Arbanë Qeriqi-Gashi: Në tre vjetorin e shkuarjes në amshim të çlirimtares Fetnete Maxhun Ramosaj

Intervistë e Fetnete Ramosaj për portalin bullgar www.obshtestvo.net

Republika e Kosovës shënon shtatë vite që nga shpallja e pavarësisë së saj. Se cilat janë vështirësitë e shtetit më të ri ballkanik do të kuptojmë në intervistën me eksperten nga Kosova Fetnete Ramosaj. Fetnete Ramosaj është e lindur më 1972 në Deçan, ku e përfundoi shkollën fillore dhe atë të mesme. Shkollën e Lartë Pedagogjike e kreu Gjakovë, ndërkaq Fakultetin në Prishtinë. Ka magjistruar në shkencat e sigurisë. Që nga viti 1989, ishte pjesëmarrëse aktive në lëvizjen ilegale në Kosovë. Pjesëmarrëse aktive në luftë, si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës, ndër të tjera, ka kryer detyrën e Zëdhënëses së UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit. Në të njëjtën kohë ka raportuar për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve të Kosovës “KosovaPress”, radion “Kosova e Lirë”, Radio Televizionin Shqiptar (RTSh) dhe të tjerë. Ka bashkëpunuar me agjencitë ndërkombëtare të lajmeve si: “Zërin e Amerikës”, “Deutsche Welle”, “BBC” dhe me shtypin shqiptar të kohës në Kosovë, Shqipëri e diasporë. Bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës “Zgjimi”, Deçan (1991-2001); bashkëpunëtore dhe anëtare e redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”, Zvicër e Prishtinë (1995-2001); bashkëthemeluese dhe redaktore e revistës së parë ushtarake në Kosovë “Ardhmëria” – Organ i Zonës së Tretë të Mbrojtjes (1999-2001); redaktore në të përjavshmen “Fokus”, Prishtinë (2003-2007), etj. Është autore e dhjetëra fejtoneve e shkrimeve publicistike, të botuar në shtypin legal e ilegal të kohës që nga viti 1991 e këndej; recensuese, lektore dhe redaktore e disa librave publicistikë, historikë e të çështjeve të sigurisë; pjesëmarrëse me kumtesa shkencore në disa simpoziume e konferenca shkencore ndërkombëtare. Ndër librat e saj janë “Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve”, “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë” e të tjera.

Pse protestojnë qytetarët e Kosovës? Arsyet janë politike apo ekonomike?

– Qytetarët e Kosovës kanë shumë arsye për të protestuar si një mjet demokratik i shfaqjes së pakënaqësisë. Varfëria dhe kriza ekonomike që çdo ditë e më shumë po thellohet në vend, izolimi i padrejtë dhe getoizimi që i është bërë Republikës së Kosovës, si të vetmit vend në rajon, kriza që e mbërtheu vendin pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit të kaluar, kanë bërë që pakënaqësitë edhe në sferën politike edhe në atë ekonomike të shtohen. Gjithmonë problemet ekonomike sjellin probleme politike dhe anasjelltas. Kur kësaj i shtohet aplikimi i standardeve të dyfishta për qytetarët e saj, duke aplikuar standardet e “diskriminimit pozitiv” apo të superioritetit për minoritetin serb në Kosovë, të cilët sa herë që duan i kushtëzojnë dhe i bllokojnë proceset demokratike në vend kundrejt mbi 98% të popullatës së përgjithshme, është i pritshëm shpërthimi i pakënaqësisë.

Protestat e këtij fillimviti filluan pas deklaratës skandaloze të bërë nga një ministër i Qeverisë së Kosovës nga radhët e minoritetit serb, i cili nënat dhe familjarët e të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë luftës në Gjakovë publikisht i quajti “egërsira”, pasi që këta të fundit kishin penguar hyrjen në Kishën Ortodokse të qytetit të një grupi pelegrinësh serbë të ardhur nga Serbia me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Kur jemi këtu, protestën e nënave dhe të familjarëve të të zhdukurve dhe të të vrarëve në Gjakovë, nuk duhet parë si një veprim të drejtuar kundër serbëve, apo kundër lirisë fetare të tyre. Kjo çështje është shumë serioze sepse jo vetëm në rastin e vizitës së fundit, me ç’rast u shkaktuan probleme, por edhe në rastet tjera në mesin e pelegrinëve serbë, kishte persona të dyshuar për pjesëmarrje në krime lufte ndaj bashkëqytetarëve të tyre, të cilët asnjëherë nuk janë përgjigjur para drejtësisë. Ata në të gjitha rastet vijnë në krye me ish-kryetarin serb të Gjakovës, Gjokica Stanojeviq, i cili gjatë luftës ishte pjesëtar i “Shtabit të Krizës”, shtab ky që ka qenë përgjegjës për koordinimin e të gjitha njësive policore, ushtarake, paramilitare e administrative serbe në këtë rajon, të cilat kanë kryer krime të tmerrshme mbi popullsinë civile shqiptare në këtë qytet dhe në rrethinë.

Ministrat nga “Lista serbe” si Jabllanoviq cenojnë pavarësinë e Kosovës me veprimet e tyre. A ka mundësi ata të tërhiqen nga qeveria?

– Është e vërtetë se ministri Aleksandar Jabllanoviq, drejtues i “Listës Serbe” në Kosovë dhe të tjerët që vijnë nga radhët e kësaj liste vazhdimisht po e cenojnë dhe po e sfidojnë pavarësinë e Kosovës me veprimet e tyre. Faktikisht ky edhe është misioni i tyre i deklaruar publikisht. Qysh para një viti ende pa marrë pjesë aktive në pushtet në Kosovë, përfaqësuesit e “Listës Serbe” kanë deklaruar se ata janë marrë vesh me Beogradin që të hyjnë aty për t’i penguar proceset dhe se nuk do të mund të merret asnjë vendim i rëndësishëm në Qeverinë e Kosovës pa miratimin e tyre, përkatësisht pa miratimin e Beogradit zyrtar. I tërë aktiviteti i tyre, siç kanë thënë vet ata, është i drejtuar për “mbajtjen e Serbisë në Kosovë”, gjë që shpie në paralizimin e funksionimit dhe në destabilizimin e shtetit të Kosovës, gjë që është jo vetëm e dëmshme, por edhe e papranueshme. Është paradoksale, por “Lista Serbe” është certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014 në Kosovë pa u regjistruar si subjekt politik në Kosovë, sepse nuk e njeh Republikën e Kosovës, as institucionet e simbolet e saj dhe asnjëherë Kosovës nuk i referohet me emërtimin zyrtar kushtetues, por vetëm “Kosova e Metohija”.

Sa i përket rastit të Jabllanoviqit, mendoj se personi i parë që është dashur të reagojë dhe të marrë masa ndaj deklaratës skandaloze të Jabllanoviqit, është dashur të jetë kryeministri Isa Mustafa, për të mos lejuar që një vartës i tij pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare apo partiake të bëjë fyerje të tilla që ndikojnë jashtëzakonisht në keqësimin e gjendjes, sepse plagët e luftës në Kosovë ende janë të hapura. Siç dihet mosndërmarrja e masave të duhura pasoi me protesta masive të organizuara kundër Jabllanoviqit në mbarë Kosovën, mbledhjen e mijëra nënshkrimeve për të ushtruar kallëzim penal kundër Jabllanoviqit, kundër kanë dalë edhe të gjitha partitë e opozitës, më pas edhe partitë e pozitës, madje edhe drejtues të partive politike nga radhët e minoritetit serb.

 

Pretendimet e Serbisë për Trepçën rrezikojnë sovranitetin dhe ekonominë e Kosovës. Çfarë masash duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës?

– Janë të çuditshme pretendimet e Serbisë për Trepçën dhe për dikasteret tjera ekonomike të Kosovës, siç është rasti me Brezovicën, PTK-në (Postën dhe Telekomin e Kosovës) dhe ndërmarrje të tjera me rëndësi jetike për Kosovën. Mendoj se institucionet e Kosovës duhet të mos pranojnë që të diskutojnë në asnjë rast për pasuritë e veta të pakontestueshme kombëtare me fqinjin tonë verior Serbinë, e cila gjithnjë e më shumë po tregon se shqetësimi i saj nuk janë minoritarët serbë në Kosovë, por territoret dhe pasuritë nëntokësore dhe mbitokësore të Kosovës. Është dashur që me kohë Parlamenti i Kosovës t’i shfuqizojë të gjitha vendimet që i ka ndërmarrë Serbia gjatë periudhës së okupimit prej marsit të vitit 1989, pas marrjes së autonomisë së Kosovës, që u bë me tanke e polici speciale, e deri në qershor të vitit 1999, me ç’rast ka bërë plaçkitjen dhe tjetërsimin formal të pronësisë pothuajse të të gjitha pronave shoqërore e shtetërore të Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet t’ia bëjnë me dije edhe komunitetit ndërkombëtar linjat e kuqe të cilat nuk mund t’i kalojnë pretendimet e Serbisë, përndryshe konfliktet e reja janë të paevitueshme.

 

A ka Kosova dobi nga negociatat me Serbinë dhe a realizohen marrëveshjet nga pala serbe?

– Nga negociatat e zhvilluara me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar, qoftë në Vjenë, qoftë në Bruksel, mendoj se Kosova ka pasur fare pak ose aspak dobi. Në shumicën e rasteve marrëveshjet janë realizuar njëanshëm vetëm nga pala kosovare, ndërkaq pala serbe në pjesën dërmuese të rasteve jo vetëm që nuk i ka zbatuar ato, por i  ka shkelur marrëveshjet dhe e ka penguar realizimin e tyre, e më pas ka synuar arritjen e marrëveshjeve të reja, gjithashtu në dëm të Kosovës. Mendoj se në raport me Serbinë janë bërë lëshime të dëmshme, të paarsyeshme dhe joparimore, madje të imponuara edhe nga Bashkësia Europiane, pasi që Serbia gjithnjë ua mbanë si gogol para syve kërcënimin se në rast të mosplotësimit të kërkesave të saj ajo do të rreshtohet përkrah Rusisë, ndonëse ajo e do edhe Rusinë edhe BE-në.

Ka shumë shpresa se krijimi i Asociacionit të komunave serbe do të ndihmonte integrimin e serbeve në Kosovë. A do të sjellë kjo strukturë integrim të vërtetë apo thellimin e ndarjes?

– Deri më tani faktori kryesor që e ka penguar integrimin e banorëve serbë në institucionet e Kosovës ka qenë dhe mbetet Beogradi zyrtar, i cili ka bërë dhe vazhdon të bëjë presione të ndryshme kundër atyre serbëve që i kanë njohur dhe janë integruar në institucionet e Kosovës, për çka ka mjaft raste të njohura publikisht. Serbia është duke tentuar që në Kosovë të krijojë tampon zona të veçanta të banuara me serbë, është duke vazhduar ta bëjë kolonizimin e veriut të Kosovës me serbë të ardhur nga Kroacia e Bosnja, është duke i financuar strukturat paralele serbe në Kosovë në të gjitha drejtimet (siguri, shëndetësi, arsim, administratë etj.), është duke bërë gjithçka që ta destabilizojë Kosovën dhe përfundimisht qëllimi i saj është që të bëjë ndarjen territoriale apo bosnjëzimin e Kosovës. Për këtë është duke vepruar “Lista Serbe”, si pjesë e pandarë e partisë së kryeministrit aktual serb, Vuçiq, e cila nuk e njeh shtetin në të cilin vepron, nuk e njeh shtetin në të cilin i është dhënë pushtet, por ka dalë edhe me veprime të hapëta kundër tij. Fatkeqësisht, shpresat se ky asociacion (ku rolin kryesor e ka “Lista Serbe”) do të ndihmonte në integrimin e serbëve në Kosovë, janë shpresa të rrejshme sepse Asociacioni i Komunave Serbe, nuk është duke u krijuar për integrimin e serbëve në Kosovë, por për thellimin e ndarjes territoriale dhe etnike, gjë që do të prodhojë destabilitet dhe do ta thellojë krizën në vend e në rajon.

Ju jeni eksperte për organizatat ekstremiste serbe. A veprojnë ato ende në vendin Tuaj dhe çfarë janë instrumentet e tyre?

– Duhet përmendur se që nga viti 1844 e deri në ditët tona janë të njohura hiq më pak se 24 programe shoviniste serbe, të cilat e parashohin në detaje shfarosjen e shqiptarëve. Në këtë drejtim, organizatat ekstremiste serbe shtetërore apo gjysmështetërore, sekrete apo gjysmësekrete, shteti serb i ka përdorur dhe vazhdon t’i përdorë për realizimin e qëllimeve të veta serbomëdha qysh para më shumë se një shekulli e deri në ditët tona në Kosovë e në rajon. Ka një varg organizatash ekstremiste e terroriste serbe, disa prej të cilave mbështeten edhe nga simotrat e tyre ruse, që veprojnë në Kosovë që nga përfundimi i luftës, të cilat përdoren si instrument për realizimin e planeve shtetërore për Serbinë e Madhe.

Për arritjen e këtyre qëllimeve, këto organizata përdorin mjete e metoda të ndryshme, shpeshherë duke i viktimizuar edhe bashkëkombësit e vet, vetëm e vetëm që të paraqiten viktimë, duke e orientuar luftën e tyre për përfitime territoriale. Ndër rastet e tilla do të përmendja rastin e vrasjes së gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë, në dhjetor të vitit 1998, pra gjatë kohës së armëpushimit, për çka automatikisht i fajësuan shqiptarët dhe e përdorën këtë rast për ndërmarrjen e fushatës masive kundër shqiptarëve, ku vetëm brenda një muaji u vranë më shumë se njëqind shqiptarë. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, del vet kryeministri aktual serb, Vuçiq, në fushatën parazgjedhore dhe kumton se krimi në Pejë është kryer nga vet Serbia, pra nga njësiti i JSO-së i drejtuar nga Legija (Millorad Ulemeku), me urdhrin direkt të shefit të Shërbimit Sekret Serb, Radomir Markoviqit dhe vet Sllobodan Millosheviqit! Edhe rasti tjetër, i vrasjes së dymbëdhjetë serbëve në fshatin Grackë të Lipjanit, derisa po korrnin grurin në ara, në ditët e para të përfundimit të luftës (korrik 1999), i cili u përdor tmerrësisht për luftë propagandistike e politike kundër shqiptarëve, del të jetë kryer nga segmente të tilla, tashmë të rreshtuar në organizatën ekstremiste-terroriste serbe OSA (Oslobodilačka Srpska Armija).

Organizatat dhe grupet ekstremiste serbomëdha, si: “Lëvizja Çetnike Serbe”, organizata nacionaliste serbe “Otadžbina”, “Obraz”, “Delije”, “Grobari”, “Gvozdeni Puk”, “Srpski Narodni Pokret 1389”, Lëvizja klerofashiste “Dveri”, “Nacionalni Stroj”, “Krv i Čast”, “Rasni Nacionalisti – Rasonalisti” etj., veprojnë aktivisht në pjesë të ndryshme të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në veri të vendit, por edhe në vendet përreth Kosovës, në Ballkan, në Europë e në botë, varësisht prej interesave të Beogradit zyrtar. Veprimtaria ekstremiste e terroriste e këtyre organizatave, vazhdon të mbështetet nga strukturat më të larta shtetërore serbe, veçanërisht nga segmentet e shërbimeve sekrete ushtarake.

Serbia gjithmonë e ka përdorur fenë dhe Kishën ortodokse për qëllimet e saj shoviniste. A ka prova se Beogradi i shtyn ekstremistët fetarë në Kosovë nga rrymat e ndryshme?

– Është për keqardhje, por është fakt i pamohueshëm se Kisha ortodokse serbe gjithnjë është vënë në shërbim të shtetit serb për qëllime shoviniste, madje ka qenë dhe mbetet njëra nga tri shtyllat kryesore të kësaj platforme, për çka ka mjaft të dhëna komprometuese për aktivitetin e saj gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Nuk është e rastit se gjatë luftës në Kosovë Serbia luftën, terrorin, gjenocidin dhe spastrimin etnik që po e kryente në Kosovë, ka tentuar ta paraqet në arenën ndërkombëtare si luftë kundër “islamizmit”, pa asnjë bazë reale. Përveç kësaj, këtë kartë e ka përdorur edhe për të futur përçarje ndërfetare ndërmjet shqiptarëve në Kosovë, por vrasjen e tyre e ka bërë pa dallim feje, nuk i ka kursyer nga vrasjet e masakrat as shqiptarët e krishterë. Këtë e dëshmojnë qindra raste, mjafton të kihet parasysh vetëm masakra e Mejës dhe e Korenicës (27 prill 1999) në komunën e Gjakovës. Akuzat e tilla Serbia me çdo kusht është përpjekur t’i materializojë në të gjitha mënyrat. Për shembull, siç është bërë publike një nga portalet më të njohura që publikon lajme në gjuhën shqipe dhe bën thirrje për ekstremizëm islamik (botaislame.com), është hapur nga serbi Millutin Jovanoviq, një pjesëtar i JSO-së famëkeqe serbe që në vitin 2007 nga Suedia, ndërkaq më vonë informatat e website-it janë fshehur me pagesë.

Deri në ç’masë mund të shkojnë veprimet e Serbisë, mbase më së miri e tregon edhe rasti i zyrtarit serb Sllobodan Gavriq, inspektor i lartë në Ministrinë e Bujqësisë të Serbisë, i cili u zu me mbi 12 kilogramë eksploziv plastik në Prishtinë, dhe sipas dokumenteve, hartave që u gjetën tek ai dhe informacioneve të tjera rezultoi se cak i sulmit ishte Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë. Paramendoni se ç’do të ndodhte po të arrinte të kryente një akt të tillë terrorist? Dhe sigurisht ky akt terrorist që do t’u vishej shqiptarëve, Serbia nuk do të lejonte që kaq shpejt ta mbulonte heshtja e harresa…

Duhet përmendur se shqiptarët mbase janë popull unikat në botë të njohur për bashkëjetesë e tolerancë ndërfetare qoftë ndërmjet veti (si popull që kemi tri fe: myslimanë, katolikë e ortodoksë) qoftë me popujt e tjerë. Madje, mund të krenohemi se në ngjarjet më të rëndësishme të krishterimit gjatë mijëvjeçarëve kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm personalitete të shquara me origjinë shqiptare.

A keni dyshime se Gjykata e specializuar do të përdoret nga Serbia për përndjekjen e luftëtarëve të UÇK-së?

– Nuk ka asnjë dyshim se Gjykata Speciale do të përdoret nga Serbia për përndjekjen e ish-luftëtarëve të UÇK-së, ky është edhe qëllimi i themelimit të saj, gjithashtu i bërë me kërkesë dhe influencim direkt të Serbisë. Që pas Luftës së Dytë Botërore, kjo është gjykata e parë që do të gjykojë krimet e supozuara në baza etnike, pra krimet e supozuara të shqiptarëve, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë shtet të ish-Jugosllavisë që ishte i përfshirë në luftërat e fundit, madje as me vet Serbinë agresore, e cila i shkaktoi të gjitha këto luftëra, krime e gjenocid në rajon. Edhe pse qindra ish-luftëtarë të UÇK-së që nga paslufta u arrestuan dhe u burgosën nga drejtësia ndërkombëtare në Kosovë, pa i përmendur dy proceset gjyqësore në Tribunalin ndërkombëtar të Hagës, por, në më shumë se 80 për qind të rasteve gjykatat nuk kanë arritur t’i materializojë akuzat kundër tyre. Janë dhjetëra raste kur ish-pjesëtarët e UÇK-së janë mbajtur edhe nga 7-8 vjet të burgosur pa vendim të plotfuqishëm e pastaj janë liruar të pafajshëm në mungesë të provave e fakteve. Në anën tjetër, për krimet e tmerrshme që forcat serbe në mënyrë të organizuar i kryen kundër popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë, por as për varrezat masive me trupa shqiptarësh që i fshehën deri në afërsi të Beogradit, përkundër fakteve dhe argumenteve të pakontestueshme përgjegjësit e tyre nuk u sollën para drejtësisë, por të patrazuar vazhdojnë të jenë në pozicionet më të larta politike, ushtarake e policore të Serbisë. Sidoqoftë, Kosova do ta tejkalojë edhe këtë sfidë.

Në fund, më lejoni t’u falënderoj për intervistën dhe njëkohësisht të shprehë falënderimin dhe mirënjohjen për popullin dhe shtetin bullgar për zbulimin e planit monstruoz të Serbisë “Patkoi”, për spastrimin etnik të shqiptarëve në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë. U jemi mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen që na e keni dhënë në gjithë procesin e lirisë, të pavarësisë dhe të shtetndërtimit. Uroj që bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet dy popujve dhe shteteve tona të forcohen edhe më shumë. Ju faleminderit!

 16 shkurt 2015

(Shih linkun ku është botuar intervista në origjinal: http://obshtestvo.net/?p=11258)

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …