leoni

Intervistë me kryetarin e komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku

RKL:Mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë

Sami Lushtaku: E përshëndes gjithë stafin e juaj, për mua është një kënaqësi e veçantë që pas kaq viteve të jem sërish në valët e Radios-Kosova e lirë.
RKL: Z. Lushtaku, komuna e Skënderajt ashtu sikur edhe e tërë Drenica doli e djegur dhe e shkatërruar nga lufta. Cila është gjendja e përgjithshme tani, 10 vjet pas luftës?

Sami Lushtaku: Komuna e Skënderajt dhe përgjithësisht Drenica pas lufte ka dalë po thuajse tërësisht e shkatërruar. Sipas analizave që janë bërë dhe në shkrimet që unë i disponoj, komuna e Skënderajt ka qenë e shkatërruar 98% në tërë infrastrukturën e shtëpive, shkollave objekteve fetare, dhe realisht edhe tash gjendja në komunën e Skenderajt është tepër e rëndë sidomos në aspektin ekonomik social. Ne ende kemi shumë familje që edhe sot e kësaj dite janë të pa strehë, një pjesë e tyre jetojnë në gjendje shumë të rëndë, disa jetojnë nëpër tenda e objekte të improvizuara. Ne po bëjmë përpjekje dhe me ndihmën e të gjithëve kemi marrë hapat e parë. Jemi duke punuar në këtë drejtim, por është e pamundur që për një afat të shkurtë kohor t’i zgjidhim të gjitha problemet.

RKL: Cilat projekte më të rëndësishme keni arritur t”i realizoni gjatë mandatit Tuaj?

Sami Lushtaku: Nuk do të dëshiroja të flisja për të gjitha projektet të cilat janë realizuar nga qeveria e komunale Skënderajt, prej kur kam filluar punën në krye të komunës, por unë dëshiroj që për projektet e realizuara të flasin qytetaret. Është bërë traditë për ne, që jemi në komunë, të flasim dhe të krenohemi se kemi bërë shumë, me gjithë atë unë nuk e kam këtë ide. Sado që ne kemi punuar dhe jemi angazhuar që të na vijnë më shumë projekte në komunën tonë, unë nuk jam shumë i kënaqur shumë në këtë aspekt.

RKL:Pavarësisht nga të arriturat, Drenica edhe më tej vazhdon të ballafaqohet me mungesë të rrymës, infrastrukturë të dobët rrugore, papunësi të shprehur. Çka keni planifikuar të bëni në këtë drejtim dhe a kanë mundësi komunat e kësaj ane, pa ndihmën e Qeverisë të ndërmarrin masa për tejkalimin e kësaj gjendjeje?

Sami Lushtaku: Mendoj që kjo Qeveri, pa dashur të ekzagjeroj, meqë unë jam pjesë e kësaj qeverie, jam po ashtu në partinë e cila udhëhiqet nga zotëri, Hashim Thaqi, kjo Qeveri është angazhuar në rajonin e Drenicës, mbase pak më tepër se qeveritë e kaluara, edhe pse jo në nivelin e duhur. Ne kemi akoma shumë kërkesa dhe ato deri tani nuk janë realizuar, mirëpo shpresojmë që jemi në rrugë për realizimin e tyre si dhe rregullimin e shumë objekteve të tjera, që do të realizohen në të ardhmen. Dihet se rajoni i Drenicës edhe me fushën e energjisë qëndron keq. Në këtë drejtim kemi filluar që të zgjidhin disa probleme me të cilat jemi ballafaquar një kohë të gjatë. Problemi kryesor i banorëve të kësaj ane ka qenë mungesa e infrastrukturës rrugore në komunën e Skenderajt. Gjatë 60 viteve të kaluara, as një qeveri e Kosovës dhe as qeveria okupatore e Serbisë, nuk kanë bërë asgjë në ndërtimin e rrugëve. Qeveria e tashme ka dhënë shembuj pozitivë, meqë ka filluar të ndryshohet për të mirë e tërë infrastruktura rrugore. Mirëpo komuna jonë përballet sidomos me problemin e ujit, meqë kjo është njëra ndër komunat më të thata, sa i përket mungesës së sasisë të ujit në Kosovë, por edhe në rajon. Ne po bëjmë përpjekje që këtë problem ta zgjidhim jo vetëm për komunën tonë, por për mbarë Drenicën.

RKL: Z. Kryetar, çfarë keni ndërmarrë në trajtimin e familjeve të dëshmorëve të martirëve, invalidëve e veteranëve të luftës, kur dihet se kjo është zona më e shkatërruar nga lufta, e cila ka pësuar më shumë se çdo pjesë tjetër e Kosovës?

Sami Lushtaku: Në komunën e Skënderajt ka shumë probleme të kësaj natyre. Problemi më i rëndë për mua janë familjet e dëshmorëve invalidët e veteranët e luftës sepse edhe vetë jam pjesë e tyre. Në këtë drejtim edhe pse është punuar, mendoj se nuk kemi bërë sa duhet. Në këtë vit do të fillojmë një projekt, që është projekt mjaft i kushtueshëm, vlera e të cilit sillet rreth 8 milion euro. Objektin e parë, në kuadër të fillimit të realizimit të këtij projekti do ta nisim së shpejti. Në këtë objekt do të vendosën disa nga familjet e dëshmorëve dhe një pjesë e invalidëve të luftës. Këto kategori sociale marrin një pagë jo të mirë, e cila mund të trajtohet si një lloj ndihme sociale e jo zgjidhje e problemeve të familjes, sepse me 230 euro që marrin ato familje me shumë anëtarë nuk arrijnë të arsimohen e të shkollohen ashtu si duhet. Ne, çdo vit ndajmë bursa për fëmijët e dëshmorëve por megjithatë bursat janë shumë të vogla në krahasim me kërkesat që i kanë familjet e dëshmorëve.
Ndarja e shumës prej 8 milion eurove për destinime të tilla, do të bëhet kryesisht nga kuvendi komunal. Unë do kërkoj nga Qeveria po edhe nga shoqatat e ndryshme për të na ndihmuar në realizimin e këtij projekti dhe besoj se do të gjejë mbështetje. Për mua, ky projekt është shumë i rëndësishëm, dhe për këtë po angazhohemi në komunën e Skenderajt.

RKL: faleminderit për kohën që na keni kushtuar, ne në emër të drejtorisë dhe të stafit të Radios ju dëshirojmë suksese të mëtejme dhe punë të mbarë

Sami Lushtaku: Edhe unë e falënderoj radion Kosova e Lirë sepse jam shpirtërisht i lidhur me këtë Radio, e cila gjatë kohës së luftës na ka dhenë shpirt e zemër. Radio Kosova e Lirë ka qenë burim informimi, por edhe frymëzimi për forcat liridashëse, andaj edhe e shfrytëzoj rastin ta përshëndes posaçërisht drejtorin, stafin dhe dëgjuesit e respektueshëm të Radios Kosova e Lirë.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …