Intervistë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, z. Bajram Rexhepi

RKL: Z. Rexhepi, është hera e dytë që kryeni funksionin e kryetarit të komunës , një kohë ishit edhe kryeministër i vendit , cila periudhë ishte më e vështirë për Ju gjatë kryerjes së këtyre funksioneve?

Bajram Rexhepi: Po, të tria i kanë ato vështirësitë e veta. Fillimisht si kryeministër i emëruar në Qeverinë e Përkohshme, problemi ishte se ne nuk ishim të njohur ndërkombëtarisht dhe është dashur me punën dhe vullnetin tonë t’i imponohemi edhe faktorit ndërkombëtar kryesisht UNMIK-ut që të provojmë të bëhemi partner me të e jo vetëm të subordinohemi dhe ka qenë problemi tjetër që ne nuk kemi pasur burgje. Asokohe kemi funksionuar më tepër në baza vullnetare dhe në atë kohë ka pasur konflikte të përgjakshme ka pasur vrasje, pastrim etnik dhe nuk ka qenë lehtë të përballohet ajo situate.
Ndërsa si kryeministër vështirësitë fillestare kanë qenë që përveç një stafi minimal të rekrutuar nga UNMIK-u, realisht shumica e segmenteve të shtetit kanë filluar të themelohen në mandatin e kryeministrit dhe ne kemi provuar të funksionalizojmë sa është e mundur strukturën shtetërore megjithatë vëllimi i të punëve ka qenë i madh. Kemi pas shpeshherë kundërshtime të mëdha me kryeadministratorin e Kosovës, ka pasur raste edhe kur kemi pasur bashkëpunim të ngushtë për arsye se gjithë ne kemi luftuar për më tepër kompetenca më tepër hapësirë, ndërsa tash realisht kemi legjitimitet, legalitet, buxhet megjithatë sfidat janë të mëdha dhe sidomos për arsye politike. Pas shpalljes së pavarësisë shihet një aktivitet politik i shtuar i strukturave paralele, qoftë të sigurisë qoftë të këshillit nacional serb, unionit virtual të komunave në veri dhe politikës tendencioze të Beogradit, që kjo pjesë e Kosovës gjithnjë të jetë e tensionuar, me qëllim që ta shfrytëzojë për arsye politike, që imazhin e Kosovës ta dëmtojnë me atë që Kosova nuk është shtet funksional, siguria nuk është në nivel etj. Secila fazë i ka specifikat e veta, por mund të them derisa në mandatin e parë për çfarëdo mosrealizimi të punëve kemi pasur një alibi po ashtu edhe në qeveri shumicën e kompetencave i kanë pasur ndërkombëtarët, realisht nuk kemi shume arsyetime mirëpo megjithatë mundohemi ta bëjmë më të mirën e mundshme, që të kaloj kjo fazë e tranzicionit me sa më pak konflikte, tensione. Të fillojë të vendoset rendi e ligji është një moto prej fillimit që është parakusht për çfarëdo fillimi pozitiv.

RKL: Që prej shpalljes së pavarësisë situata në Mitrovicë nuk ka qene aq stabile, si e vlerësoni gjendjen momentale?

Bajram Rexhepi: Po realisht duhet të them vetëm këtë që ka pasur analiza, spekulime që do të ketë konflikte të përgjakshme. Kemi punuar shumë ngushtë edhe para shpalljes së pavarësisë me strukturat e NATO-s dhe kemi bërë vlerësimin e çdo situate të mundshme në mënyrë që të mund të parandalohet dhe të jemi të përgatitur dhe kjo ka pasur sukses deri diku, dhe mundë të themi se një konflikt i përgjakshëm, përveç me 17 mars që ka qenë në mes të përfaqësuesve të komunitetit serb ku është vrarë një polic ukrainas dhe shume të tjerë të lënduar të KFOR-it, nuk ka pasur konflikte tjera tragjike, mund të thuhet se ka kaluar me më pak pasoja se sa që është pritur. Tensionet më të mëdha kanë qenë para dhe pas vitit të ri, sidomos në lagjen e Boshnjakëve, arsyet janë të ndryshme, ku në asnjë rast them kushtimisht shqiptarët nuk kanë qenë të involvuar, por më shumë kanë qenë viktimë dhe këto kanë qenë grupe të krimit ekonomik të strukturave paralele të sigurisë, rivaliteti politik mes tyre, pasojat kryesisht i ka bartur komuniteti shqiptar, por edhe vetë komuniteti serb. Këto dhjetë ditët e fundit është një situatë më e qetë, nuk ka pasur incidente madhore.

RKL: Institucionet shtetërore ende nuk kanë qasje në veri, kur mendoni se qeveria do ta shtrijë kontrollin në këtë pjesë të vendit tonë?

Bajram Rexhepi: Realisht institucionet tona kanë obligim kushtetues që ta bëjnë këtë, institucionet qendrore sidomos doganat, policia dhe gjyqësia, duhet të shtrihen në tërë territorin, mirëpo praktikisht ai që e dinë situatën, dihet që nuk është e lehtë dhe kërkon kohë të punohet shumë ngushtë me EULEX-in dhe nëpërmjet tij sigurisht se do të bëhet shtrirje e funksioneve qendrore, por për momentin EULEX-i ende nuk është i kompletuar, pritet që deri në mars të kompletohet, të filloj zbatimin e rendit dhe ligjit që nënkupton edhe shtrirje të doganave. Janë inkurajuese që kanë filluar regjistrimet e mallrave janë duke u bërë pajisjet e domosdoshme që janë vendosjeve e kamerave, kontinierëve.
Fillimisht do të punojnë doganierët e EULEX-it, por do t’iu bashkëngjiten edhe doganierët shqiptarë e serb dhe mendoj se kjo do të kalojë më lehtë. Sa i përket policisë përkundër që nga komuniteti serb fillimisht kanë refuzuar të pranojnë komandën drejtpërdrejt nga komanda qendrore, megjithatë ka bashkëpunim dhe si urë lidhëse janë përfaqësuesit e EULEX-it. Kohët e fundit është formuar një lloj policie multietnike në tri pjesë: Lagjja e Boshnjakëve, Tre rrokaqiejt dhe në Suhodoll ku janë patrullat e përbashkëta, është mirëpritur dhe ka qenë kërkesë e tyre. Fillimisht sa kanë qenë vetëm komuniteti serb janë akuzuar nga shqiptarët se bashkëpunojnë me strukturat e MUP-it, tash këta e kontrollojnë njëri tjetrin dhe funksionojnë relativisht mirë. Unë problemet më të mëdha i pres në gjyq, se si do të funksionalizohet, është numër i madh i dosjeve të cilat nuk janë përfunduar, nuk janë shtjelluar deri në fund, kjo do të jetë kryesisht punë e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga EULEX, gradualisht do të bëhet edhe inkorporimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptar e serb. Sa i përket aplikimit të ligjeve do të ketë probleme, mirëpo gradualisht edhe këto duhet të rregullohen.

RKL: Njiheni si kryetar që keni pasur shpesh kundërshtime nga administratorët ndërkombëtar, njëri nga ta ishte Galluçi?

Bajram Rexhepi: Unë nuk kam pasur mos durime personale, kanë qenë parimet që të vendoset rendi dhe ligji, të implementohen disa të drejta të qytetarëve: kthimi nëpër pronat e tyre, lirimi i pronave. Agjencioni Kosovar i Pronave i ka lëndët dhe nuk ka pasur mbështetje nga Galluçi, që me policinë t’i përcjellin dhe t’i lirojnë pronat ose të gjendet solucioni. Po ashtu ai ka pasur ai ka qenë një ithtarë i status quo-së. Nuk ka ndërmarr asgjë kundër strukturave paralele. Kulmi ka qenë akuza kundër kryeministrit Thaçi, kundër kryeadministratorit Rosin, të cilët i ka akuzuar me një letër të hapur se ata e kanë shtyrë KFOR-in dhe të tjerët të hyjnë me forcë dhe ta lirojnë gjyqin dhe i ka fajësuar se ata janë shkaktarë të kësaj pune, kjo ka qenë arsyeja kur unë kam ndërprerë komplet bashkëpunimin me të, ngase qasjet i kemi pasur të kundërta. Ngase ata që kanë shkaktuar dhunë duhet të ballafaqohen me gjyqësinë, pra ka qenë një obstruksionist. Një herë më kujtohet se i pata thënë se me mbet status quo-ja këta qytetarë nuk kanë nevojë as për Galluçin e as për Bajram Rexhepin, por dua ti lëviz gjërat në drejtim pozitiv.

RKL: Ditë më parë jeni ankuar në jo korrektësinë e medieve, të cilat komunën e Mitrovicës e shfrytëzojnë vetëm për informata që kanë të bëjnë me ndonjë acarim gjendje, ndërsa nuk vinë fare në Mitrovicë kur kanë të bëjnë me realizimin e ndonjë projekti, keni rastin në valët e radios Kosova e lirë ti cekni disa nga ato?

Bajram Rexhepi: Tërësisht qëndroj pas asaj që kam thënë. Edhe gjatë kohës sa kam qenë kryeministër nuk jam përzier në politikën redaktuese të medieve elektronike dhe të shkruara, pra kam qenë shume korrekt. Mirëpo është jo korrekte që sot një incident sado i vogël që të jetë të gjitha mediet të bombardojnë dhe kërkojnë deklarata ekskluzive, ndërsa ka raste kur bëhet ndonjë inaugurim, debat ne i informojmë dhe nuk vinë asnjëherë, përveç këtyre lokale qe i përcjellin ndonjë here këto aktivitete. Jo se kam nevojë për reklamim, por qytetarët duhet të jenë të informuar për ngjarjet dhe mendojë se kjo është jo korrekte. Mund të thuhet se ndonjë here kanë prezantuar kur kanë qenë qeveria, por jo edhe për aktivitetet e komunës, dhe kjo është irrituese edhe pse unë kam qenë korrekt ndaj medieve, por mendoj a ia vlen çdo herë tu përgjigjem kur ata nuk janë korrekt ndaj meje!?, pra të mos identifikohet Mitrovica vetëm si vend i problemeve, por vend ku megjithatë ka edhe zhvillime pozitive.

RKL:Cilat projekte do te realizohen këtë vit?

Bajram Rexhepi: Realisht ne mendojmë edhe më tutje për pjesën veriore, disa projekte kanë filluar. Para pak ditësh kishim një takim me banorët e Suhodollit, kemi një fond për të ndërtuar 25 shtëpi, do të vazhdojë asfaltimi deri te Kroi i Vitakut, një urë që e lidhë Suhodollin, ka shumë projekte tjera rrugore, shtrirje të rrjetit të ujësjellësit, hapësira të gjelbëruara etj. Derisa në vitin e kaluar me ndihmën e MTPT kemi përfunduar një numër të madh të rrugëve nëpër fshatra, këtë vit do të orientohemi brenda qytetit, si dhe rrjeti i ujësjellësit, kanalizimit. Kemi përkrahjen e MASHT-it për disa shkolla, kemi kërkesë të kemi disa banesa sociale për arsye se banorët kanë nevojë për akomodim e sidomos në Mitrovicë, sepse kemi një numër të madh nga veriu ose janë nëpër qendra kolektive, nëpër kushte shumë të rënda, ose paguajnë qira shumë të larta, ne do tu ofrojmë një zgjedhje që të lirohen nga këto. Eventualisht duhet një ndërtesë për banim social, MPMS-ja vitin e kaluar ka ndarë një fond për shtëpinë e pleqve që do të realizohet gjatë këtij viti. Në dimensionet e ndryshme do të punojmë. Me rëndësi të madhe është plani urbanistik dhe hapësinor i zhvillimit, tash në fund të shkurtit e merr fuqinë ligjore dhe fillon plani rregullativ i pjesëve të caktuara, të cilat janë për zonë industriale, hapësirë rekreative-sportive, presim që me aprovimin e ligjit për legalizim ato objekte ilegale që mund të realizohen me planin urbanistik të bëjnë pagesën, ndoshta edhe dënimet e ato të pengojnë do të rrënohen.

RKL: Po në sferën e shëndetësisë si qëndrojnë punët?

Bajram Rexhepi: Shëndetësia është degraduar në tërë Kosovën, e në veçanti në Mitrovicë për arsye se ju e dini që spitali regjional i Mitrovicës, ka qenë qendra e dytë pas Prishtinës e tash qytetarët dhe mjekët tanë nuk kanë qasje, punojnë në kushte të improvizuara në shtëpinë e shëndetit, bëhen vetëm intervenimet urgjente që janë, dhe pastaj orientohen ne QKUK, pra kemi mungesë të hapësirës, dhe një potencial i mjekëve që kanë qenë në Mitrovicë janë shkapërderdhë, për arsye se nuk kanë pasur ku të punojnë. Një OJQ që një vit ka filluar të bëjë riparimin e pjesës operative në ish kazermën, kemi premtime që edhe pjesa konservative të rregullohet me donacione, po ashtu nga ministria që të bëhet pajisja. Ne duhet të mendojmë për të kompletuar stafin ngase për dy vite do të kompletohet ky spital me një kapacitet prej 250 shtretërish aq sa edhe ka nevojë për këtë regjion dhe qytetarët të kenë një shërbim sa më cilësor.

RKL: Jeni optimist që gjendja normale të kthehet gjatë këtij viti?

Bajram Rexhepi: Jo, jo, jo. Kjo është jo reale, unë jam real në ato pritjet e mia, unë do të bëjë sa është e mundur që ti qesim në binar të realizimit këto gjëra. Edhe sa vite do të kalojnë është çështje tjetër, sidomos vendosja e funksioneve qendrore që nuk është drejtpërdrejt kompetencë e komunës, kjo kërkon vite. Po ashtu ka edhe disa projekte nga donatorët, psh: një ujësjellës regjional që unë e kam premtuar gjatë fushatës elektorale edhe pse është menduar se është megalomane megjithatë janë zotuar 10 milion euro nga Komisioni Evropian dhe pjesa tjetër që kostoja është 20 milion është dal tenderi dhe kjo do të realizohet në 2 apo 3 vite.

RKL: Zoti kryetar, cilat janë raportet tuaja me qytetarët e Mitrovicës, a mendoni edhe më tutje qe jeni personi që ata dëshirojnë që ju ti përfaqësoni, dhe nëse vazhdon situata e njëjtë a do të kandidoheni sërish?

Bajram Rexhepi: Mendoj që njerëzit në këtë varfëri me këto pritje të shumta edhe janë zhgënjyer, ndoshta kanë pritur që unë kam një shkop magjik dhe unë do të rregulloj shumë çështje. Ata që janë me racional në qasje i shohin, pra ka vend në Mitrovicë me pa edhe bardh zi dhe gri. Megjithatë ekziston një respekt, e dinë që kam ardhur ti ndihmojë Mitrovicës, në momentet më të vështira, por të gjithë nuk janë të kënaqur, por them me përgjegjësi që unë gëzoj respekt më shumë në çdo pjesë tjetër të Kosovës sesa në Mitrovicë. Sepse ata të njohin edhe pritjet janë të mëdha. Unë do të përkushtohem për Mitrovicën pavarësisht në çfarë pozite jam. Kam thënë qartë se jam kandiduar në momentin më të vështirë, me qëllim që të pengohen konfliktet më të përgjakshme dhe të fillojë vendosja në binar të rregullt. Me këtë e përfundojë mandatin tim, nuk do të rikandidohem për mandat tjetër. Ka edhe të tjerë që do ta kryejnë këtë punë, ndoshta nuk do ta ketë fuqinë politike apo kontaktet me ndërkombëtarët, por unë do t’ i ndihmoj pavarësisht se ku do të jem.

 

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …