Intervistë me Arnisa Morinën, vajzën e dëshmorit të kombit, Mehdi Morina

Intervistë me Arnisa Morinën, vajzën e dëshmorit të kombit, Mehdi Morina

TV-Dielli: E nderuar Arnisa, ju jeni bërë e njohur në Kosovë me postimin Tuaj në faqen e internetit, ku keni shkruar një dedikim për Babin Tuaj, Dëshmorin e Kombit Mehdi Morina, i rënë në luftime kundër forcave ushtarake e policore serbe në Masakrën e Gollubovcit, më 26 shtator të viti 1998….

Për fillim ju sjellim  shkrimin e Arnisës…

 “Babi, tani jam në shtëpi. Unë të solla një dhuratë sot: diplomën time nga shkolla e drejtësisë, sepse vajza juaj e vogël është bërë avokate, falë teje babi. Kjo diplomë duhet të mbajë emrin tënd, babi. Do të doja të falënderoja për gjithçka që kam dhe gjithçka që jam. Babë, ti je forca dhe buzëqeshja ime. Kam jetuar jetën duke shpresuar që të ngjaj ty, Babi. Ndihem krenare që them se unë jam bija e një heroi, Mehdi Morina, i cili sakrifikoi dhe vdiq për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Si Avokate, unë do të vazhdoj të ec nën hapat e tuaja Babi, për të avokuar kundër padrejtësive të kryera ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Të donë shumë vajza e vogël, avokatja”, ka shkruar ajo në Facebook.

Lavdi babit Tuaj dhe gjithë dëshmorëve të Atdheut!

TV Dielli: Arnisa, ju në kohën kur ka rënë dëshmorë Babi i Juaj keni pasur tre vjet. Kur keni filluar ta kuptoni se babai nuk është më, se  ka rënë dëshmor?

Arnisa Mehdi Morina: Unë nuk e mbaj mend saktësisht sa vjeçare kam qenë kur e kam kuptuar, por në shkollën fillore kur i shihja shoqet dhe shokët e shkollës që më tregonin për prindërit e  tyre, ata vinin në shkollë i merrnin nga shkolla, apo u sillnin dhurata për festa, unë e mendoja pse babi im nuk i bën të njëjtat gjëra për mua.

Kur erdha për herë të parë në Kosovë diku 6 vite pas përfundimit të luftës, atëkohë unë isha 9 vjeçare, jemi shkuar me nënën dhe dajën për herë të parë tek varri i Babit, atëherë e kuptova se ai nuk është gjallë, sepse gjithnjë mendoja se kur të  shkoj në Kosovë do ta takoj gjallë atë, e dija se nuk është në Kanada por mendoja se është në Kosovë, atëherë u binda se Ai, nuk është gjallë, dhe nuk do të kthehet më…..

 

TV Dielli: Ju, së bashku me familjen në kohën e luftës keni emigruar në Kanada, na tregoni diçka nga fëmijëria Juaj, për nënën Tuaj e cila nuk e ka pasur të lehtë të kujdeset për gjashtë fëmijë në moshë të re, si u shkolluat, a studioni a punoni ju fëmijët e Dëshmorit Mehdi Morina?

Arnisa Mehdi Morina: Pasi që isha e vogël nuk mbaj mend shumë, por fëmijëria ime ka filluar në Kanada. Kur kam filluar shkollimin fillor nga ajo periudhë kam më shumë kujtime. Më e vështirë ka qenë për Nënën dhe unë ë them gjithnjë se nëna ime është një heroinë e gjallë, sepse nuk e di se si ja ka dalë mbanë të rrisë gjashtë fëmijë e vetme, unë isha tre vjeçe, vëllai i madh 16 vjeç. Unë befasohem si ia ka dal mbanë të na mbrojë nga lufta mandej të na rrisë në Kanada. Nga ajo mësova se njeriu është më i fortë se guri. Asnjëherë nuk e kemi parë duke u mërzitur, ngase është ruajtur shumë që edhe ne të mos mërzitemi pastaj. Na ka folur shpesh për Babin, por na mësuar edhe si të bëhemi të fortë, të ecim përpara. Të bëjmë diçka me vlerë, të vlerësojmë luftën dhe sakrificën që ka bërë babi im dhe gjithë Dëshmorët e tjerë të kombit tonë. Të gjithë ne të 6 fëmijët jemi shkolluar, punojmë , jemi martuar me shqiptarë e shqiptare.

TV Dielli: Ju edhe pse jeni rritur në Kanada flisni mjaftë mirë gjuhën shqipe, e keni ruajtur gjuhën, sigurisht nëna ka folur shqip me Juve, edhe pse ju jeni shkolluar në gjuhë të huaj?

Arnisa Mehdi Morina: Po, e vërtet nëna nuk na ka lejuar asnjëherë që në shtëpi të flasim anglisht, edhe pse ne në shkollë dhe punë flasim gjuhë të huaj.

 

TV Dielli: Ju jeni në moshën 23 vjeçare jeni e diplomuar si avokate në një Universitet prestigjioz të Kanadasë, sa ishte e vështirë për Ju të arrini këtë rezultat me nota maksimale?

Arnisa Mehdi Morina: Sikur për të gjithë, edhe për mua ka pasur vështirësi ngase atje duhet bërë 4 vite fakultet vetëm për të aplikuar në shkollën e drejtësisë, dhe të japësh një provim shtetëror, pastaj duhej nota maksimale, duhet puna vullnetare në të njëjtën kohë, por nga dëshira e madhe për tu bërë avokate unë arrita nga 4 vite kohë e rregullt për studim e realizova për 3 vjet. Kam studiuar edhe gjatë verës vetëm për ta përfunduar më herët, ndoshta krejt një javë kam pushuar. Ka qenë vështirë të pranohem sepse është shkolla më e madhe në Toronto- Kanada. Pra kam diplomuar në qershor, pastaj edhe provimin shtetëror, pastaj bënë tetë muaj punë praktike, dhe mandej shteti ta jep lejen për Avokate. Me 19 gusht 2019 ia filloj punës atje.

TV Dielli: Pse përzgjodhët këtë drejtim për të studiuar?

Arnisa Mehdi Morina: Gjithmonë kam menduar ta zgjedh një drejtim ku mund të avokoj kundër padrejtësive, ngase jam tip që nuk duroj padrejtësitë, nuk mund të rri e heshtur kur shoh diçka që nuk është si duhet. Diku në moshën 14 vjeçare kam pas dëshirë për të studiuar për Juridik, e mendoja edhe ngjarjen që ka ndodhur në Kosovë, mandej mendoja edhe Babin tim, dhe gjithë Dëshmorët e Kombit Tonë, andaj edhe vendosa që të bëj edhe unë diçka kundër padrejtësive, dhe të bëhem zëri i dikujt që nuk ka guxim të flas për të vërtetën. Mendoja vetën kur isha tre vjet refugjate, ne nuk kemi pasur guxim ta ngrinim zërin tonë. Andaj mendoj dhe dua të jem avokatja e dikujt, sepse e dijë çka është me qenë në pozitë të tyre.

TV Dielli: Ju jeni diplomuar në qershor të këtij viti, dhe sikur e lexova më herët dedikimin Tuaj keni shkruar se si Avokate, do të angazhoheni Babi, kundër padrejtësive të kryera ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Si mendoni të jepni kontributin Tuaj si avokate?

Arnisa Mehdi Morina: Unë mund të kontribuoj në mënyra të ndryshme. Unë mund të kontribuoj nga Kanada, por nëse ka nevojë jam e gatshme të vij në Kosovë. Unë kam dëshirë të jem zëri i dikujt këtu në Kosovë, sepse ne kemi vuajtur shumë dhe kemi humbur shumë, dhe e rëndësishme është ta ngrisim zërin dhe ti tregojmë botës se çka ka ndodhur më të vërtetë në Kosovë. Të tregojmë për Dëshmorët Tanë, për më të mirët. Ne nuk guxojmë të harrojmë luftën dhe sakrificën e tyre, sepse ATA na sollën Lirinë.

TV Dielli: Ju, përveç si avokate në moshë të re, jeni e pranishme edhe në ngjarjet që organizohen nga Konsullatës së Kosovës në Kanada, pastaj jeni pjesë e disa Shoqatave atje, për shikuesit e Tv Diellit a do të veçoje ndonjë ngjarje të sivjetme që keni marrë, pjesë me ndonjë fjalim Tuajin?

Arnisa Mehdi Morina: Po, më dërgojnë shpesh ftesa nga Konsullata e Kosovës që është në Toronto, gjithashtu jam anëtare e shoqatave në Toronto. Unë isha e pranishme me një fjalim timin, me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Shpesh mbaj fjalime në këto ngjarje. Edhe me shoqatat jam mjaftë aktive, aty takoj personalitete të njohura shqiptare si, Pandeli Majkon e të tjerë që është nderë për mua të punoj krahas tyre.

 

TV Dielli: Cilat Janë synimet Tuaja për të ardhmen?

Arnisa Mehdi Morina: Pasi t’ i përfundoj 8 muaj praktikë që do të filloj në gusht, kam dëshirë të hap firmën time, në drejtimin për Refugjatë dhe Emigracion, sepse siç e potencova më herët unë kam qenë në pozitën e tyre, andaj dua të jap kontributin tim në atë drejtim. Në Kanada posa ta marrësh lejen shteti të ndihmon të realizosh punën.

TV Dielli: Sa jeni e lidhur emocionalisht me Kosovën, a vini shpesh në vizitë, në vendlindjen Tuaj?

Arnisa Mehdi Morina: Ne vijmë çdo vit në Kosovë. Edhe pse jam qe 20 vite në Kanada, unë jam e lidhur emocionalisht me Kosovën, këtu e ndiej se kam shtëpinë time, më tërheq  varri i Babi tim , ai pushon në  fshatin Negroc. Ndërsa në Kanada kam nënën, punën. Por emocionalisht jam më e lidhur me Kosovën sepse e di që babi im dha jetën për këtë vend. E mendoj edhe ditën kur do të kthehem këtu ndoshta jo përgjithmonë por sa herë të kem nevojë.

 

TV Dielli: Ju sigurisht se jeni krenare me veprën heroike të Babit tuaj, sigurisht që edhe ne në të ardhmen do të krenohemi me punën Tuaj si avokate që do të përçosh zërin e Refugjatëve kudo ku kanë nevojë. Faleminderit për kohën dhe bisedën, ju urojmë shëndet e suksese në jetën tuaj.

 

Arnisa Mehdi Morina: Faleminderit, ishte kënaqësi

(Bisedën në studion e TV-Diellit me Arnisa Mehdi Morinën e realizoi, Arbanë Qeriqi-Gashi)

Kontrolloni gjithashtu

Flet Prof. Lush Susaj: Protestat e fermereve po denoncojnë degradimin e shtetit në korrupsion dhe kakistokraci

– Fermerët kërkojnë lirinë dhe sigurinë për të punuar e jetuar me djersën e tyre dhe …