Intervistë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi

RKL: Zotëri Krasniqi keni qëndruar për një vizitë javore në Amerikë, keni biseduar me shumë personalitete të larta të këtij vendi, cila është përshtypja e juaj e përgjithshme nga kjo vizitë?

Krasniqi: Përshtypja ime është se SHBA-të vazhdojnë të jenë një mbështetës i fuqishëm politik i të gjitha proceseve në Kosovë, këtë e kanë dëshmuar si presidenti i kaluar Klinton edhe presidenti i tashëm Xhorxh Bush. Sipas të gjitha gjasave politika e SHBA-së ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë pa marrë para sysh ndërrimet që mund të bëhen në kreun e shtetit dhe mendoj se SHBA-të do të ndihmojnë edhe financiarisht. Ato vazhdojnë të jenë donatori kryesor i investimeve në Kosovë, dhe në këto dy rrafshe. Mendoj se Kosova do ta ketë mbështetjen e saj. Edhe një çështje që mendoj se ia vlen të thuhet edhe për dëgjuesit e radios Kosova e Lirë, në ligjëratat që u mbajtën në Denver të SHBA-së u fol për shumë probleme globale të reja dhe të vjetra, megjithatë Kosova si problem nuk u trajtua. Kjo do të thotë se ata ishin të bindur se çështja e Kosovës është zgjidhur mirë. Në një takim me ish ministrin e punëve të jashtme të Gjermanisë Joshka Fisher në një takim të shkurtër gjatë një kokteji ai tha se çështja e Kosovës është kryer dhe e keni kryer mire. Mendoj se çështja e Kosovës ka hyrë në një rrugë që nuk ka më kthim.

RKL: Gjatë vizitës në SHBA jeni pritur edhe nga zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit Stjuart Xhons me të cilin keni biseduar lidhur me situatën politike dhe ekonomike të vendit, a mund të na thoni diçka më shumë lidhur me këtë takim?

Krasniqi: Stjuart Xhons ka zëvendësuar zonjën, Rozmari Di Karlo që ka qenë shumë e angazhuar për procesin për Kosovën. Zonja Di Karlo ka marrë një pozicion të ri në një ambasadë, ajo është bërë ndihmës- ambasadore e z.Khalilzad që njihet për qëndrimet e tij të favorshme për proceset në Kosovë. Ne e njoftuam me qëndrimet që kanë ndodhur në Kosovë, realisht vazhdon edhe politika e mëparshme edhe e z. Stjuart Xhons, i cili vazhdon ta mbështes politikën aktuale në Kosovë në të gjitha proceset.

RKL: Ka qëndruar në Kosovë edhe diplomati amerikan Riçard Hollbruk me të cilin po ashtu jeni takuar, kohë më parë ka qëndruar në Kosovë edhe sekretarja e shtetit zonja Ollbrajt a do të thotë kjo se po intensifikohet edhe më shumë lidhja e Kosovës me Uashingtonin?

Krasniqi: Mendoj se e rëndësishme është se këta janë tani demokratët dhe demokratët janë në opozitë, kjo tregon se ata i kanë mbështetur proceset në Kosovë dhe tani janë intensifikuar kontaktet qe edhe i kemi pasur dhe vazhdojmë t’i kemi ende po tregon se politika e SHBA-së në raport me Kosovën nuk po ndryshon. Kishim mbështetje nga Partia Republikane që ishte në pushtet, por e njëjta mbështetje e fuqishme është edhe nga Partia Demokratike. Këto ditë u prononcua edhe kandidati për president se do të vazhdoj njohjen dhe ndihmën për Kosovën.

RKL: Si e interpretoni konstatimin e zotriut Hollbruk i cili porositi që të mos përqendrohemi vetëm në numrin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtetet e botës pasi që sipas tij është çështje me prioritet që Kosova të zhvillohet ekonomikisht?

Krasniqi: Mendoj se edhe në aspektin politik ka zëra që shqetësohen në Kosovë lidhur me numrin e vendeve që po e njohin Kosovën, natyrisht që edhe numrat në të shumtën e rasteve e kanë rëndësinë e vet. Hollbruk tha në një aspekt se Kosovën e kanë njohur SHBA-të, Kosovën e kanë njohur tri të katërtat e BE-së, pastaj Japonia, Kanadaja e vende të tjera. Dihet po ashtu se Kosova ende nuk e ka një ekonomi të favorshme lidhur me politikat ekonomike që janë ndjekur deri më tani në vend dhe të cilat nuk kanë qenë të favorshme. Hollbruk porositi institucionet e Kosovës të përqendrohen në zhvillimin ekonomik, sepse zhvillimi ekonomik ngrit kualitetin e jetës së qytetarit.

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …