Në krijimtarinë letrare janë lëvruar tema e gjini dhe lloje letrare që kanë pasuruar fondin e letërsisë e të kulturës sonë përgjithësisht, siç janë veprat letrare dhe historike, monografitë dhe shkrimet e përgjithshme të profesor Ahmet Qeriqit, cili e ka begatuar dhe ka shkëlqyer në letërsinë dhe krijimtarinë e shumanshme me vepra e shkrime të shumta.
Por, gjithashtu, ka shumë nga ata të cilët duke bërë përpjekje të krijojnë vepra e të shkruajnë në gjuhën e letërsisë artistike, sikur nuk u shkon mendja, se pa njohje të mirëfillta gjuhësore, pa një botë pasur letrare, pa një zotërim të shumë drejtimeve, si: historia, gjeografia, psikologjia, filozofia, veprimtaria shoqërore, pa një botë të pasur shpirtërore, pa ndjenja të fuqishme, pa një përvojë të madhe, pa lexuar shumë, as nuk mund të njihet mirë gjuha e as nuk mund të krijohen vlera të mirëfillta letrare – artistike. Nuk dua të ndalem shumë të këto mangësi, por as edhe te zelli i atyre që përpiqen të shkruajnë, por që shkrimet e librat e tyre i shoqërojnë të metat e shumta. Megjithëkëtë, dua të them, se pas viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar pati e fatkeqësisht ka edhe tani shumë libra, të cilat për të mos thënë s’ kanë vlera fare, po themi se ato janë fare të varfra.
Megjithëkëtë, nevoja për të përshkruar ngjarjet dhe të kaluarën e popullit tonë, të luftërave, të përpjekjeve të shumta, të përvojave, të përjetimeve, të vuajtjeve, të veprimtarisë atdhetare, të kohëve të rënda nën pushtimet e armiqve, është e domosdoshme, por gjithmonë duke pasur kujdesin e gjuhëtarëve, redaktorëve letrarë e të specialistëve të fushave të ndryshme, siç janë: historianët, gjeografët, psikologët, pedagogët etj.
Kemi nevojë të madhe t’i vjelim materialet e shumta, por jo të botohen shkrime e libra që të lënë shijen e keqe gjuhësore, të cilat kanë gabime të panumërta drejtshkrimore, fjali të ngatërruara, ku humbet filli e ngatërrohet mendimi. Nuk mund të lejohen botime të pakontrolluara edhe për faktin se brezat e rinj duhet të edukohen nga një veprimtari, ku fillimisht ka një qartësi e bukuri gjuhësore.
Jo më kot, në Tiranë, gjuhëtari ynë i shquar Xhevat Lloshi, u shpreh:
“Aftësia e njeriut për ta përdorur mirë dhe bukur gjuhën, në çdo lloj profesioni, është suksesi më i madh i tij.”
Në letërsi, së pari , vihet re ana gjuhësore. Aftësia e shkrimtarit qëndron fillimisht te zotërimi i rregullsisë gjuhësore, në kuptimin e natyrshëm, do të doja të thosha, zotërimi i mirëfilltë i gjuhës, i shprehësisë së saj nga shkrimtari, por edhe i lidhjeve të mirëfillta gjuhësore e logjike në fjalitë e thurura mirë, në rrjedhën e natyrshme burimore të gjuhës e shoqëruar me zotërimin e mirëfilltë të lëndës që e trajton krijon shijen artistike, ndaj padyshim mund të themi se njeriu kështu ka në dorë çelësin më të mirë për t’i hapur dyert e suksesit, për t’u pritur mirë nga lexuesit dhe nga bota letrare e artistike një vepër e shkruar.
“Zhvillimi harmonik i llojeve dhe gjinive nuk është shkëputur nga zhvillimi harmonik i tri funksioneve të artit: funksionit njohës, edukues dhe tërheqës” Dritëro Agolli
Padyshim, kushdo që e lexon, veprën letrare të profesor Ahmetit, bindet se këto funksione të krijimtarisë letrare që i ka theksuar shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli, janë një të harmonizuara në krijimtarinë letrare e në të gjitha veprat të tjera të prof. Ahmetit.
Tani t’i kthehemi veprimtarisë, botës letrare të profesor Ahmet Qeriqit! Kur fillon t’i lexojë njeriu romanet e tij, menjëherë e vë re gjuhën e pasur, rrjedhshmërinë e natyrshme të mendimeve, logjikën e shëndoshë të fjalëve e të fjalive, mendimin e pasur, fjalitë e ndërlidhura mrekullisht dhe aftësinë e gjuhës artistike, përshkrimet e bukura letrare. Fjalët e fjalitë, rrjedha e natyrshme e përshkrimeve është si uji i burimeve, që del i pastër i këndshëm për njeriun, më pas duke lexuar e duke u thelluar të duket se je pikërisht në harmoninë e përsosur të botës letrare, të ngjarjeve që i përshkruan, të përjetimeve, të karakterit të heronjve, të emocioneve e dhembjeve, të të gjithë asaj pasurie të madhe artistike.
Kjo është ajo që si fillim duhet të thuhet për veprat letrare që i ka krijuar profesor Ahmeti.
Profesor Ahmet Qeriqi, është mishërim i përkushtimit të pashoq në veprimtari. Puna dhe veprimtaria e tij, por edhe të gjitha përpjekjet e tij janë shëmbëlltyra më e mirë, janë mësimi më duhur se si veprohet, se si jetësohen planet, se si nuk harrohen, heronjtë e dëshmorët e Atdheut, se si shkruhet e përhapet vepra e tyre – sakrifica e heroizmi i tyre, se si mbrohet dhe se si shpërndahet jehona, zëri i ëmbël i shqiptarësisë sonë, zëri i mirë e i nderit të shqiptarit në shekuj.
Ai , së pari, është një njeri i mrekullueshëm, një atdhedashës i flaktë, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, profesor që ka njohje enciklopedike që ka vepruar e punuar, pa u ndalur aspak, edhe pse i lodhur e i sëmurë, nuk ka ditur kurrë të ankohet e të pushojë. Ai ka qenë në burgjet e ferrit jugosllav, pikërisht, sepse ka qenë i organizuar me shumë shokë e ka vepruar për çlirimin e tërësisë së trevave të pushtuar të Shqipërisë. Ai ka bërë punë e veprimtari sistematike duke u organizuar në mënyrë të perfektë.
Nga pena e tij qoftë letrare, qoftë kur trajton çështje gjuhësore, historike, pedagogjike, analitike, informative, filozofike e shoqërore ne mësojmë shumë. Ai shkëlqen e do të shkëlqejë me veprën e tij, si një tërësi, që në themel gjatë gjithë krijimtarisë, del e shquhet atdhedashuria, pra motivi i fuqishëm për tërësinë e Shqipërisë, bashkimin e popullit shqiptar në këtë tërësi etnike e të natyrshme. Veprimtaria e tij është e gjithanshme. Ai, do të doja ta theksoj të vërtetën e ndritshme, është një institucion kulturor e atdhetar, një institucion i shqiptarësisë sonë.
Vështirë se mund të ketë njeri në kohët e sotme të përballojë gjithë atë punë e veprimtari që ai e bëri.
Funksioni njohës sipas citatit të më sipërm të Dritëroit është përmbajtja. Para se të analizojmë, para se të cekim disa anë njohëse, është mirë të theksojmë faktin, se profesor Ahmeti qe njohës i mirë i folklorit, i këngëve popullore, ai edhe nga një këngë edhe nga një tregim i shkurtër është në gjendje ta na dhurojë vepra letrare, siç është romani: “Betimi i motrës”
“Femra në historinë shqiptare ka qenë edhe mbretëreshë, princeshë, kryengritëse, heroinë, dëshmore, madje edhe gjakmarrëse e hakmarrëse. Mbase kështu është edhe ndër popujt e tjerë, por që motra të marrë hak për vëllain, më duket se është një veçanti karakteristike që sfidon studiuesit për të zbërthyer këtë fenomen mbi bazën e fakteve, që na jep vetë tradita e së kaluarës. “ (“Shembujt e gjakmarrjes në traditën tonë gojore. Gjakmarrja e motrës për vëllain” A. Qeriqi)
“Kënga e Hasimes” është një këngë që është kënduar nga rapsodët në Kosovë, por edhe tregimi i Joshkës, për gjyshen e tij do të bëhen nisma e hartimit të një romani që shkroi profesor Ahmeti dhe atë botoi në vitin 2022
Tregimin të cilin ia rrëfeu Joshka profesor Ahmetit në burgun e Smrekovnicës në Vojvodinë, është dhënë në fillim të romanit “Betimi i motrës”
Joshka është me origjinë hungareze e shqiptare, sepse gjyshja e tij Zhana është shqiptare diku nga treva e Kumanovës, ndërsa gjyshi i tij po ashtu të atin e kishte shqiptarë. Zhanës ia kishin vrarë serbët të dy vëllezërit dhe ajo ishte hakmarrë, atë e kishin burgosur xhandarët serbë dhe gjyqi e kishte dënuar me burg, një xhandar kishte provuar ta dhunonte, por ajo trimërisht e kishte mbytur atë me një hekur. Zhanën e kishin dënuar me burgim të rëndë. Gjyshi i Joshkës kishte qenë gardian e kishte shpëtuar Zhanën dhe ata kishin ikur në Hungari dhe atje ishin martuar.
Ndërsa kënga folklorike na flet për Hasime Mirashin e cila i është një personazh në këngët folklorike, së cilës serbët ia kishin vrarë vëllezërit dhe ajo ishte hakmarrë, por edhe në burg e kishte vrarë një gardian. Megjithëkëtë, kënga na thotë se Hasimja kishte vdekur në burg.
Edhe në mendjen time, ka mbetur edhe një rrëfim i shkurtër që tregonte daja im, kur isha fëmijë, për një grua në Vojvodinë e cila iu kishte folur shqip pulave, kur i kishte lëshuar nga koteci. Këtë ia kishin treguar disa punëtorë shqiptarë që kishin shkuar nga Kosova në Vojvodinë.
Nuk dua më shumë të ndalem te përmbajtja as këngës, as tregimit të Joshkës, sepse nga analiza kuptohet edhe përmbajtja e tyre.
Unë kësaj radhe do të përpiqem të shkruaj, të analizoj e ta shquaj romanin e tij të botuar kohë më parë: “Betimi i motrës”.
Eh, motra, në botën shqiptare, e ka dhembjen e dashurinë e paanë, të pakufishme për vëllain, për vëllezërit! Ato përpiqen ta mbajnë vëllain në pëllëmbë të dorës, të përkujdesen për të si për shpirtin e tyre, madje edhe shpirtin e japin për të, bëjnë atë që është e mundur e atë që nuk është e mundur, atë që shpesh herë nga një botë e qetë e kamur, nuk mund të mendohet. Pra kemi të bëjmë me një traditë të pashembullt shqiptare, e cila në shumë vende të botës mbase nuk kuptohet, por që në rrjedhën e zhvillimeve e të mbijetesës shqiptare, të kulturës e traditës sonë, femra shqiptare, vajza e familjes, jo vetëm ka marrë pjesë në luftë si heroinë, por edhe e ka marrë rolin e vëllait, të zotit të shtëpisë e familjes, është veshur me rroba burrash, me kostum kombëtar burrash, kur e ka kërkuar nevoja, ka marrë hak për vëllain e vëllezërit siç është edhe Zana, heroina e romanit “Betimi i motrës”
Zana është një vajzë e bukur, një vajzë me një karakter e moral të shëndoshë njerëzor. Ajo përshkruhet aq e bukur, siç do të thotë Joshka, për gjyshen e tij : “Gjyshja ka qenë shumë e bukur. Edhe kur u plak e bukur dukej. E ruaj foton në shtëpi. Duket tamam si artiste. Më e bukur se Sofia Loren.” ( Romani : “Betimi i motrës”)
Zana na paraqitet një vajzë e edukuar sipas rregullsisë së familjes të shëndoshë e traditave të mirëfillta shqiptare, ku janë të brumosura vetitë më të mira njerëzore, ajo është një vajzë që nxjerr flakë nga dhembja për vëllezërit e familjen e saj dhe po me atë flakë, ajo do që t’i djegë edhe armiqtë serbë edhe tradhtarët që i shërbejnë pushtuesve, ajo është një heroinë, që karakterizon femrën atdhetare, të njerëzishme, femrën shqiptare që shëmbëllen me vetitë më të shquara burrërore.
Ngjarjet në roman na e kujtojnë në kohën kur Kosova dhe shumë vise të tjera shqiptare pas vitit 1913, u pushtuan nga Serbia, nga Mali Zi e nga Greqia. Na çojnë në ato kohë të tmerrshme, kur shqiptarët vriteshin nga ushtarët serbë, vetëm pse ata ishin shqiptarë, dhunoheshin e masakroheshin nga politika serbe nga Mbretëria Serbe, Kroate e Sllovene, me qëllim që të iknin nga trojet etnike, nga trojet shqiptare.
Siç do të thoshte Pjer Bezho te romani: “Qëndresa” : “Masakrat serbe mbi shqiptarët e kalonin çdo imagjinatë njerëzore.”
(Pjesa e parë e shkrimit)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
