Më 01.09.2026 vdiq Mustafë Krasniqi; profesor, gazetar, poet e autor i shumë veprave të ndryshme, aktivist i çështjes kombëtare dhe i mësimit plotësues për diasporë, që në Bavari të Gjermanisë e themeloi LAPSH-in, si kryetar e udhëhoqi për një mandat e, koordinator ishte deri në vdekje. Poashtu ishte bashkëthemelues i KKAD-së – KËSHILLI KOORDINUES I ARSIMIT PËR DIASPORË, me në krye dr: Vaxhid Sejdiun dhe ishte kryetar në mandatin e fundit, poashtu deri në ditën që vdiq, Mustafë Krasniqi.
Mustafë Krasniqi rjedh nga një familje atdhetare, ku stërgjyshi tij, Tahir Krasniqi, është ekzekutuar në vitin 1920 nga makineria serbo-çetnike, ndërsa gjyshi i babës nga dajtë është varur te tre plepat e Vushtrisë nga perandoria Osmane, i cili quhej Shaban Kapuçi, shok i ngushtë i Hasan Prishtinës, që ishte në mbrojtjen e Alfabetit të Manastirit. „ … ku Shaban Kapuçi me çetën e vet ishte i gatshëm për t’u flijuar për çështjen kombëtare, i cili iu përgjigj ftesës së Hasan Prishtinës, për mbrojtjen e Alfabetit Latin dhe, ishte kundër përpjekjeve të Xhonturqve që kishin për qëllim ndalimin e këtij alfabeti”. Që të gjitha këto rezultojnë me formimin e tij si figurë kombëtare! Prandaj, kjo ka ndikuar që t’i qendrojë besnik idealit të paraardhësve të tij për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe Shqipërinë Etnike. Shumë i ri hyri në radhët e grupeve ilegale LPRK-LPK, madje u radhit në aksionin e pajtimit të gjaqeve me grupin e studentëve të organizuar nga Anton Çetta, ishte kryetar i KMLDNJ-së për Kastriot, njëherit dhe kryetar i SHKA “Zëri i Kosovës” në fshatin Shipitullë dhe më vonë anëtar i SHKA “Rruga e Lirisë” për Kastriot. Po ashtu ishte rreshtuar në rrugën e veprimtarisë kombëtare ku kontributi i tij nuk u ndal deri në vdekje.
Fati e kishte ndjekur që nga shkolla e mesme të jetë në mesin e shokëve dhe shoqeve, si: Hysen Matoshi, Fehmi Pireva, Rexhep Gashi, Zenel Alshiqi, Sanie Ahmeti, Kadri Sherifi e tj. Gjithnjë janë inspiruar nga fuqia atdhetare e heronjve; si bacë Ademi, prof. Xhemail Pllana e tjerë, që u motivuan ta duan atdheun e lirë.
Kurse në kohën e organizimit të luftës së fundit, fillimisht u inkuadrua në radhët e organizuara për lirinë e Kosovës që u aktivizua përmes Bardhyl Mahmutit, ku më vonë pati fatin t’i njihte shumë atdhetarë, sot dëshmorë të kombit, Si: Afrim Zhitinë, Fadil Vatën, Behajdin Allaqin, kurse të veprojë me Xhavit Hazirin e shumë dëshmorë tjerë që sot prehen në altarin e lirisë. Më vonë u njoftua edhe me Fahri Fazliun, Ramadan Avdiun, Flamur Shalën e shumë tjerë.
Mustafa ishte kryetar i Këshillit të Rrethit të LPRK-së për Kastriot, ish-Obiliq dhe Fushë Kosovë, ku ky këshill numëronte disa këshilla popullorë. Që në vazhdën e këtyre proceseve të ilegales, si rezultat u formuan grupet ilegale të luftës së fundit të UÇK-së, si: Behxhet Kelmendi, Florim (Xhemail) Kelmendi, Ejup Thaçi, Fadil Mirena, Emin Mirena e Isak Qolli. Isaku ishte edhe komandant i njësitit 114 të Bardhit të Madh, për UÇK etj.
Regjimi policor serb filloi ta rëndojë situatën me burgosje, rrahje e vrasje të njerëzve e, sidomos të ilegales dhe, Mustafa u detyrua ta lëshojë atdheun, që sëpari iku në Shqiperi, më vonë doli në Europë, ku jetoi dhe veproi deri në vdekje, në Rosenheim të Gjermanisë. Ndërsa përmes Afrim Eminit dhe Rexhë Iberdemajt përcaktohet ta përfaqësojë politikisht UÇK-në për Oberbajern, në Bavarinë gjermane që në Rosenheim me një grup veprimtarësh dhe ish të burgosurin e ndërgjegjes, Ilmi Muzaqin kanë vepruar në të gjitha drejtimet për ta ndihmuar UÇK-në.
Do t’i përmend disa nga veprat e botuara dhe nga ato që presin për botim, si: „Gjarpërinjtë e zinj edhe atje…“, „Lumëgjaku“, „Faqe të panjohura të historisë së NDSH-së (Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij)“, „Lojë Thikash“, „Gjarpërinjtë e zinj edhe atje…“ (ribotim), monografinë për „Xhavit Hazirin“, „Shkolla shqipe në Republikën e e Bavarisë – Ndërgjegje e atdheut“, „Vështrim kritik për poetikën e krijuesve të diasporës“, „Mbrëmja e fundit“, „Eshtrat Pezull“, si dhe në gjashtë libra tjerë bashkautor, ku në dorëshkrim i ka edhe pesë libra tjerë, që presin donatorë për të dalur në duar të lexuesit si: Romanin „Cikloni“, romani „Fantazma e qytetit“, libri historik „Për Shqipërinë Etnike“, ndërsa librin me analiza politike dhe intervista „Kah po Shkon Shqipëria dhe shqiptarët…?“ e tj.
Të gjitha këto i bëri Mustafë Krasniqi për komb e atdhe pa kurrëfarë pagese nga dy shtete e gjysmë tonat; Shqipëri, Kosovë dhe Makedoni e Veriut! Përveçse, një mirënjohje nga presidenti i Shqipërisë shtetërore, shkëlqesia e tij z. Bajram Begaj dhe kishte respekt pa kufi nga punonjësit diplomatikë shqiptarë/e të konsullatës në Munih të Bavarisë. Po ashtu më 3 shtator në qytetin Kastriot në Shtëpinë e kulturës „Xhavit Haziri“ ceremonia mortore ishte organizuar në mënyrë madhështore, ashtu si e meritoi Mustafa nga familjarët dhe udhëheqësia komunale, që aty kishte përfaqësues nga rrethi, miq, nga Institui Albanologjik dhe përfaqësues i konsullatës së Shqipërisë në Prishtinë.
Krejt në fund, unë i shpreh ngushëllimet nga zemra familjes Krasniqi, bashkëpunëtorëve dhe miqve! Kurse për ne, Mustafa s`ka vdekur, por gjithmonë do të jetë në zemrat dhe mendjet tona, derisa ta kemi jetën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
