RKL: Intervistë me Zëvendës ministrin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave z.Bedri Hamza

RKL: Mirë se vini në emisionin Aktualitete në valët e Radios Kosova e Lirë

Bedri Hamza: Fillimisht ju përshëndes juve I përshëndes gjithë dëgjuesit e radios Kosova e Lirë, radios shumë të respektuar

RKL: Zëvendësministër ju ndihmoni ministrin e Ekonomisë dhe Financave në hartimin dhe politikat ekonomike e fiskale në Kosovë, çështjet buxhetore dhe financiare, mund të na thoni më shumë për këtë?

Bedri Hamza: Po detyrë e zëvendëskryeministrit është që të ndihmoj ministrin me menaxhimin e MEF-it, këtë gjë po e bëjmë dhe besoj se ka të arritura gjatë kohës që ne jemi në këtë Ministri, normalisht punë kryesore janë proceset buxhetore mirëpo duke e pasur për bazë që politikat fiskale në Kosovë në një moment të caktuar janë bërë pengesë për zhvillimin e biznesit në Kosovë, ne ju kemi qasur reformimit të politikave fiskale që kanë pasur për qëllim të krijojnë një objekt më të përshtatshëm dhe më miqësor për bizneset në Kosovë, si për bizneset në Kosovë ashtu edhe për investitorët e mundshëm potencial nga jashtë, kemi shkuar në reduktimin e normave të tatimeve direkte siç është tatimi në fitim të Korporatave dhe tatimit në të ardhura individuale, ku tatimi në fitim të Korporatave është zvogëluar për 50% d.m.th. 20% ka qenë vitin e kaluar, ndërkaq në vitin 2009 do të jetë 10%, dhe gjithashtu tatimi në të ardhura individuale është zvogëluar varësisht sipas shkallëve, aktualisht janë shkallët 04, 08 dhe 10% maksimale derisa në të kaluarën ka qenë 05, 10 dhe 20%. Kjo bëhet me qëllim që një pjesë e të hyrave që i realizojnë bizneset mos të përdoret për pagesën e taksave dhe tatimeve, por të jetë me qëllim të ndërmarrjeve të zgjerimit të bazës materiale, me qëllim që të ketë investime më të mëdha, krijime të vendeve të reja të punës që në Kosovë janë si sfidat kryesore: varfëria, numri i madh i të papunëve që në këtë rast dominojnë të rinjtë. Ky ka qenë qëllimi, një prej qëllimeve të tjera ka qenë të ruhet qëndrueshmëria fiskale që këto ndryshime të mos kenë ndikime të mëdha në buxhetin e Kosovës dhe ne të futemi në rreziqe fiskale, gjithashtu të ruhet thjeshtësia e tatimeve që bizneset ta kenë sa më lehtë të evidentojnë t’i llogarisin dhe t’i paguajnë këto tatime. Besoj se këto janë arritur dhe politikat fiskale janë në funksion nga 1 janari i këtij viti. Sa i përket proceseve buxhetore ne si Qeveri që në start të punës sonë jemi përballur me aprovimin e buxhetit për vitin 2008 i cili është aprovuar dhe ka filluar të ekzekutohet në muajin mars, gjithashtu kemi përgatitur edhe kornizën afatmesme të shpenzimeve një dokument shumë i rëndësishëm i cili ka qenë edhe bazë për organizimin e Konferencës së Donatorëve të mbajtur në korrik të vitit të kaluar ku Kosova i ka përfituar 1.2 miliard euro. Jemi duke punuar edhe shumë ligje edhe shumë dokumente të tjera që besoj se janë punuar në kohë, janë kualitative dhe normalisht se ka pasur përparim të gjendjes në këtë aspekt.

RKL: Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka mbajtur takimin e parë të Komitetit Drejtues për projektin ,,Përmirësimi i administrimit të Tatimit në Pronë në Kosovë,JU ishit drejtues i Komitetit, si i cilësoni inkasimet e vitit që lamë pas?

Bedri Hamza:Tatimi në pronë është një prej të hyrave vetanake të Komunave në Kosovë me qëllim që ne ta rrisim nivelin e kësaj të hyre ku Komunat t’i përdorin këto taksa për zhvillimin e vet sidomos për projektet kapitale. Jemi duke zhvilluar një projekt për ngritjen e inkasimit të tatimit në pronë, në këtë projekt jemi të ndihmuar nga qeveria Suedeze ku ka ndarë një fond në formë donacioni në vlerë prej 2.3 milion euro, puna ka filluar në periudhën e kaluar. por ky projekt vazhdon ende dhe ka dhënë rezultatet e veta, janë të dhëna zyrtare që do të thotë se në vitin 2008 janë inkasuar nga të hyrat vetanake të komunave në raport me vitin 2007 kanë qenë për 46% më të larta, që është një ngritje mjaft kualitative dhe ne jemi shumë të sigurt se ky trend pozitiv do të vazhdoj edhe në periudhën vijuese.

RKL: Zotri Hamza cilat kanë qenë të arriturat konkrete në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave në vitin që lamë pas?

Bedri Hamza: Të arritura konkrete janë: hartimi i buxhetit 2008-2009, aprovimi në kohë, është korniza afatmesme e shpenzimeve dhe organizimi i Konferencës së Donatorëve që është një sukses politik dhe ekonomik për Kosovën, pastaj punimi i shumë ligjeve që e mbulojnë sferën ekonomike. Normalisht reformimi i politikave fiskale ka qenë një projekt shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe gjithashtu jemi në projekt e sipër edhe me zhvillimin e projektit për futjen e arkave fiskale në funksion të cilat kanë për qëllim edhe zvogëlimin e pjesëmarrësve të formalitetit në Kosovë, natyrisht edhe rritjen e të hyrave për buxhetin e Kosovës. Na presin mjaftë punë të rëndësishme por edhe mjaftë punë janë përfunduar me sukses në vitin e kaluar.

RKL: Keni aprovuar Ligjin mbi Financimin e Pushtetit Lokal, që përcakton në mënyrë të qartë të gjitha mënyrat se si financohet pushteti lokal dhe i cili reflekton Pakon e Ahtisarit dhe tashmë ka hyrë në fuqi të Kushtetuta e Kosovës. Sa ka gjetur zbatim ky plan?

Bedri Hamza: Dihet se ne si një vend i ri kemi marrë edhe obligime të caktuara, pjesë e obligimeve deri vonë edhe nga Pakoja e Ahtisarit ku një pjesë e ligjeve, rreth 40 ligje janë si rezultat i obligimeve që i kemi marrë një prej tyre është edhe ligji për menaxhimin e financave të pushtetit lokal , ky ligj është në funksion nga 15 qershori i viti 2008 dhe normalisht buxheti i vitit 2009 është hartuar në bazë të ligjit mbi financimin e pushtetit lokal. Ndryshim te ky ligj është se rritet pjesëmarrja e garantit të përgjithshëm ku komunat tash marrin pjesë në garantin e përgjithshëm me 10%, ngase më të kaluarën ka qenë 5%, dhe normalisht është bërë ngritja e këtij garanti qind për qind në raport me të kaluarën. Garanti i arsimit është garant i hapur gjithashtu edhe ai i shëndetësisë. Prandaj ligji mbi financimin e pushtetit lokal ka gjetur zbatim të plotë, ne jemi të obliguar ta zbatojmë atë dhe buxheti i vitit 2009 është punuar dhe është aprovuar në bazë të ligjit të ri mbi menaxhimin e financave lokale sa i përket nivelit komunal.

RKL: Çka mund të na flisni për Ligjin e Agjensionit të Privatizimin të Kosovës i cili është aprovuar nga Qeveria, si dhe Ligjin mbi Ndërmarrjet Publike ?

Bedri Hamza: Në të kaluarën Agjensioni Kosovar i Mirëbesimit ka qenë përgjegjës për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike. Ndërsa me ligjet e reja AKP-ja e merr përsipër dhe obligohet që ta kryej procesin dhe ta vazhdoj procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore ndërsa menaxhimi i ndërmarrjeve publike kalon në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, dhe AKP-ja, ka vazhduar procesin e privatizimit. Dihet se janë shpallur disa valë të privatizimit, ka vazhduar pagesën e 20% të punëtorëve dhe janë shpallur disa lista të disa ndërmarrjeve. Ne inkurajojmë dhe punojmë në atë drejtim që pagesa e 20%-it, për të gjithë punëtorët që ju takon në bazë të ligjit të ju bëhet pagesa se ato janë para që janë të garantuara me ligj, njerëzit kanë nevojë për ato mjete dhe ato do të ndihmojnë sigurisht në pozitën materiale por do të ndikojnë edhe në rritjen e kërkesave për konsum dhe në këtë mënyrë do të ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik. Gjithashtu te Ndërmarrjet Publike është krijuar njësia për menaxhimin e tyre janë zgjedhur bordet e ndërmarrjeve, disa prej tyre veç janë zyrtarizuar p.sh. kompanitë e Mëdha në këtë rast KEK-u dhe PTK-ja, ndërsa është kryer procedura e rekrutimit dhe janë dorëzuar listat në Qeveri ku janë aprovuar për të gjitha Ndërmarrjet Publike sepse dihet se Ndërmarrjet Publike qeverisen përmes bordeve profesionale dhe ato kanë kompetencë për menaxhimin e tyre. Këtë vit presim të hapen disa procedura dhe rreth mundësisë së futjes së kapitalit privat në këtë sektor është zgjedhur firma konsulente për Aeroportin e Prishtinës i cili do t”i jep rekomandimet e veta se si do të qeveriset ky Aeroport në të ardhmen, a do të jepet me koncesion do të jetë privat apo publik. Është një proces që po vazhdon dhe ne presim veprime konkrete nga fundi i këtij viti.

RKL: Tash kur bota po ballafaqohet me një ngritje globale të çmimeve në sfera të ndryshme e gjithsesi kjo po reflektohet edhe ne vendi tonë, cila është strategjia e ministrisë suaj për të kaluar këtë gjendje sidomos për shtresat më të goditura të shoqërisë sonë?

Bedri Hamza: Dihet që Kosova e them me keqardhje se është me ekonomi konsumuese në masë të madhe dhe normalisht importuese e në këtë rast inflacioni ka qenë i importuar nga vendet ku ne importojmë produkte të caktuara. Vitin e kaluar ka qenë karakteristikë që pjesa e parë e vitit ka qenë e përcjellur me ngritje bukur të lartë të çmimeve ku PIK-u i inflacioneve ka mbërri deri në 14%, mirëpo në tremujorin e katërt ka filluar trendi stabilizues i çmimeve dhe çmimet kanë pësuar një rënie sidomos kjo është vërejt te çmimet e derivateve, dhe te artikujt e tjerë, dhe normalisht në fund të vitit në bazë të dhënave zyrtare që i kemi për vitin e kaluar dihet se inflacioni ka rënë në 0.5% me tendencë që në këtë vit priten edhe efekte defilatore. Mirëpo një pjesë e konsiderueshme e vitit 2008 ka qenë e përcjell me inflacion të lartë, ne i kemi marrë masat me qëllim që t’i zvogëlojmë disa obligime për kompanitë,me qëllim që ato të mos reflektojnë në ngritjen e çmimeve. Në vitin 2009 do të kemi një stabilitet të çmimeve.

RKL: Z. Bedri Hamza, ju pritët përfaqësuesit e Administratave Tatimore të rajonit. Në këtë takim ishin përfaqësuesit nga Shqipëria, Turqia , Maqedonia dhe Bullgaria, çka u diskutua në atë takim?

Bedri Hamza: Po Administratat e cekura nga ju kanë qenë për vizitë në Kosovë, kemi pasur takime pune,kemi bërë shkëmbimin e përvojave pozitive. Është diskutuar që bashkërisht të merremi me luftimin e krimit të organizuar nëpër të gjitha vendet e regjionit sepse krimi nuk njeh kufij, nganjëherë i kalon edhe kufijtë e shtetit të caktuar . Ky ka qenë një rast i mirë që të gjithë të mësojmë nga njëri tjetri, dhe normalisht të sjellim edhe rekomandime se si duhet të përmirësohet puna e këtyre Administratave në të ardhmen .

RKL: Ju falemnderojmë për kohë që ndatë me ne

Bedri Hamza: Ishte kënaqësi për mua dhe nderë i imi të jem pjesë e emisionit në radion tuaj shumë të respektuar.

Intervista është realizuar më 4 mars 2009

 

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …