leoni

Arbanë Qeriqi, intervistë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Idriz Vehapi

Z. ministër për fillim të bisedës sonë, na segmentoni disa punët primare të Ministrisë të cilën e drejtoni, e cila përfshin një gamë të gjerë të aktiviteteve.

Vehapi: Bujqësia mbetet njëra nga degët më të rëndësishme të ekonomisë. Ajo ofron mundësi të mëdha të punësimin dhe të kursimit. Mandati i Ministrisë është që të krijojë politika dhe të zbatojë ligjet për zhvillimin e bujqësisë, të lehtësojë zhvillimin e skemës kreditore për mbështetje të bujqësisë, pylltarisë dhe aktiviteteve për zhvillimin rural në sektorin privat; të mbikëqyrë ofrimin e shërbimeve veterinare, duke përfshirë ndër të tjera edhe parandalimin e sëmundjeve të kafshëve, të zoonozës dhe përmirësimin e cilësisë së kopeve dhe tufave të shpezëve; krijon politikën në lëmin e ujitjes, duke përfshirë edhe projektet për planifikimin e ujitjes; krijon politikën dhe zbaton ligjet përkitazi me shfrytëzimin e tokës bujqësore me qëllim të mbrojtjes së saj etj;. Ofron ndihmë në çështjet që ndërlidhen me veterinarinë, bën kontrollin fitosanitar dhe të cilësisë së shtazëve dhe produkteve shtazore që kalojnë transit nëpër vendkalimet kufitare administrative dhe shtetërore etj.

Kanë kaluar disa muaj qyshkur jeni emëruar ministër. Çfarë gjendje keni trashëguar dhe ku ndodheni tani?

Vehapi: Ne kemi trashëguar një buxhet jo të mjaftueshëm për zhvillimin e bujqësisë dhe gjatë këtij viti është e pamundur të rritet ai, sado që kemi propozuar një varg masash simuluese për fermerët tanë. Vitin e ardhshëm gjithsesi do të kemi buxhet më të madh dhe punët do të ecin me dinamikë edhe më të shpejtuar. Po ju përkujtojmë se Kosova ende është në tranzicion dhe kjo gjendje nëpër të cilin po kalojmë ne si shoqëri, ka lënë pasoja të cilat do t’iu kushtojnë shtrenjtë brezave që po vinë pas nesh. Dhjetëra mijëra hektarë të tokës së pëlleshme të mbuluara nga betoni, kanë varfëruar familjet tona duke e hedhur perspektiven e zhvillimit të bujqësisë në një kohë tjetër. Vetëm kur të organizohet regjistrimi i popullsisë dhe pasurisë (i cili është paralajmëruar se do të bëhet këtë vit), ne do të mund të flasim me kompetencë për këtë problem.
Për gati edhe gjysmën e produkteve ushqimore, që mundë të prodhohen në Kosovë, ne edhe më tutje shpenzojmë parat, me të cilat i blejmë këto produkte në vendet tjera. Me këto para që mund t’i kursejmë, kur të filloj prodhimi në vend, atëherë ne do të punësojmë një numër të madh të njerëzve dhe do ta zbusim varfërinë e cila është ulur në shumë familje tona.

RKL:Mund të na tregoni për disa nga projektet e hartuara nga Ministria të cilën e drejtoni për Konferencën e Donatorëve?

Vehapi: Ne kemi ofruar një sërë projektesh kapitale për Konferencën e Donatorëve. Po ashtu, kemi bërë vlerësimin e këtyre projekteve të ofruara nga ekspertët më eminentë në mënyrë që këto projekte të jenë të qëndrueshme dhe bindëse për investitorët (donatorët) e jashtëm. Dihet gjithashtu se bujqësia tanimë është vënë në shkallë të prioriteteve dhe shpresojmë thellë që nga kjo konferencë do të jemi ndër përfituesit e parë të projekteve kapitale për zhvillimin e bujqësisë.

RKL: Cilat janë disa detyrat e Agjencionit Veterinar dhe të Ushqimit të Kosovës?

Vehapi: Mandati, detyrat, përgjegjësitë kanë të bëjnë lidhur me Mbrojtjen e Shëndetit të Kafshëve (eliminimi i zoonozave dhe të sëmundjeve të Listës A dhe B të OIE-së );

Përkujdesjen ndaj kafshëve,
Mbrojtjen e Shëndetit Publik Veterinar;
Sigurinë e Ushqimit;
Identifikimin dhe Regjistrimin i kafshëve shtëpiake;
Kontrollin Kufitar të ushqimit me origjinë bimore dhe shtazore dhe kafshëve të gjalla.

RKL: A mund te na njoftoni me disa nga aktivitetet në sektorët e zhvillimit rural në vendin tonë?

Vehapi: Themi se aktivitetet më të ngjeshura janë duke u zhvilluar në sektorët e zhvillimit rural. Po përmendim me këtë rast punën e madhe që jemi duke e bërë në rehabilitimin e kanaleve të ujitjes dhe futja e sa më shumë sipërfaqeve të tokës bujqësore nën sistemin e ujitjes. Shembujt më të mirë i kemi shënuar tash së fundit në komunën e Drenasit që në një afat rekord janë futur nën sistem të ujitjes mbi 1500 hektarë, me këtë dinamikë do të vazhdohet tutje edhe në komunat tjera. Pastaj kemi projektin për komasacionin e tokave bujqësore dhe një sërë projektesh të tjera që pritet të realizohen në të ardhmen.

RKL: Në cilat ministri keni bashkëpunim më të ngushtë?

Vehapi: Bashkëpunim kemi me të gjitha ministritë, por veçojmë Ministrin e Ambientit dhe Planifikimit hapësinor, Ministrinë e Shëndetësisë. Bashkëpunimi me këto ministri mundëson zbatimin e standardeve shëndetësore që ndërlidhen me bujqësinë, pylltarinë; zhvillimin rural me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve…

Në emër të dëgjuesve dhe stafit të radios Kosova e Lirë të falënderojmë për intervistën!

Vehapi: Ju faleminderit edhe juve, pune të mbarë!

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …