Intervistë me kryetarin e komunës së Kastriotit, Xhafer Gashi

RKL: Kryetar cilët janë hapat konkret për një Kastriot më ndryshe?

 Gashi: Ne kem pasur  shumë prioritete, të cilat janë në proces e sipër. Në komunën tonë ka nevojë për një ambient më të mirë, shëndetësi, arsimim, kulturë, sport,  infrastrukturë dhe çështje të tjera  thelbësore. Ne kemi një mjedis të dobët për shkak të industrisë. Edhe pse komuna jonë njihet si më e pasura me resurse natyrore, por është fatkeqësi e qytetarëve që jetojnë për rreth industrisë. Ata përballen me një infrastrukturë shumë të dobët, ambienti është i papastër dhe shëndeti i tyre varet shumë prej këtyre rrethanave. Vitin e kaluar kemi realizuar disa nga projekte  kapitale që ka qenë edhe synim i joni. Në infrastrukturë kemi shtruar 22 rrugë me asfalt dhe 45 rrugë janë trajtuar  me zhavorr. Pos kësaj është aktivizuar halla sportive që ka qenë një projekt me vlerë 2 milion e 20 mijë euro. Po ashtu kemi ndërtuar një shtëpi të pleqve e cila ka qenë e domosdoshme dhe tani janë vendosur aty të gjithë të moshuarit. Kemi punuar  edhe me shkollat, në veçanti me Shkollën Teknike dhe Gjimnazin sepse kanë pasur një gjendje shumë të rëndë në ambientet e brendshme ku janë zhvilluar mësimet. Kemi rinovuar hapësirat të cilat kanë qenë të pashfrytëzuara dhe tani mësimi vijohet vetëm me ndërrimin e parë. Me këtë rast, ju kemi mundësuar nxënësve të udhëtojnë. Pastaj janë ndërtuar tri fusha sportive nëpër shkolla. Sa i përket shëndetësisë janë renovuar QKMF-ja dhe disa ambulanca në Breznicë dhe Shipitullë Po ashtu po mundohemi që në aspektin  administratës, të gjitha kërkesat e qytetarëve t’i realizojmë mundësitë që kemi.

 RKL: Cila është zgjidhja për mbrojtjen e mjedisit që po degradohet nga veprimet e KEK-ut, deponisë rajonale të mbeturinave në Mirash, vendosja e banorëve të Hadës?

Gashi:  Realisht është një problem  jashtëzakonisht shqetësues për komunën tonë. Ne kemi pasur problemin e Hadës e tani kemi problemin edhe të Shipitullës, zhvendosja e popullatës së saj. Në këtë drejtim pak është punuar nga institucionet e nivelit qendror sepse aktivitet e zhvendosjes kanë filluar shumë vonë. Kjo është një zhvendosje e dhunshme, sidomos në rastin e Shipitullës.  Në këtë rast duhet të negociohet me qytetarët  si në çdo vend dhe ne po shpresojmë që përfundimisht të kaloj ashtu siç është më së miri  për dy palët. Në lidhje me mjedisin dhe infrastrukturën që dëmtohet nga makineria e KEK-ut, ne jemi në bisedime me këtë Koorporatë që të gjejmë një modalitet. Të paktën të mirëmbahen ato rrugë që shfrytëzohen nga KEK-u. Ne veçse kemi përgatitur një draft për Kuvendin e Kosovës, i cili tashmë është në procedim e sipr. Unë mendoj se vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo krizë, është ligji për Kastriotin që të trajtohet si zonë e veçantë meqenëse është një pasuri të cilën e shfrytëzon e gjithë Kosova.

 RKL: Sa zgjatë periudha e shpronësimit?

Gashi: Realisht sipas ligjeve të periudhës së shpronësimit duhet të fillojë diku katër vite më herët që të negociohet për një çështje të tillë. Mirëpo si duket kjo nuk ka pasur një projekt të mëhershëm për një kapacitet më të madh për gjenerim të energjisë elektrike. Ende nuk është në fazën e realizimit dhe varet kryesisht prej fuqisë gjeneruese të energjisë elektrike. Këto janë përcaktuar për kapacitet aktuale që të shkojnë në drejtim të Shipitullës, dhe nëse  fillon diçka rreth ndërtimit të kapaciteteve të reja, ajo do të drejtohet nga Hadja. Ne kemi kërkuar edhe nga KEK-u, Qeveria dhe nga Ministria e Ambientit që ata qytetarë që mbesin përrreth minierës të kanë një trajtim më të veçantë. Ky trajtim ka të bëjë me infrastrukturë, ujë, transport, sepse është një barrë e madhe për komunën duke ditur që kapacitet i kemi jashtëzakonisht të vogla.

RKL: Cilat janë sfidat tjera që po përballeni gjatë mandatit qeverisës?

Gashi: Ne me formimin e Qeverisë së re kemi filluar të vendosim kontakte me të gjithë ministrat. Kemi pasur bisedime me ministrin e Kulturës, atë të Infrastrukturës, Arsimit, Zhvillimit Ekonomik dhe atë të Ambientit.  Ne kemi pasur takim edhe me kryeministrin e Kosovës dhe në të gjitha këto takime na është premtuar se do të ketë investime për zhvillimin e Kastriotit. Prioritet për ne është ura Hamidi-Plementin, që është një urë e cila ka ekzistuar edhe më herët. Qytetarët e Artakollit, pjesë kjo e Qyqavicës, më herët kanë lëvizur drejt fshatrave tona . Kjo urë përdoret edhe nga fshatrat e Vushtrrisë por tani ajo është jo-funksionale, duke bërë që qytetarët të maltretohen shumë kilometra për të ardhur në Kastriot.  Shpresojmë që realizimi i saj të përfundohet në vitin e ardhshëm. Tash po shpresojmë që ajo do të jetë në agjendën e Ministrisë së Infrastrukturës. Pastaj kemi Shtëpinë e Kulturës e cila është në gjendje shumë të rëndë. Kemi biseduar me ministrin e Kulturës dhe na është premtuar që edhe ajo në 6-mujorin e dytë do të fillojë të ndërtohet. Pastaj kemi shkollën e Lajthishtës, për problemin e së cilës kemi biseduar me ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami.

RKL: Sipas kësaj a mendoni se jeni përkrahur meritueshëm nga qeveria për projektet?

Gashi: Ne po shpresojmë që gjate takimeve që i kemi  realizuar me Qeverinë dhe ministrat e ri që janë, na është dhënë një përkrahje e mirë. Do të shihet nëse ata do t’i realizojnë ato që na kanë premtuar.  Sepse për komunën tonë janë projekte jashtëzakonisht të mëdha, janë projekte kapitale, të cilat ne s’i komunë nuk mund t’ i realizojmë.

 RKL: Si qëndrojnë raportet me subjektet politike në asamblenë komunale?

Gashi: Ato janë jashtëzakonisht të mira sepse kemi një bashkëpunim jo vetëm në seancë por edhe në të gjitha projektet dhe në rishikimin e planifikimit të buxhetit për vitin 2015-të. Përveç shefit të grupit parlamentar të LDK-së që nuk ka marr pjesë, të gjithë të tjerët ishin të pranishëm ku kemi bërë një projekt për vitin 2015-të. Ka pasur raste kur nuk janë miratuar nga deputetët por unë i vlerësoj sepse edhe ata janë me votën e qytetarit dhe duhet të japin llogari para qytetarëve për projekte të cilat mendojnë se nuk janë të favorshme për qytetarë. Mund të them se deri tani nuk ka pasur bllokime meqë të gjitha rrugët që kanë filluar këtë vit të punohen janë me pëlqimin e krejt deputetëve.

RKL: Sa keni arritur t’i dilni në ndihmë Shoqatave të Dëshmorëve dhe fëmijëve të tyre?

Gashi : Në këtë drejtim, ne konsultohemi në vazhdimësi me përfaqësues të tri shoqatave . Të gjitha manifestimet bëhen në bashkërendim me këto shoqata. Pastaj sa i përket çështjes së punësimit, ne mundohemi sado pak t’iu japim një prioritet, gjithnjë duke evituar shkeljet ligjore. Kur vjen puna e bursave, aty kanë qenë rreth 50 të tilla për studentët e Kastriotit. Ne kemi biseduar edhe me ministrin e Ambientit dhe kemi një projekt që diku rreth 80 banesa të parapara për ata banorë që do të zhvendosen. Jemi në bisedime me  ministrin dhe na është premtuar nga Ministria e Ambientit që këto banesa t’i kalojmë në pronësi të komunës. Besoj se familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve si dhe gjithë ata që janë me kushte të rënda do të kenë mundësi që të përfitojnë në këtë drejtim

 RKL: A ka familje të këtyre kategorive që nuk e kanë  zgjidhur çështjen e banimit?

Gashi: Në  Kuvendin e fundit që u mbajt muajin e kaluar, ne morëm një vendim që t’i ndërtohet një shtëpi njërit nga veteranët që e kishte gjendjen e vështirë ekonomike. Pa dyshim që ka edhe të tjerë por komuna jonë ka një buxhet jashtëzakonisht të vogël. Por  shpresojmë që me marrjen në pronësi të banesave nga ministria, aty do të jetë një mundësi më e madhe që t’i zgjidhet problemi i banimit këtyre kategorive.

26 maj 2015

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …