Brickos

Intervistë e gazetares, Arbanë Qeriqi me ministrin e Financave dhe të Ekonomisë, z. Ahmet Shala

Zoti ministër, kanë kaluar disa muaj qysh kur e keni marrë postin e ministrit të Ekonomisë dhe Financave. Cilën gjendje e keni trashëguar dhe çfarë keni arritur gjatë kësaj gjendje kohore?

Ahmet Shala: Konsideroj, që karshi sfidave të cilat janë trashëguar, jo vetëm në këtë ministri, por në gjithë gjendjen e ekonomike dhe shoqërore në Kosovë, Ministria, përkatësisht unë me ekipin tim, duke pasur mbështetjen e kryeministrit dhe kolegëve të tjerë dhe kështu kemi arritur goxha rezultate. Dhe, mbase për këta tre katër muaj janë bërë shumë punë, të cilat në një dinamikë normale sigurisht që do të kërkonin dyfish kohë.
Nëse më lejohet, unë do të kisha numëruar në fakte aprovimin e buxhetit 2008, në afatin rekord, i cili nuk është prekur shumë, megjithatë ka pasur tre katër javë. Kemi përfunduar tani kornizën afatmeseme të shpenzimeve, të cilat do të jenë bazë kryesore për Konferencen e donatorëve. Jemi duke punuar shumë në ligjet. Kemi aprovuar ligjet bazë, të cilat janë në një farë mënyre në kushtetutën dhe ekonominë e Kosovës, sikur është Ligji mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.
Sigurisht në kushte normale do të merrte gjashtë, deri tetë muaj dhe ne e kemi bëre brenda dy tre muajve. Kemi aprovuar Ligjin mbi Financimin e Pushtetit Lokal, që përcakton në mënyrë të qartë të gjitha mënyrat se si financohet pushteti lokal dhe i cili reflekton Pakon e Ahtisarit, e cila është i domosdoshëm që të zbatohet pasi tashmë ka hyrë në fuqi të Kushtetuta e Kosovës.
Jemi duke përgatitur ligje të reja për transferimin e kompetencave sidomos Ligjin për Agjensionin Privatizimin e Kosovës i cili tani është aprovuar nga Qeveria, Ligjin mbi Ndërmarrjet Publike, i cili është në përfundim e sipër Ligjin mbi Koncesionet dhe sigurisht të gjitha këto kanë bazë shumë të fuqishme legjislative për të ecur përpara me ristrukturimin dhe riorganizimin e ndërmarrjeve, publike pasi ato pas 15 qershorit kanë kaluar në kompetencat e Qeverisë së Kosovës.
Rëndësi të veçantë do t‘i kisha kushtuar sidomos përgatitjes për Konferencën e Donatorëve.
Kemi arritur sidomos për këta dy muajt e fundit të koordinohemi mirë me organizatat kryesore ndërkombëtare që ndihmojnë zhvillimin dhe rimëkëmbjen e gjithmbarshme të Kosovës sidomos me Komisionin Evropian, Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar të USAID-it, që t’i përcaktojnë në mënyrë të qartë objektivat tona, sa i përket kësaj konference dhe të harmonizohemi përbrenda Qeverisë, në mënyrë që identifikimi i projekteve të jetë real dhe jo shprehje dëshirash, që ato projekte të jenë të përgaditura dhe të kordinuara mirë dhe ne të dalim ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë partnerë seriozë dhe jo t’u paraqesim elemente dëshpëruese, sa i përket qoftë edhe përgatitjes së konferencës, qoftë edhe projekteve të cilat paraqitën para nesh.

Arbanë Qeriqi: Zotëri ministër keni marrë pjesë edhe në Forumin e Biznesit në Kijev të Ukrainës, i cili është organizuar nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim, cilat janë rezultatet nga takimet që keni pasur me përfaqsues të biznesit dhe drejtuesit e bankave të njohura?

Ahmet Shala: Po, kjo është hera e katërt që unë marr pjesë ndërsa është hera e parë si ministër i Ekomisë dhe Financave dhe konsideroj se është një nga ngjarjet e rëndësishme në sferën e Ekonomisë dhe Financave, meqë në Konferencë prezantojnë kryesisht ministrat e ekonomisë dhe financave të vendeve të ndryshme. Si delegacione dhe ekipe të ndryshme u përfaqësuan mbi 2500 veta. Unë, kryesisht u fokusova në përpjekjen e Kosovës për të pasur akces në Tregun financiar dhe në institucionet financiare. Konsideroj se këto kanë qenë takime shumë të rëndësishme, duke filluar nga presidenti i Bankës Financiare për Rindërtim dhe Zhvillim, pastaj përfaqësuesit e Bankës për Investime si dhe delegacione të larta shtetërore, duke përfshirë edhe zëvendës-sekretarin e Departamentit të Shtetit amerikan të Thesarit, që është faktikisht zëvendësministër i financave.
Të gjithë këta në mënyrë të fuqishme do ta mbështetën në këtë konferencë edhe antarësimin e Kosovës në këtë institucion, me qëllim që duke diskutuar me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, të zbulojmë rrugë sesi Kosova të ketë mundësi të thithë resurse financiare, të cilat në botë janë të mjaftueshme duke u përpjekur që të prezentojmë Kosovën si shtet të ri, i cili ka bazat e fuqishme dhe potencialin e fuqishëm për të ecur shpejtë përpara.
Në takimet me ministrat dhe institucionet tjera është shprehur një gadishmëri e madhe në bashkëpunim me shtetin e ri të Kosovës, dhe mund të them se jemi në rrugë të mirë që të kemi akces në institucionet finaciare ndërkombëtare dhe të kemi partneritet serioz me partnerët tanë strategjikë.

Arbanë Qeriqi: Kosova është një vend i varfër, sipas statistikave të Bankës Botërore 17 % e popullatës jeton në gjendje të rëndë të varfërisë, si mund të dilet tani nga kjo situatë, në kohën kur Kosova ka fituar pavarësinë?

Ahmet Shala: Çështja e rimëkëmbjes ekonomike dhe sociale të Kosovës është një proces, i cili do të zgjasë,. Me rëndësi është që Qeveria e Kosovës në ditët e para ka përcaktuar prioritetet dhe politikat e saj, në mënyrën sesi t’i zgjedhë këto.
Nuk mund të zgjidhen të gjitha përnjëherë, por ne kemi përcaktuar shumë qartë prioritetet dhe këtu është zgjidhja e problemeve të energjetikës, e cila është bërë pengesë, jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për mirqenjen sociale dhe psikike të njerëzve.
Janë identifikuar saktë mënyrat sesi mund të ecim përpara.
Infrastruktura është në rend të dytë, arsimi në rend të tretë, shëndetesia e bujqësia në vijim, e mbi të gjitha sundimi i ligjit, mbi të gjitha këto.
Politikat, sesi t’i zgjidhim këto sfida dhe prioritete, konsideroj janë ato të cilat përputhen me praktikat më të mira dhe me rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, siç janë Komisioni Evropian, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe USAID-i.
Zgjidhja më e qëndrueshme e këtyre problemeve është ngritja përmes zhvillimit ekonomik dhe jo përmes politikave sociale, të cilat janë një rreth vicioz i pafund, por që nuk e çojnë shtetin përpara.
Natyrisht, do të jemi shumë të kujdesshëm në identifikimin e elementeve më të goditura të shoqërisë kosovare dhe kemi identifikuar mënyra sesi t’i mbrojmë ata, sidomos në fazën kur e gjithë bota ballafaqohet me një ngritje globale të çmimeve në sferën e konsumit të derivateve të naftës dhe energjetikës. Këto janë, faktikisht, elementet me të cilat goditen më së pari dhe më së fuqishmi shtresat e varfëra.
Jemi në bashkëpunim me institucionet e rëndësishme ndërkombëtare për të hartuar një letër të bardhë mbi të cilën ne, në mënyrë të thellë dhe të gjithanshme do t’i adresojmë këto çështje dhe do të shohim sesi do t’i zgjidhim ato në mënyrën sa më shpejt të mundshme.

Arbanë Qeriqi: Ju faleminderit për kohën dhe mirëkuptimin!

Ahmet Shala: Faleminderit edhe juve, urime për emisionin, suksese të shumta!

 

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …