Ismail Kadare

Ismail Kadare: Poezi për Kosovën

(E shkruar në vitin 1981, kur Kosova shpalosi Flamurin e Lirisë)

 

E hidhur vjeshtë e këtij viti

Kosovën gjeti nën terror.

Korba të zez mbi të ia mbërritën,

Hetues, gjykatës e prokurorë.

 

Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,

Me dymbëdhjetë dënojnë diku.

Kështu mes jush shekullin ndani,

Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

 

Kështu e prekni historinë,

Mbi supe e mbartni ju sërish.

Prangat në shkollë që i mësonit

Në duar ndjetë befasisht.

 

Dhe patë se koha e mesjetës

S’qe larg dhe veç në libra s’qe,

Dhe u kthye nata e Prishtinës

Në natë Shën Bartolemeu.

 

U ngritët ju viganë, fisnikë

Me korrektesë e madhështi.

Ngaqë kërkuat Republikë,

U shtypët si në monarki.

 

Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,

Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,

Se pas Dushanit car të frikshëm

Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

 

S’ kish dëshmitarë, TV nuk pati

Zinxhiri i tankut kur ju griu,

Por retë e globit veg ju panë,

Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.

 

Kështu në vorbull të epokës

U ngritët ju si monument,

Ju që e prekët historinë,

Dhe n’ histori u kthyet vetë.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …