“The Tony Blair Institute for Global Change” ka mohuar lajmet se ish Kryeministri i Britanisë është duke folur në emër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë serbe në lidhje me Kosovën. Instituti ka njoftuar se spekulimet e tilla nuk janë të vërteta. “Zotëri Blair nuk paraqitet në emrin e Qeverisë së Serbisë ose presidentit serb. Projekti i Institutit tonë nuk ka asnjë lidhje me temat në Kosovë”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit, Julie Crowley. Sugjerimet se Blair përfaqëson Serbinë janë mohuar edhe nga Vuçiqi pas takimit të tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në Moskë të martën. Lideri i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq më herët gjatë javës kishte deklaruar se presidenti i Serbisë është duke u përfaqësuar në takime me krerë të politikës ndërkombëtare pikërisht nga Blair.
