që duke eliminuar faktorin shqiptar si parametër  biologjike, të krijonte në botë një disponim politik proserb. Kjo ishte njëra anë e burokracisë  serbe ndaj shqiptarëve. Politika ishte një fushë tjetër ku mund të ngatërroheshin shqiptarët. Edhe shqiptarët luanin në këtë fushë. Së paku në  Konferencën e Bujanit, që e organizuan vetë komunistët, të cilët e formuluan kërkesën e bashkimit të Kosovës dhe Dukagjinit me shtetin shqiptar, u bë politikë që Serbinë e mërziti shumë. Kjo konferencë  u mbajt në mes të luftës me 1, 2 dhe 3 janar 1943. Në të u vendos, edhe me votën e delegatëve serbë, bashkëngjitja e trevave shqiptare, të pushtuara nga ushtria serbe në vitin 1913,  me Shqipërinë. Në rezolutën që miratoi nė fund konferenca thuhet se:

“Kosova e Rrafshi i Dukagjinit është një krahinë e banuar në shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot dëshiron të bashkohet me Shqipërinë. Prandaj e ndjejmë për detyrë t’i tregojmë rrugën e drejtë që duhet të ndjekë populli shqiptar për t’i realizuar aspiratat e veta. Rruga e vetme, pra, që populli shqiptar i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet me Shqipërinë është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjakatar e rrogëtarëve të tij. Sepse kjo është e vetmja rrugë për ta fituar lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe shqiptarët, do të kenë mundësi të vendosin për fatin e vet me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Garanci për këtë është Ushtria Nacional Çlirimtare e Jugosllavisë dhe Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë, me të cilën është ngushtësisht e lidhur. Përveç këtyre, për këtë garantojnë aleatët tanë të mëdhenj: Bashkimi Sovjetik, Anglia e Amerika, (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe ajo e Teheranit).“ Por  kur LDB-ja ( Lufta e Dytë Botërore) mori fund në vitin 1945 ndodhi e papërfytyrueshmja: Kuvendi i Prizrenit. Në këtë kuvend Kosova me vota u shpall si pjesë integrale e Serbisë që ishte element konstituiv e Federatës Jugosllave. Nga një rajon etnik që kërkonte bashkimin me Shqipërinë, Kosova u shpallë si obllast autonom i Serbisë. Në Kuvendin e Prizrenit kishte delegatë serbë më shumë se në Konferencën e Bujanit. Pati edhe delegatë shqiptarë që s‘u pajtuan me vendimin, por ata u dënuan me vdekje. Dënimi i tyre me vdekje më vonë u kthye në dënimin më të lartë me burg sipas ligjeve të kohës, qëllimi i dënimit kishte qenë frikësimi i masës shqiptare dhe ai, në kushtet e vetmisë së madhe, ishte arritur, sepse pas këtij kuvendi shqiptarët e ulën kokën dhe e vazhduan jetën nën pushtimin e ri jugosllav. Njerëzit që mendonin politikisht e dininë se Kuvendi i Prizrenit ishte organizuar thjesht për të legalizuar pushtimin. Që më parë dihej vendimi i tij. Ai nuk kishte qenë aspak kuvend, por një instancë shtetërore që shpallte ripushtimin. Këtë gjë e thanë publikisht edhe delegatët  e Cërnicës së  Gjilanit, Ramiz e Raif Halimi që votuan kundër bashkëngjitjes së Kosovës Serbisë. Ata i thanë gjërat ashtu si ishin, u treguan „naivë“, ndaj dhe u dënuan me vdekje, kurse të zgjuarit“ votuan për mbetjen me Serbinë. Delegatët  Halimi, babë dhe bir, deklaruan  në Kuvend se ata kishin luftuar për Shqipërinë dhe jo për Serbinë, kështu që nuk mund të votonin për bashkim me Serbinë. Pushtet mbajtësit, po të donin të pranonin  vullnetin e popullit shqiptar, si instrument politik e juridik mund ta shfrytëzonin referendumin. Pas kryengritjeve njëditore në Ferizaj, në Gjilan dhe Kryengritjes popullore me në krye me Shaban Polluzhën në Drenicë vullneti politik i masës shqiptare njihej, kështu që referendumi ishte një lojë e rrezikshme.

Elaboratet e ndryshme serbe vazhduan pavarësisht Kuvendit të Prizrenit. Historiani serb Vasa Qubrilloviq (Vasa Ćubrilović), ai që i kishte takuar grupit ilegal të Gavrilo Principit në vitin 1914 dhe që në mesin e viteve 1930 shkroi elaboratin „Dëbimi i shqiptarëve“ ( Iseljavanje arnauta) u bë edhe ministër federativ dhe tani si përfaqësues i pushtetit qendror paraqiti një elaborat të dytë për çështjen e dëbimit të shqiptarëve. Është vendi këtu të themi se Jugoslavia komuniste e Titos  ka dëbuar më shumë shqiptarë në Turqi sesa Jugosllavia e mbretit Karagjorgjeviq ( Karadjordjević). Ndryshe nga Qubrilloviqi që kërkonte spastrimin etnik të arealit shqiptar, nobelisti i më vonshëm Ivo  Andriq(Ivo Andrić), që arriti të bëhet faktikisht edhe shef në Ministrinë  e Jashtme të Jugosllavisë mbretërore,  ishte edhe më radikal në kërkesat e tij. Pa zhdukjen e Shqipërisë si shtet ai thoshte se problemi shqiptar nuk do të mund të zgjidhet kurrë si duhet, kështu që caku i spastrimit etnik të Kosovës sipas tij mbetej një iluzion politik.  Edhe në vitet 1990 u rishfaq një formë e elaboratit të Qubrilloviqit përmes planit të radikalit  Vojisllav Sheshelit (Vojislav Šešelj). Radikalët serbë kishin bindjen se Kosova me shqiptarët si shumicë etnike nuk mund të bëhej kurrë pjesë e shtetit serb, kështu që ata erdhën në përfundimin se kjo hapësirë duhej të mbushej me element etnik serb dhe shqiptarët të ktheheshin në një pakicë etnike. Lufta në hapësirën jugosllave ishte një rast i mirë për Serbinë që ajo të mund të ndërmerrte hapa të caktuar ushtarak për ndryshimin rrënjësor të  gjendjes. Jo vetëm Shesheli e dinte që pa këtë strategji ushtarake nuk do të kishte një situatë të re në të mirë të Serbisë, kështu që mund të thuhet se në Beogradin politik të kësaj kohe kishte një konsensus të gjerë për  makiavelizmin, i cili duhej të vepronte   në tërë egërsinë e tij, dmth. pa asnjë konsideratë ndaj shqiptarëve. Raporti i forcave politike në  Serbi me Sllobodan Millosheviqin si president ishte një rast i mirë, sipas radikalëve të Sheshelit,  që synimet serbe të realizoheshin plotësisht. Por, siç do të shohim, ambiciet politike të radikalëve serbë s‘do të realizohen, sepse ata niseshin vetëm nga dëshirat e tyre, por jo nga raporti objektiv i forcave politike në terren. Pas disa vitesh edhe vetë Shesheli do të ftohet  në Hagë ku  ndodhej Sllobodan Millosheviqi ( Slobodan Milošević) prej vitesh. Dhe ai do të vdes në një nga qelitë e këtij burgu me 11 mars 2006, saktësisht një çerekshekulli pas shpërthimit të demonstratave studentore të vitit 1981  në Prishtinë. Gjithçka shkoi ashtu që krimineli  Sheshel nuk e realizoi ëndrrën e tij politike për ferrin shqiptar. Pak kohë para bombardimeve të NATO-së ai pati deklaruar se për ne serbët do të jetë shumë vështirë, nëse do të bombardohet Serbia, por,  ju shqiptarët,  në Kosovë nuk do të ekzistoni më. Sot aty-këtu thuhet se gjenocidi mbi shqiptarët u parandalua, kështu që mund tė quhet një gjenocid në tentativë. Mendimi im është se ky konstatim nuk qëndron : gjenocidi u realizua edhe në kushtet e bombardimit. Rreth 14.000 të vrarë dhe rreth 1.000.000 të shpërngulur tregojnë se plani serb u realizua. Intervenimi ushtarak i NATO-së bëri që rezultatet e këtij gjenocidi të përmbysen. Për parandalim dhe gjenocid në tentativë do të mund të flisnim nëse do të  kishim rezultate të tjera. Me këto fakte duhet të flasim për gjenocid dhe çdo relativizëm  tê tij duhet ta kuptojmë si një tentim për mohimin e tij.  Fakti që pa ndërhyrjen e NATO-së do të përballeshim me dimensionet e tjera të krimit masiv, nuk duhet të na bëjë që të jemi  më të butë në gjykimin tonë. Edhe plani ushtarak „Patkoi“ që filloi në fund të vitit 1998 mund të themi se u realizua vetëm pjesërisht dhe jo siç ishte parashikuar, por u realizua. Serbët nuk hoqën dorë prej tij. Sot  në krye të Serbisë kemi një ish anëtar të radikalëve të Sheshelit. Aleksandar Vuçiqi (Aleksandar Vučić) ishte jo vetëm sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale të Serbisë, por edhe ministër i Informacionit në vitin 1999, pra ministër i Millosheviqit, një lloj Gëbelsi  (Göbbels) serb.  Atë që s‘e bënin ushtarët serbë në front, e bënin mediat serbe në prapavijë. Siç ka thënë disa herë gazetari Milivoje Mariqi (Milivoje Marić), gazetat dhe mediat  e tjera serbe ishin nën kontrollin e plotë të UDB-së. Pikërisht në këtë kohë në krye të ministrisë që kontrollonte mendimet e serbëve ishte presidenti i tanishëm serb Vuçiq.

Në kapitullin e dytë, Arsim Bajrami merret me gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Për këtë çështje ai ka shkruar një libër të tërë që është botuar para disa viteve nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Ky kapitull ka një përmbajtje të njejtë me librin, por me një paraqitje më të përgjithshme dhe me një stil tjetër, kështu që mund të quhet një lloj përmbledhje e shkurtuar e materialit empirik të këtij libri. Arsim Bajrami shpreh bindjen se ka pasur gjenocid të Serbisë në Kosovë. Edhe unë si lexues mendoj se autori ka të drejtë në pretendimin e tij. Në pikëpamje juridike krimet dhe masakrat  e luftës i plotësojnë të gjitha kriteret e gjenocidit. Konstatimi i këtij fakti nga një gjykatë ndërkombëtare përbën një fakt të rëndësishëm për drejtësinë, mirëpo nuk është një gjë e lehtë, kështu që Arsim Bajrami kërkon një përgatitje të mirë nga pala paditëse. Shteti  serb i dinte që po kryente një krim të madh, ndaj dhe ndërmori masat e nevojshme për fshehjen e gjurmëve të krimit.  Sipas Arsim Bajramit, gjykimi i  krimit të gjenocidit nga një gjykatë ndërkombëtare nuk është një gjë e lehtë që mund ta realizohet. Andaj kërkohet angazhim i madh dhe mençuri për zbulimin e mekanizmave   politikë, financiarë dhe ushtarakë, pastaj veprimi  sinkron i mekanizmave që i realizojnë këto masa, kështu që një ndërmarrje të tillë të ndërlikuar nuk mund ta realizojë çdo lloj i organizimit shoqëror, por vetëm shteti si trajtë supreme e organizimit të shoqërisë. Sepse  shteti si organizëm kompleks ka në dorë shumë mundësi, edhe atë të zhdukjes së gjurmëve. Sipas „Genocide Watch“ , realizimi i gjenocidit kalon nëpër 8 faza. Faza e parë përbën ndarjen e njerëzve në ne dhe ata. Kjo fazë quhet klasifikimi. Faza e dytë është simbolizmi. Kjo fazë mund të quhet e përmbyllur në momentin kur ne, një grup i caktuar kombëtar, në këtë rast popoullsia serbe e jugosllave e lidh një grup kombëtar me të keqen, pra kur e keqja fiton statusin e simbolit dhe lidhet me një grup të caktuar njerëzish. Rexhep Qosja në librin e tij „Populli i ndaluar“ që u botua qysh në fillim të viteve 1990, fillimisht në kroatisht në Zagreb dhe pastaj në shqip në Prishtinë e ilustron këtë dukuri me fakte empirike  nga shtypi serb që i demonizon shqiptarët në mënyrë sistematike. Shqiptarët në mediat jugosllave dhe sidomos në ato serbe paraqiten si qenie atavike me prirje patologjike. Çdo konsumator i këtyre mediave ka pasur frikë ta takonte një shqiptar, sepse ai është perceptuar si një e keqe absolute. Në fazën e tretë, të dehumanizimit, bëhet fjalë për një skicim të së keqes që duhej eliminuar fizikisht, por jo më si një njeri të keq, por si një qenie jonjerëzore. Në këtë rast zgjoheshin reflekse vetëmbrojtëse që nuk linin vend për mendimin, sepse pala përballë ishte dehumanizuar tashmë. Në këtë rast vritej njeriu me bindjen se nuk mund të klasifikohej më si qenie njerëzore.

Faza e radhës është organizimi. Një gjenocid nuk ndodh kurrë spontanisht, por gjithmonë është organizim.  Fazat e tjera janë :     polarizimi, identifikimi, asgjësimi dhe mohimi. Shteti serb sot e mohon gjenocidin mbi shqiptarët. Arsim Bajrami, në anën tjetër, e dëshmon të kundërtën. Me librin tjetër „Gjenocidi i Serbisë në Kosovë“ ai pohon se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Vetë kryeministri serb Zoran Gjingjiq u kërkon bashkëpunëtorëve të tij që varret masive të shqiptarëve t‘i regjistrojnë, por jo t‘i bëjnë publike, sepse, sipas tij, askush nuk do të donte të investonte në një vend me kaq shumë varre.   Gjingjiqi kërkon një varr të ri të heshtjes për krimet serbe, të cilat shkrimtari setb në Gjermani Bora Qosiq (Bora Ćosić) në „Frankfurter Rundschau“ i pati quajtur Katini (Katyn) serb. Bora Qosiqi në vizionin e tij e shihte Serbinë me përplot vrasës që endeshin rrugëve.  Territori dhe popullsia e Kosovës paraqesin 1/4 e territorit dhe të popullsisë serbe, por për sa i përket krimeve të luftës ka nxjerrë para gjyqeve më shumë njerëz se Serbia, edhe pse krimet mbi shqiptarët civilë janë kryer pothuajse vetëm nga serbët.

Kapitulli i tretë i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa të cilën nuk do të kishte luftë dhe as shtet në Kosovë. Shteti i Kosovës ka një bazë të fortë juridike. Fakti që  Kosova e kishte statusin e vilajetit në Perandorinë Osmane, pastaj statusin e njësisë federale në Jugosllavinë e Titos sipas Kushtetutës  së vitit 1974, Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990 si

 dhe Kushtetutën e Kaçanikut, Referendumin  për Pavarësi të vitit 1992, të gjitha këto fakte kanë një rëndësi të madhe juridike, por një gjë është e sigurt se pa Luftën Çlirimtare nuk do të kishim pasur shtetin tonë: Republikën e Kosovës. Lufta përbën krye faktin juridik. Pothuajse nuk ka shtet që është krijuar pa luftë, sidomos  kurrë nuk ndodh një gjë e tillë në një territor që është aneksuar me luftë. Disa serbë thonë tani  se Kosovën e fituam me luftë dhe me luftë e humbëm.

Në kapitujt vijues të librit flitet për aspekte të ndryshme juridike të Gjykatës Speciale dhe rrethanat e formimi të saj. Raporti i senatorit zviceran Dik Marti (Dick Marty) në Këshillin e Evropës UÇK-në e ngarkon me akuzën  për trafikim organesh. Ky raport artikulonte këtë akuzë si akuzë kryesore të tij, por kjo akuzë  s’u vërtetua asnjëherë, e megjithatë Gjykata  Speciale u formua. Kuvendi i Kosovës e votoi një rezolutë për krijimin e Dhomave Speciale të Gjykatës së Hagës, aprovoi Amendamentin Kushtetues nr. 24 dhe Ligjin  nr. 05/ L-053, por pa raportin e Dik Martit gjithçka do të ishte shumëzuar me zero. Pa këtë raport në Këshillin e Europës  nuk do të kishim pasur kurrë Gjykatë  Speciale. Ambasarori  i Serbisë në Zvicër, z. Millan St. Protiq (Milan St. Protić), ka treguar për mediat serbe se ka qenë ai që ia ka dorëzuar senatorit Marti një raport të përgatitur në Serbi.  Senatori zviceran në fund ka dëshmuar vetë se shërbimet e fshehta serbe kanë bërë përpjekje për ta eliminuar fizikisht.  Ky fakt dhe rënia e akuzës kryesore të raportit të tij nuk e kanë prekur aspak ekzistencën e Gjykatës Speciale, e cila mes shqiptarëve konsiderohet si një krijesë politike. Shkeljet e shumta ligjore evidentohen  në libër me akribi shkencore. Dëshmitari është një institucion qendror në një proces të çfarëdoshëm gjyqësor, por jo në këtë gjyq.  Të paktën disa dëshmitarë kanë dëshmuar se dëshmitë e tyre

  janë nxjerrë me kërcënim, shantazh e mashtrime të tjera. Një dëshmi e dhënë nën kërcënim nuk e di a mund të ruaj statusin e dëshmisë, sidomos kur ajo mohohet në rrethana normale. Pastaj Gjykata Speciale ka një cen  të madh: monoetnicitetin. Vetëm shqiptarët janë të akuzuar, kurse në Kosovë krimet e mëdha i kanë kryer serbët, disa prej të cilave, po të kishte vullnet politik, lehtësisht do të mund të zbuloheshin. Tek tani Prokuroria e Kosovës ka paralajmëruar  hetime për Familjen  Jashari. Kanë kaluar pothuajse 28 vjet që atëherë. Zhdukja  e Ukshin Hotit, vrasja e Fehmi Aganit dhe shumë të tjerëve në mars të vitit 1999 janë krime të pa hetuara ndonjëherë, edhe pse hetimi i këtyre rasteve nuk do të ishte aspak i vështirë.

Profesori Arsim Bajrami nxjerrë përfundimin  se Gjykata Speciale edhe pse është formuar nga institucionet më të larta shtetërore të Kosovës me kalimin e kohës është tëhuajsuar nga shteti i Kosovës dhe është ofruar, për çudi, me shtetin e Serbisë, i cili   është munduar që problemin e tij me shqiptarët ta zgjidh përmes forcës, me dhunë e represion dhe jo përmes arsyes politike.

3. Në kapitullin e fundit të librit, autori merret me rastet konkrete dhe ato ia nënshtron një  analize të hollësishme juridike, nga e cila rezulton një opinion jo aq i favorshëm për këtë gjykatë, e cila ka bërë shkelje të shumta procedurale dhe materiale. Autori. merret në këtë kapitull me pesë rastet. Rasti i parë është ai i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen se kanë formuar një grup që  ka eliminuar serbë dhe shqiptarë që e kanë kundërshtuar luftën çlirimtare. Ndërmarrje e përbashkët kriminale quhet parimi themelor që i ka bashkuar krerët më të lartë të UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës. Arsim Bajrami nuk pajtohet me këtë klasifikim.  Në fund të fundit Gjykata Speciale nuk ia doli ta dëshmojë këtë akuzë të Prokurorisë Speciale. Presim verdiktin e trupit gjykues.

 Rasti i dytë është ai i Salih Mustafës-Calit.  Cali është  tashmë i dënuar me një  dënim të lartë për keqtrajtim fizik  me pasojë vdekjen.  Cali s‘e ka pranuar veprën, kurse vendimi për dënimin e tij thuhet se qëndron mbi dëshmi të rrejshme.

Rasti i tretë ka të bëjë me Pjetër Shalën, i cili thuhet se ka vrarë të burgosur në Kukës. Poashtu edhe Pjetër Shala  tashmë është dënuar.

Rasti i katërt dhe i pestë kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë. Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati janë dënuar si udhëheqës të veteranëve që kanë bërë të njohur për publikun emrat e atyre që duhej të mbeteshin të panjohur. Puna është se Haradinaj dhe Gucati nuk vrapuan pas dosjes së aktakuzës, por ajo iu soll në mjediset e shoqatës.  Nasim Haradinaj, pas lirimit nga burgu, në media të ndryshme ka folur për burgun dhe procesin dhe kështu ka krijuar një opinion tjetër për Dhomat Speciale  të Gjykatës dhe Prokurinë Speciale nga ai që ka ekzistuar më parë.  Tashmë pothuajse askush këtë gjykatë s‘e konsideron  pjesë të sistemit juridik të Kosovës.

Rasti i pestë ka të bëjë me Hashim Thaçin, Isni Kilajn, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin. Në këtë rast bëhet fjalë për ndikim mbi procesin gjyqësor.

Në këtë muaj apo në muajt në vazhdim pritet vendimi i trupit gjykues. Cili do të jetë ai, nuk e dimë, por  nga ajo që kemi parë deri më tani në seancat gjyqësore nuk mund të themi se gjetja e vendimit do të jetë e lehtë. Në fund të fundit një gjykatë politike nuk mund të japë një verdikt jopolitik.

Për fat të mirë, libri ka edhe një version të përkthimit në anglisht brenda kapakëve të tij, gjë që mund të lexohet edhe nga ekspertë të huaj që merren me këtë proces.

Një vëzhgues i paanshëm i këtyre rasteve vë në pah se gjithçka bëhet vetëm e vetëm që puna të duket se pa ndëshkimin e të akuzuarave s‘do të vihej drejtësia në vend. Por harrohet një gjë themelore që ka të bëjë me faktin se lufta iu imponua shqiptarëve. Ajo s‘ishte zgjedhja e tyre, por krejt e pashmangshme përballë alternativës së vetme: masakrës. Dënimet e dhëna deri më tani, nuk e nderojnë gjykatën, sepse janë dënime për krime të supozuara dhe jo për krime të vërtetuara me prova materiale. Dëshmitarët janë kërcënuar, shantazhuar e manipuluar në forma të ndryshme, kështu që vlera juridike e dëshmive të tilla s‘është e lartë, ajo është thjesht formale.

Kontrolloni gjithashtu

Labinot Dervishaj: Profesor Ahmet Qeriqi, monument i pavdekshëm i fjalës dhe lirisë

Shumë të nderuar familjarë të profesor Ahmet Qeriqit, kolegë, miq, bashkëpunëtorë, dashamirë dhe të gjithë …