Intervistë me kryetarin e Komunës së Skenderajit, Sami Lushtaku

 RKL: Mirë se vini në valët e Radios ‘Kosova e Lirë’, z. Lushtaku!

Lushtaku: Për mua është një kënaqësi e veçantë që jam mysafir i Radios suaj. Në fakt, kjo radio m’i zgjon emocionet e mia për shkak se edhe gjatë luftës kam qenë i intervistuar nga gazetarët e kësaj radioje. Gjej rastin t’i përshëndes te gjitha familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së që kanë kontribuar që të jemi pjesë e institucioneve tona. Prandaj i falënderoj të gjitha ata burra dhe gra, të cilët kanë dhënë një kontribut të vërtetë për vendin tonë. Unë jam njëri nga ata, që qoftë gjatë kohës sa jam në shtëpi, qoftë gjatë kohës sa udhëtoj, e dëgjoj me ëndje ‘Radion ‘Kosova e Lirë’.

RKL: Zoti kryetar, Skenderaj për ditë e më tepër po merr pamjen e një qyteti të vërtetë, ndërkohë që pas luftës doli i shkatërruar, i djegur dhe i dëmtuar shumë rëndë…

Lushtaku: Të gjithë qytetarët e dinë se jo vetëm në Skenderaj por edhe në Drenicë nuk është investuar, ose është investuar më së paku. Politikat e Jugosllavisë dhe më pas edhe ato të Serbisë gjithmonë e kanë pasur Drenicën poligon për gjuajtje të njerëzve, burgosje e maltretime. Mendoj se është hera e parë që Drenica merr nga Qeveria e Kosovës investime. Unë konsideroj se të gjithë qytetarët janë falënderuar ndaj punës që është duke u bërë në vend. Ne kemi punuar ndoshta më shumë se komunat e tjera. Në fakt, ne vetëm jemi duke u barazuar me komunat e tjera. Këto komuna kanë pasur edhe më herët infrastrukturë më të mirë, shkolla e rrjet të kanalizimeve, Skënderaj nuk i ka pasur ato. Është hera e parë që thuajse të gjitha fshatrat janë pajisur me infrastrukturë rrugore si dhe në të gjitha bashkësitë lokale ka shkolla të reja. Tani kemi filluar edhe me shtrirjen e rrjetit të ujit dhe kanalizimeve.  Megjithatë, ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë punën tonë si deri më tani.

 RKL: Cilat janë disa nga projektet më të rëndësishme që keni arritur t’i realizoni gjatë mandatit tuaj?

Lushtaku: Pothuajse të gjitha projektet janë të rëndësishme. Megjithatë, infrastruktura rrugore është më e rëndësishme sepse atë s’e kemi pasur asnjëherë. Fjalën e parë e kanë vetë qytetarët sepse ne konsiderojmë që pasqyra më e mirë janë ata. Pikërisht qytetarët janë ata e bëjnë vlerësimin më të mirë për punën që e bëjmë si komunë.

RKL: Cila janë përparimet që keni shënuar në infrastrukturë, energjetikë dhe furnizim me ujë të pijshëm?

Lushtaku: Po thuajse 80% e fshatrave të komunës së Skenderajt janë të pajisura me rrjet elektrik dhe shtylla të betonit. Deri më tani rrjeti i energjisë ka qenë jo i mirë, duke rrezikuar madje edhe jetën e qytetarëve. Problemi i ujit ekziston ende. Janë disa fshatra që janë në rrjetin e ujësjellësit, kurse një pjesë e madhe e fshatrave është ende pa ujë sepse ka mungesë të ujit në komunën tonë. Madje, qyteti i Skenderajt  konsiderohet si vendi më i thatë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Prandaj, unë e kam bërë një projekt ideor për pendën e qytetit, e cila do të zgjidhte problemin jo vetëm të komunës së Skenderajit por edhe asaj të Drenasit.

 RKL: Kur parashihet realizimi i këtij projekti?

Lushtaku: Për ne është e rëndësishme që ky projekt të fillojë, duke pasur parasysh që është projekt kapital dhe i kushtueshëm. Për mua dhe qytetarët e Skenderajit do të ishte me rëndësi që të fillojë sa më parë  ky projekt. Besoj që brenda vitit 2013 do të fillojë.

 RKL: Do të ketë ndonjë donacion për këtë projekt?

Lushtaku: Qeveria do të participojë më shumë, por edhe komuna. Jemi në kërkim e sipër të ndonjë donacioni nga ndonjë organizatë e huaj.

RKL: Deri ku keni arritur në realizimin e projektit për banim, dedikuar familjeve të dëshmorëve, duke marrë parasysh edhe faktin që komuna e Skenderajit ka rreth dyqind e më shumë dëshmorë?

Lushtaku: Janë gjithsejt 208 familje të dëshmorëve. Ne tanimë kemi filluar një projekt për të gjitha familjet e dëshmorëve. Konsideroj se deri më tani është kryer rreth 80% e objekteve. Besoj që krejt këto objekte që janë në ndërtim e sipër të përfundohen brenda dy viteve.

RKL: Përveç kësaj ndihmese, fëmijët e dëshmorëve a gëzojnë ndonjë bursë nga komuna juaj?

Lushtaku: Prioritet kanë më së shumti fëmijët e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës kur konkurrojnë për marrjen e bursave…

 RKL: Si po funksionon Shkolla e kompetencës në komunën tuaj?

Lushtaku: Ky projekt është financuar nga shteti norvegjez dhe Qeveria e Kosovës. Stafi i saj është kompletuar. Vitin e kaluar ka pasur vështirësi për shkak të mungesës së informacionit. Konsideroj se ne si Kuvend Komunal dhe Drejtoria e Arsimit kemi për obligim që t’i informojmë më shumë qytetarët, sepse kjo shkollë është e vetmja e llojit të saj në rajon…

30 gusht 2012

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …