Intervistë me Krenare Kodrën, bija e heroit të kombit, Ilaz Kodra

Intervistë me Krenare Kodrën, bija e heroit të kombit, Ilaz Kodra

RKL: Krenare e nderuar mirë se vini në Radion Kosova e Lirë

Krenare Ilaz Kodra: Mirë se ju gjej, kënaqësia është e imja.

RKL: Ju jeni bija e heroit të kombit, Ilaz Kodra, luftëtari i cili me shumë bashkëmendimtarë të tij dhe në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari kanë formuar bërthamën e parë të njësitit të armatosur, të njohur fillimisht si Ushtria e Kosovës, e cila disa vite më vonë do të quhej: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Çka do të thotë kjo për Ju?

Krenare Kodra: Të jesh bijë e një dëshmori do të thotë shumë, e natyrisht në rastin tim, meqë babai si pjesëtar i rëndësishëm i UÇK-së, së bashku me bashkëluftëtarë dhe bashkëmendimtarë, arritën deri në themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga e cila dolën shumë ushtarë të shquar. Natyrisht se ndihem krenare, si me babin gjithashtu edhe me të gjithë ata që kontribuuan si në krijimin e UÇK-së, ashtu edhe në funksionimin e saj.

RKL: Në cilën moshë keni qenë  Ju dhe motra e Juaj Sumea kur ka rënë dëshmor babai Juaj?

Krenare Ilaz Kodra: Unë në nuk kam qenë ende në jetë në kohën kur babi ra dëshmor, duke i shërbyer Kosovës me jetën e vet. Kam lindur 6 muaj pas vdekjes heroike të tij. Kurse motra ime, nuk kishte as një vit të plotë kohë për ta shijuar së bashku me babin. Ajo ishte vetëm 11 muajsh. Kujtimet për babanë i kemi nga familja, nga rrëfimet e tyre   dhe rrëfimet e të tjerëve të cilat i ruajmë  me respekt e nderim të përhershëm.

RKL: A mendoni se shoqëria dhe institucionet kanë bërë mjaft për familjet e dëshmorëve?

 Krenare Ilaz Kodra : ne jemi shtet i ri, dhe si shtet i sapoformuar, dhe i sapo dalë nga një luftë, e cila i shkaktoj aq shumë dëme vendit tonë, është thuajse e pamundur që të bësh mjaft për familje të dëshmorëve. Sepse, nuk është pak të humbësh anëtarë të familjes, dhe te pranosh faktin që ata nuk janë më me ne, për t’iu gëzuar pavarësisë së Kosovës, të cilët patën rolin më të rëndësishëm për çlirimin e Kosovës, dhe formimin e një shteti të pavarur. Ne shpresojmë që vendi ynë të jetë sa me i suksesshëm dhe që viteve në vazhdim, institucionet të bëjnë sa më shumë për familje të dëshmorëve. Kurse nga shoqëria, kemi përkrahje të vazhdueshme, për të cilën jemi mirënjohës.

RKL: Na thoni diçka për shkollimin, studimet

Krenare Ilaz Kodra: Motra ime studion degën e ekonomisë. Ajo nuk na ka zhgënjyer asnjëherë me sukseset e saja. Kurse unë studioj degën e drejtësisë, juridikun.

RKL: A ju vizitojnë bashkëluftëtarët e babait, si ndiheni kur jeni në mesin e tyre?

Krenare Ilaz Kodra: Si në përvjetorë, ashtu edhe në ditë të zakonshme, kemi kënaqësinë të presim shumë miq të babit, dhe bashkëluftëtarëve të tij, e me disa prej tyre kemi edhe kontakte të vazhdueshme. Kam kënaqësinë që t’i falënderoj publikisht që gjithmonë gjejnë kohë të na vizitojnë, dhe të na nderojnë. Ne gjithashtu kemi edhe shumë vizitorë të tjerë, për shkak se shumë afër shtëpisë sonë, gjendet edhe kulla muze e babit, komandantit, Ilaz Kodra, të cilët kanë dëshirë ta vizitojnë kullën, dhe për tu njoftuar sadopak me rrethanat e kohës së ekzistencës së UÇK-së.

RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt, letër apo shkrim të babit Tuaj>

Krenare Ilaz Kodra: Po, kemi dokumente dhe shkrime te babit, gjithashtu edhe uniformen ushtarake te tij, të cilat gjinden në kullën muze të babit, për të gjithë ata që kanë dëshirë t’i shohin.

RKL: E nderuara Krenare Ju falënderojmë se u bëtë  pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Ju urojmë nga zemra shëndet e suksese në jetë.

KrenareIlaz Kodra : Faleminderit për ftesën, iu përgëzoj për punën e palodhshme që bëni.

Të jesh bijë e një dëshmori do të thotë shumë, e natyrisht në rastin tim, meqë babai si pjesëtar i rëndësishëm i UÇK-së, së bashku me bashkëluftëtarë dhe bashkëmendimtarë

 

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …