Ismet Hajrullahu

Ismet Hajrullahu: Rindërtimi i një besimi të humbur

Partitë të nxjerrin mësime nga humbja politike. Por humbja nuk është gjithmonë humbje, ajo ne vetvete ngërthen një moment reflektimi dhe nxit forcën për ri ngritje, forcën për te rishikuar vetveten, forcën për tu çliruar nga egocentrizmi, forcën për të mos pranuar për të qenë të parët pa meritë, por për më shumë, ngërthejnë në vete forcën për të punuar para së gjithash, jo për veten, por për qytetarin.

Përse në partitë politike nuk ka rotacione elitash, dhe pse i rezistojnë me çdo kusht reformimit dhe transparencës ndaj anëtarësisë dhe strukturave bazë, qe nga nën-dega e deri në qendër?

Nga kush apo nga çfarë po tremben, kur të gjithë, e sidomos vetë ata e dine se një reforme e brendshme do nxiste dhe prodhonte një zhvillim demokratik brenda partisë? Padyshim që reformat marrin kohë, dhe për më shumë kërkojnë vizion e strategji se si të arrihet rikrijimi i nevojshëm.

Katërmbëdhjetë shkurti i dha shumicës se partive një leksion të rëndësishëm për reformat e domosdoshme që duhen ndërmarrë sa ma parë, me qëllim që t’i përshtaten nevojave të qytetarëve, duke dëgjuar më shumë, e natyrisht duke urdhëruar më pak. Reformat partiake të cilat bëhen duke përcjellë me vëmendje lëvizjet e elektoratit, janë të shëndosha dhe prodhojnë sjellje institucionale dhe vendimmarrje të shtrirë mbi një bazë të gjerë përfaqësuese dhe konsultuese, duke filluar nga niveli i nëndegëve, degëve dhe qendrës.

Mungesa për një kohë të gjatë e reformave, në anën tjetër, bën qe partitë politike të mos përputhen në kontekst të organizimit me partitë simotra ne shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe rezistenca ndaj reformës nga poshtë-larte dhe nga të asaj lartë-poshtë, dobëson strukturat qendrore të partive, gjë e cila reflektohet më pas natyrshëm edhe në të gjitha nivelet e strukturave të tjera partiake.

Por mbi të gjitha, mungesa e reformave të thella, eventualisht shkakton edhe humbje të thella si këto të fundit. Pavarësisht organizimit të zgjedhjeve të brendshme partiake, fiktiviteti i cili i përcjellë zakonisht këto procese, rezulton më pas në zgjedhje fiktive dhe vendimmarrje jo transparente përpara anëtarësisë se partisë, dhe përfundimisht në një keq-udhëheqje nga kryetarët, të cilët si mbulesë, për vendimet e gabuara, përdorin kryesitë dhe shpesh edhe këshillat drejtuese.

Kjo qasje dhe mungese e llogaridhënies, cenon demokracinë e brendshme të partive në të gjitha strukturat, duke shkaktuar mungese të transparencës, dhe një konfuzion, i cili nga partia natyrisht përçohet edhe në elektorat. Ndërkaq, partitë të cilat udhëhiqen nga kjo logjike e vjetruar, e po thuajse gati komuniste e organizimeve të brendshme, eventualisht për shkak të pushtetit absolut të brendshëm, perceptohen, apo për më keq shndërrohen ne parti me udhëheqje thuajse “diktatoriale”.

Por ndërkohë që ka një pushtet absolut të individëve të caktuar përbrenda partive, kjo përcillet me anashkalim dhe dobësim të thellë të strukturave partiake, e që padyshim ndikon negativisht dhe dobëson edhe cilësinë e vetë partisë. Kësisoj, dështimet e jashtme të partive, vijnë thuajse gjithmonë si rezultat i dështimeve të brendshme të tyre.

Prandaj edhe mbetet jetike dhe emergjente nevoja për reformimin e partive politike, e sidomos reformimi tërësor i statuteve dhe përputhshmërisë së tyre me parimet e një organizimi demokratik, de jure por edhe de facto.

Ndërkohë që, po aq e rëndësishme, mbetet edhe llogaridhënia dhe transparenca financiare e brendshme dhe ndarja proporcionale e financave sipas nevojave reale të strukturave. Ndërtimi dhe kultivimi i një qasjeje të tillë, pashmangshëm do ndryshonte edhe perceptimin e elektoratit sa i përket vendimmarrjes, por edhe punës së partive në terren.

Ndryshimi i perceptimit ndërkaq është hapi tjetër drejt fuqizimit dhe rindërtimit te besimit të humbur me një elektorat të dëshpëruar dhe tradhtuar.

Por qytetari di edhe të falë, mirëpo vetëm atëherë kur partitë nuk sillen si monarkë, por përkundrazi bëhen një me të. Siç është thënë edhe nga Konrad Adenauer, padyshim se të gjitha mendimet dhe i tërë veprimi i njeriut shpeshherë varet nga koha dhe u nënshtrohet ndryshimeve. Por, nëse formojmë parti politike, e cila u përmbahet kërkesave të cilat i dikton koha, atëherë partia e tillë do të jetë sterile dhe jetëshkurtër. Veçanërisht partitë ose, thënë më mirë, sidomos partitë politike në qoftë se dëshirojnë të mbijetojnë, duhet të ndërtohen në thellësi.

Ato duhet të bazohen në vlera të përjetshme. Me këtë kuptohet se, përveç ndjekjes së trendëve politike, të cilat duhet të inkorporohen në vazhdimësi në kuadër të programeve dhe ofertave politike, qëndrueshmëria e një partie sigurohet nga qëndrueshmëria e vlerave që ajo ka përqafuar e që përfaqëson.

Nëse me programe mund të eksperimentohet deri diku, ideologjia e një partie mbetet bërthama e saj, e cila nuk mund të tolerojë në afatgjatë, bashkim të bindjeve të kundërta nga vlerat të cilat e kanë bashkuar atë në radhë të parë. Çdo devijim nga vlerat është vetëm oportunizëm politik, i cili nuk garanton qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi të një funksionimi të shëndoshë të partive politike.

E si gënjeshtra, ashtu edhe oportunizmi politik, që të dyja i kanë këmbët e shkurta! Prandaj është me rëndësi që partitë të nxjerrin mësime nga humbja politike.

Por humbja nuk është gjithmonë humbje, ajo ne vetvete ngërthen një moment reflektimi dhe nxit forcën për ri ngritje, forcën për te rishikuar vetveten, forcën për tu çliruar nga egocentrizmi, forcën për të mos pranuar për të qenë të parët pa meritë, por për më shumë, ngërthejnë në vete forcën për të punuar para së gjithash, jo për veten, por për qytetarin.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …