Jeton Syla: Intervistë me Ferid Frangun, drejtor i NSH “Banja e Kllokotit”

RKL: Është ky viti i dytë ku ju kryeni detyrën e drejtorit të NSH “Banja e Kllokotit” në Kllokot. Për çka mund të krenoheni për punën e deritashme të juaj dhe bashkëpunëtorëve Tuaj ?

Ferid Frangu: Në përgjithësi dihet se Ndërmarrjet Shoqërore gjinden në një pozitë të palakmueshme. Por, ne kemi arritur që ndërmarrjen tonë gjatë vitit 2008 ta udhëheqim me plot sukses.
Këto suksese shihen në atë se pacientë ka pasur më shumë, të hyrat janë shtuar krahasuar me vitin paraprak, derisa shpenzimet i kemi zvogëluar, kështu që afarizmi për vitin 2008 ka qenë pozitiv për ndërmarrjen tonë.

RKL: Banja e Kllokotit dihet për mbarë opinionin jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë se është shumë e njohur për cilësitë e saja shëruese duke iu falënderuar në rend të parë burimeve të shumta dhe të pashtjerrshme si të ujit termo-mineral ashtu edhe pelloidës (baltës) gjithashtu me veti të mëdha shëruese. Ka arritur t’i ruajtur këto cilësi kjo ndërmarrje dhe sa janë të kënaqur pacientët me kushtet që ju i ofroni sot?

Ferid Frangu: Pacientët në përgjithësi janë të kënaqur me kushtet që i shfrytëzojnë në banjën tonë, për shkak se vetit e ujit mineral, pastaj pelloidës dhe terapitë që kryhen aty si hidroterapia, termoterapia, kinezo terapia kryhen me sukses nga një staf profesionist mjekësor me përvojë 30-vjeçare. Kështu, nëse merret koha prej vitit 1981, atëherë sipas statistikave, mbi 200 mijë pacientë i kanë shfrytëzuar shërbimet tona dhe të gjithë, kuptohet kushtimisht me ndonjë përjashtim mund të them se janë ndarë të kënaqur.

RKL: Natyrisht se shërbimet kualitative që thoni se i ofroni i detyrojnë pacientët e shumtë që t’i përsërisin terapitë, pasi një dhjetë ditësh sigurisht se nuk mjafton për shërim të plotë? A mund të thuhet se shumë nga vizitorët janë të njëjtit?

Ferid Frangu: Shumica e pacientëve e përsërisin terapinë për çdo vit. Pacientët janë deklaruar tashmë. Nëse nuk vijnë në Banjën e Kllokotit dimrin e kanë më të vështirë, dhe do ta kenë shumë më të butë nëse e kalojnë një dhjetë ditësh.
Përndryshe sëmundjet reumatike dihet se plotësisht nuk mund të shërohen por lehtësohen, do të thotë kualiteti i jetës është më i mirë dhe vazhdimisht duhet përsëritur. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka pacientë të ri të Kosovës por edhe jashtë si nga Maqedonia, Shqipëria etj.

RKL: Folët pak më parë për disa nga shërbimet që i ofron kjo Qendër Rehabilituese Shëruese. Për çka konkretisht dallohet do të thotë në cilat sëmundje konkretisht vërehen rezultatet e shërimit të pacientëve që vizitojnë këtë qendër, pasi thatë keni një staf profesionist me përvojë të gjatë pune?

Ferid Frangu: Uji mineral shumë kualitativ për shërim, stafi mjekësor me përvojë 30-vjeçare, Pelloida apo balta dhe përvoja e gjithë punëtorëve janë bazë e këtij suksesi të kësaj ndërmarrje, ndërsa saktësisht nuk mund të them se në cilat sëmundje është efektive, por në përgjithësi është mjaft e shëndetshme për organizmin e njeriut, ndërsa rezultatet mund të vërehen tek sëmundjet reumatike, kardiovaskulare, post-traumatike e disa të tjera. Në anën tjetër edhe objekti është jashtëzakonisht i mirë, krahasohet me objektet që janë edhe në Evropë. Përndryshe kemi në plan edhe renovimin e tij, pasi kanë kaluar 30 vite nga ndërtimi i tij.
Kemi bërë një projekt ideor që kushton 5.3 milion euro dhe nëse arrimë t’i marrim ato mjete, Banja e Kllokotit do të jetë me standarde evropiane dhe infrastrukturë moderne.

RKL: Pra këto janë planet e juaja që mendoni ti realizoni në një të ardhme të afërt që objekti të ketë një infrastrukturë të re moderne me standarde evropiane dhe sigurisht me zgjerim të kapaciteteve?

Ferid Frangu: Projekti ideor ka kaluar në Kuvendin e Komunës në Viti dhe është me prioritet numër dy prej 80 projekteve dhe unë personalisht besoj se do ta kemi përkrahjen por edhe mirëkuptimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës.
Kapaciteti vetëm me basene të hapura do të jetë i rritur, përndryshe objekti si objekt do të rinovohet dhe do të duket krejtësisht i ri.

RKL: Kjo Ndërmarrje paslufte ka ofruar shërbime falas për shumë kategori të prekura gjatë luftës së fundit në Kosovë, si invalidët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve, të personave me aftësi të kufizuara, pensionerët dhe shtresa tjera. Si trajtohen sot këto kategori nga stafi drejtues?

Ferid Frangu: Menjëherë pas luftës shërbimi ka qenë falas siç thoni ju për shumë kategori, pasi nuk ka pasur përkujdesje institucionale.
Me ndërtimin e institucioneve shtetërore ne sot për këto kategori bëjmë zbritjen çmimit. Kështu për pacientët e rregullt, terapia ditore është 20 euro që përfshijnë ushqimin dhe fjetjen, kurse për të gjitha kategoritë tjera çmimi është 15 euro.

RKL: Dihet se në ndërmarrjen e juaj ku ju kryeni detyrën me sukses numri i punëtorëve është rreth 150. Është i domosdoshëm ky numër apo ka tepricë?

Ferid Frangu: Drejtën me jua thanë kemi tepricë teknologjike, ndoshta 30% të punëtorëve janë tepricë teknologjike, por nuk kemi mundur të bëjmë ndonjë hap në këtë drejtim.
Të gjithë punojnë dhe natyrisht se e rëndojnë situatën financiare, por thashë më herët bilanci afarist ka bërë që ne madje të paguajmë edhe tatimin në fitim që rrallë ndodhë me ndërmarrjet shoqërore. Pra është shumë e ndjeshme që në kë të krizë tashmë globale të bëjmë hapa radikal që të mendojmë për zvogëlimin e numrit të punëtorëve, por ne do të bëjmë përpjekje që kjo të mos reflektohet tek pacientët.

RKL: Pasi folët rreth planeve për investime kapitale, thatë në Komunën e Vitisë projekti ideor i juaji është si i dyti megjithatë a keni arritur gjatë këtij dhjetëvjeçari të funksionimit të kësaj ndërmarrje të investoni në përmirësimin e kushteve për pacientët, pasi thatë edhe ju se keni afarizëm pozitiv?

Ferid Frangu: Në përgjithësi kemi bërë investime jokapitale. Vitin e fundit kemi bërë ndërrimin komplet të pajisjeve të kuzhinës të prodhuesve slloven të cilat ishin në përdorim nga viti 1981, pastaj investuam në restorant, në “Snake Bar”, në meremetimin e pjesës së jashtme me fasadë, kemi futur vaskat e reja, bëmë renovimin e dhomave dhe është bërë mirëmbajtja e parkut në hapësirë prej 10 hektarëve që e shfrytëzojnë shumë mirë pacientët, park ky që iu lehtëson pushimin dhe shërimin.
Në përgjithësi mendoj se vitin e fundit janë investuar afro 100 mijë euro dhe për këtë kushtet në krahasim me vitin e kaluar janë shumë më të mira. Përkundër këtyre investimeve ne bilancin prapë e kemi pozitiv.

RKL: Drejtor, çka mendoni të ju premtoni pacientëve të ardhshëm, apo cila kishte me qenë porosia e juaj për ata në këtë fillim pranvere. A mund t’i ftoni me plot përgjegjësi se infrastruktura në Banjën e Kllokotit është e kënaqshme, pasi dhomat sigurisht duken ma ndryshe, cilësia e ushqimit është gjithashtu në nivel dhe parku po ashtu i rregulluar. A janë këto elemente të mjaftueshme që vizitor të keni edhe më shumë se vitin e kaluar, përkundër se këtu shumë afër jush është i ngritur një institucion tjetër privat shëndetësor me infrastrukturë të paktën si duket në spotet publicitare tejet moderne, që mund të fitoi besimin më të madh të pacientëve të ardhshëm?

Ferid Frangu: Unë besoj dhe duhet ta themi realitetin pasi shumica e pacientëve e dinë edhe objektin edhe parkun tonë edhe gjasat për shërimin e tyre. Besoj se të gjithë ata që do të vijnë në Banjën e Kllokotit nuk do të zhgënjehen për shkak të terapive që kryhen këtu, ujit termo mineral, stafit mjekësor edhe parkut që thashë më parë. Pra iu preferoi të gjithë ta shfrytëzojnë sepse është në të mirën e tyre në të mirën e shëndetit të tyre por sigurisht edhe në të mirën e ndërmarrjes tonë.

RKL: Dhe krejt në fund, cili do të jetë fati i kësaj ndërmarrje, pasi dihet u cekë edhe në fillim se të rralla janë ato NSH që kanë arritur të mbijetojnë konkurrencën me sektorin privat. Çfarë do të jetë statusi i Banjës dhe sigurisht se mbani kontakte me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Do të vazhdoni kështu me këtë status shoqëror apo pritet që në të ardhmen edhe kjo ndërmarrje të kaloi në sektorin privat, varësisht prej rrethanave që do të krijohen?

Ferid Frangu: Ka pasur në lojë disa variante. Derisa funksiononte AKM-ja në plan ka qenë privatizimi i Banjës. Njoftimet që i kemi nga AKP-ja, nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, unë besoj se kjo ndërmarrje do të futet nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të jetë e të gjithëve dhe kuptohet nuk do të privatizohet, sepse raste të ngjashme kemi edhe në rajon si p.sh. në Slloveni, ku banjat më të njohura kanë mbetur në pronësi të shtetit dhe funksionojnë me shumë sukses. Ky sukses tash për tash e ka përcjell edhe Ndërmarrjen tonë.

RKL: Ju falënderojmë për kohën e ndarë dhe ju dëshirojmë punë të suksesshme?

Ferid Frangu: Gjithashtu ju jemi mirënjohës për interesimin tuaj që opinioni nëpërmjet kësaj interviste të ketë më tepër njohuri për aktivitetin dhe më të rejat në NSH “Banja e Kllokotit” në Kllokot

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …