Jeton Syla: Intervistë me kryetarin e Komunës së Vitisë, z. Nexhmedin Arifi

RKL: Zotëri kryetar, fillimisht me cilat të arritura konkrete mund të krenoheni për kohën sa jeni i pari i komunës së Vitisë?

Nexhmedin Arifi: Gjatë vitit 2008 mund të themi se kemi pasur përparime në krijimin e hapësirave shkollore, në këtë aspekt është ndërtuar shkolla në Radivojc, në fshat të ri, ndërsa në Viti është duke u rregulluar, shkolla që ka qenë me projekt dyvjeçar, ndërsa me 1 shtator të këtij viti do të jetë në funksion. Në mungesë të hapësirave kishte pengesë në zhvillimin normal të procesit mësimor, besojmë që tash e tutje do të krijohen hapësira të mjaftueshme për mësim në komunën tonë.
Në infrastrukturën rrugore kemi pasur disa të arritura. Kemi ndërtuar asfaltin në rrugën Zhiti – Ballancë – Sllatinë e Epërme, janë në përfundim e sipër rrugët edhe në disa fshatra tjera me kanalizime dhe ujësjellës, kështu që mendoj se megjithatë se mund të krenohemi për punën e deritashme. Unë mendoj se në të gjitha aspektet kemi pasur përparime në pikëpamje të shërbimeve të qytetarëve besoj se gjendja është shumë më e përparuar se që ka qenë më herët, por ka nevojë ende të bëhen ndryshime.
Në shëndetësi kemi pasur përparime, ambulanca jonë vazhdimisht ka pasur probleme me furnizim të rregullt me energji elektrike, dhe pasi kemi bërë lidhjen e re me një ndërmarrje që vazhdimisht ka rrymë dhe gjendet në kategorinë A, tashmë ai problem i takon të kaluarës.
Në sektorin e arsimit janë bërë përparime të mëdha. Është bërë thurja e objekteve të shkollave, kemi rregulluar infrastrukturën brenda nëpër shkolla, është vendosur disiplina, është vendosur rendi dhe rregulli dhe të gjitha besoj se janë më të avancuara se që ishin gjatë mandatave të kaluara.

RKL: Nga 15 qershori i vitit të kaluar është aprovuar edhe ligji mbi financimin e pushtetit lokal. Në këtë drejtim grandet nga Qeveria janë rritur për 100%, pra nga 5% sa kanë qenë vitin e kaluar, tash ato janë 10%. Sa mund të ndikojë kjo në buxhetin komunal të komunave, në këtë rast të Vitisë?

Nexhmedin Arifi: Mund të iu them se përgjithësisht nga Qeveria e Kosovës është duke u bërë decentralizimi. Në këtë aspekt është bërë edhe kjo që po cekni ju. Për investime kapitale në komunën tonë janë lejuar nga qeveria e Kosovës rreth 1.2 milion euro që pritet të konkretizohen disa punë me prioritete të caktuara gjatë këtij viti në komunën tonë.

RKL: Për cilat prioritete konkrete bëhet fjalë?

Nexhmedin Arifi: Prioritet për ne është çështja e rrugës kryesore në qytet.
Kur të kryhen përfundimet do të kemi një rrugë moderne me trotuare bashkëkohore, rrjeti elektrik në qendrën e qytetit do të jetë nëntokësor, do të bëhet ndriçimi i qytetit ndryshe se çfarë është sot, do të rregullohet rruga e dytë në anën e kundërt me Shtëpinë e Kulturës, ku do të bëjmë edhe rregullimin e kanalizimit dhe shtratit të lumit që kalon aty pari.
Pra i kemi dhënë rëndësi shumë më të madhe për këtë vit qendrës së qytetit, për arsye se në vitin e parë të mandatit tim investimet më tepër kanë qenë të fokusuara nëpër periferi, ndërsa deri në fund të këtij viti jemi zotuar se qytetit tonë t’ia ndryshojmë pamjen që e ka të njëjtë sikur para 50 viteve.

RKL: Kryetar, cilat janë potencialet e mjaftueshme të Komunës së Vitisë për një zhvillim më të avancuar ekonomik dhe në cilët sektor do t’i kushtoni më tepër vëmendje?

Nexhmedin Arifi: Potenciali i komunës natyrisht se është i vogël. Megjithatë do të shtoja se të hyrat vetanake në komunën tonë krahasuar me vitet e kaluara janë shumë më të mëdha, mirëpo kërkesat e qytetarëve por edhe të komunës gjithashtu janë rritur, do të thotë është vështirë të përputhen dëshirat edhe mundësit me nevojat e qytetarëve. Mirëpo ne po bëjmë përpjekje maksimale që ato mjete që i kemi në dispozicion dhe që i vjelim nga taksat e qytetarëve t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme që qytetari t’i prek, t’i shijoj dhe të jetoj me to.

RKL: Do t’iu kthehemi dy sektorëve shumë të rëndësishëm siç janë Arsimi dhe Shëndetësia.. Në përgjigjen tuaj në pyetjen e parë sipërfaqësisht i cekët të arriturat në këta dy sektor. Çka do të shtonit në veçanti si të arritura të vitit paraprak në Arsim dhe Shëndetësi në Komunën Tuaj!

Nexhmedin Arifi: Po! Këta janë një nga dy sektorët më të rëndësishëm E dini se nga shëndetësia varet vetë shëndeti i qytetarëve.
Kemi bërë disa investime në pajisje të ndryshme mjekësore që qytetarët tanë të mos detyrohen të shkojnë në Gjilan apo Ferizaj për analiza të tjera. Kjo do të thotë se të gjitha këto shërbime të themi elementare tashmë kryhen në Qendrën Familjare në Viti.
Sa i përket çështjes së arsimit nuk do të shtoja shumë, por vetëm do t’i ftoja kamerat e TV-ve nacionale, dhe fotografitë do të flisnin vetë. Bëhet fjalë për Kompleksin e Shkollës së Mesme ku po bëhet një ndryshim shumë i madh për të mirën e qytetareve dhe për të mirën e nxënësve dhe personelit arsimor. Mund t’iu them se në këtë kohë është krijuar një rend dhe një disiplinë që besoj se do t’ia kanë lakmi të gjitha qendrat tjera kosovare këtij objekti madhështor në Viti.
Mund të ju them se mungesat e profesorëve dhe arsimtareve janë reduktuar në atë masë sa që është një gjë shumë pozitive për zhvillimin e procesit dhe mos humbjen e orëve për nxënësit tanë, të cilët besojmë që në të ardhmen do të jenë kuadro kryesore për zhvillimin ekonomik dhe duhet që një herë e përgjithmonë të orientohemi se mësimi të zhvillohet në atë formë që të kemi kuadro në mënyrë që në të ardhmen të përputhen me norma dhe standarde evropiane për një zhvillim ekonomik të vendit tonë.

RKL: Gjithashtu dihet se komunat pranuan që nga buxhetet e tyre edhe ashtu të varfra (përjashto disa) pas asaj greve disaditëshe të Sindikatës së Shëndetësisë që t’i paguajnë benificionet e tre muajve të fundit nga viti i kaluar. A do t’ia dalë komuna e Vitisë që t’i kryej këto obligime për “mantel bardhët” ?

Nexhmedin Arifi: Me vështirësi shumë të mëdha mirëpo do t’i gjejmë mundësitë. Ndërsa në këtë aspekt kam autorizuar Drejtorinë e Ekonomisë dhe Financave që të gjejë format më të mira të mundshme që të paguhet vlera e 44 eurove për muaj për tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

RKL: Sa jeni i kënaqur me punën e deritashme të drejtorëve të drejtorive të caktuara që funksionojnë në komunën e Vitisë?

Nexhmedin Arifi: Në përgjithësi me ekipin tim jam deri diku i kënaqur, ka pengesa, ka vështirësi, për arsye se ishin fillestar në këto detyra me rëndësi, por megjithatë tashmë janë konsoliduar dhe kanë kuptuar rrolin dhe rëndësinë e funksioneve që i ushtrojnë. Ne kemi në proces të ngritjes së kapaciteteve dhe në proces të afrimit sa më të mirë të shërbimeve për qytetarët.

RKL: Dihet se kjo është hera e parë pas lufte që PDK-ja ka kandidatin e vet kryetar të komunës së Vitisë. Meqenëse ka më tepër se një vit që kryeni detyrën e kryetarit, sa mendoni se qytetarët janë të kënaqur me punën tuaj dhe të ekipit që keni zgjedhur Ju?

Nexhmedin Arifi: Po! Qytetarët tanë i dinë mundësitë tona dhe të komunës tonë, dhe unë besoj se ata me angazhimin tonë me seriozitetin që e kanë parë në punë dhe në terren, besojmë që Partia Demokratike e Kosovës do të jetë forca e parë në Viti, por edhe në shumë komunat tjera të Kosovës. Unë vetëm do të shtoja se gjatë kësaj periudhe qytetarët sigurisht se duhet të krenohen edhe me angazhimet tona rreth çështjes së uzurpimeve një dukuri kjo shumë e pranishme jo vetëm në Viti, por edhe më gjerë, por me këmbëngulësin tonë kemi arritur sadopak rezultatet në këtë drejtim.

RKL: Sa është opozita aktive në punën e asamblesë komunale?

Nexhmedin Arifi: Opozita në komunën tonë kryen rrolin e vetë, mirëpo unë personalisht nuk jam shumë i kënaqur me aktivitetet e tyre, për arsye se më shumë merren me thashë e thëna se sa me punë konkrete.
Kam pritur më tepër aktivitet prej tyre si në korrigjimin e gabimeve të pozitës. Mirëpo, ata kanë vendosur që të merren më tepër me çështje sekondare.
Unë personalisht i kisha lutur ata edhe nëpërmjet valëve të radios Kosova e Lirë që t’iu kthehen obligimeve dhe punëve dhe të mos merren me çështje tepër sekondare, dhe t’i luftojnë dukuritë negative, duke përfshirë edhe uzurpimet dhe të gjitha të këqijat që mund t’i ndodhin komunës tonë, natyrisht bashkë me pozitën.
Do të ndiheshim shumë më të lumtur nëse opozita na korrigjon në ndonjë gabim. Jemi shumë të lumtur nëse nga ata do të vinin propozime konkrete për ndonjë projekt, por deri më tash kjo nuk ka ndodhur.

RKL: Siç e përshkruat punën e deritashme të Opozitës kjo do të thotë se jeni tepër optimist se do të vazhdoni me mandatin e dytë, ju personalisht nëse kandidoheni apo ndonjë anëtarë tjetër i PDK-së, pasi dihet se zgjedhjet lokale janë paraparë të mbahen këtë fund vit!

Nexhmedin Arifi: Unë besoj se PDK-ja gjithsesi do të ketë kandidatin e vetë kryetar të Komunës edhe në mandatin e dytë, kurse për emrin e kryetarit këto janë çështje të Kryesisë qendrore në koordinim me degën e PDK-së në Viti.

RKL: Pra nuk është më rëndësi emri i kandidatit sepse cili do që të jetë ai, ju do t’i fitoni zgjedhjet ?

Nexhmedin Arifi: Po! Edhe njëherë po e përsërisë se kandidati ynë do t’i fitojë zgjedhjet, ndërsa më herët i ceka edhe arsyet e shumta pse qytetarët duhet t’i besojnë kandidatit të PDK-së.

RKL: Kryetari Arifi, ne ju falënderojmë për kohën që ndatë në realizmin e kësaj interviste. Krejt në fund cila do të ishte porosia e juaj për qytetarët e komunës Tuaj!

Nexhmedin Arifi: Gjithashtu edhe unë shfrytëzoj rastin që t’iu falënderoj për interesimin e radios për t’u njohur më për së afërmi me aktivitetet e stafit udhëheqës të Komunës së Vitisë.
Ndërsa sa i përket porosisë për qytetarët tanë unë vetëm do t’i ftoja ata që të jenë shumë më aktiv për të përcjellë punën e qeverisë komunale edhe pse mund të them se nuk ka munguar shumë interesimi i tyre Unë vetë personalisht kam pasur takime të shumta ku kam realizuar biseda me banorët e mbi 20 fshatrave të komunës tonë ku kemi diskutuar për të gjitha brengat e tyre, të gjitha shqetësimet e tyre dhe prioritetet e tyre. Bashkërisht me ata i kemi ranguar sipas rëndësisë dhe po punojmë në atë drejtim për të realizuar projektet e mundshme që natyrisht janë në favorin e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …