RKL

Ja cili ishte parashikimi i Radios-Kosova e Lirë, një ditë para shpalljes së rezultatit lidhur me votimet e 17 tetorit

RKL: Sot përmbyllet fushata elektorale, e qetë dhe e përmbajtur, për zgjedhjet vendore të 17 tetorit

Fushata për zgjedhjet vendore të 17 tetorit po përmbyllet në rrethana të pandemisë, në kushte dhe rrethana ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, pa tubime spektakolare, pa shpenzime enorme, pa euforinë dhe arrogancën e mujsharëve politikë dhe të militantëve partiakë të tyre.

Të gjitha këto manifestime të zakonshme në zgjedhjet paraprake, kësaj radhe  kanë qenë të reduktuara, por nuk ka munguar propaganda partiake, nuk munguan as premtimet deri në qiell nga disa kandidatë, nuk munguan as premtime qesharake e naive, sikur ishte premtimi i kandidatit të Vetëvendosjes, në Ferizaj, për ta organizuar dhe për ta mbajtur festivalin e zgjedhjes së “Miss Gjyshes” si vlerë e veçantë e qytetit, apo premtimet bajate të Agim Bahtirit, në Mitrovicë të përsëritura e të stër përsëritura dhe të mësuara përmendësh, si O ati ynë…, apo si shehadet, e kështu me radhë.

Në këtë fushatë pati edhe kandidatë që kanë premtuar vetëm ato që mund të arrihen.

Duke qenë se fushata kishte kufizime sa i përket numrit të pjesëmarrësve nëpër tubime, ajo përgjithësisht ka kaluar e qetë, pa dalldi e eufori, pa arrogancë e mujshari, kryesisht pa ikonografinë e zakonshme, të zhurmshme, imponuese e virulente.

Sikur ka ndodhur edhe më parë, qeveritarët edhe pse pretendojnë se janë të gjithë popullit, ata, edhe kësaj radhe  kanë marrë pjesë në fushatat e tyre partiake, madje edhe si tutorë për kryetarët e komunave, apo kandidatëve për këto poste. Më i zhurmshmi dhe më i pranishmi në tubime elektorale ishte kryeministri, Albin  Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, i cili po përpiqet që me çdo kusht ta marrë në qeverisje ndonjë komunë, për të cilat, kjo parti  ka insuficiencë kronike.

Partia më e madhe në Kosovë, qeveriste vetëm në dy komuna. Gjasat për të fituar ndonjë komunë më shumë janë të vogla, meqë, shumë nga kryetarët aktualë, kanë krijuar tashmë  elektoralin stabil dhe është vështirë të munden me fuqinë e votës.

Partitë politike  si PDK-ja, AAK-ja, LDK-ja kanë krijuar bastionet e tyre dhe në to nuk mund të fitojnë kandidatët e Vetëvendosjes, përveç  në ndonjë rast krejt të veçantë. Nuk fiton dot Vetëvendosja në Deçan, në Pejë, Lypjan,  Gjakovë, Drenas, Skënderaj, Ferizaj, Viti, Shtime, Rahovec, Therandë, Klinë, Kaçanik, në Han të Elezit, Gjilan, Kamenicë e disa komuna të tjera, bastione të njohura të partive, tani në opozitë.

Vetëvendosja ka gjasa të fitojë sërish në Prizren, ku ka qeverisur në katër vitet e fundit, po ashtu mund të dalë fituese edhe në ndonjë qytezë tjetër, ndërsa mund të shkojë në balotazh në më shumë se shtatë apo tetë komuna.

Parashikimet në raste të tilla, janë terren i rrëshqitshëm, sidomos në ditën e fundit të fushatës zgjedhore,  por po të kemi para sysh zgjedhjet paraprake vendore, atëherë logjikisht vijmë te ky rezultat, sepse nuk është praktikë elektorale që partia në pushtet të fitojë edhe nëpër komuna, sikur pretendojnë disa analistë.

Edhe pse LDK-ja  vazhdimisht ka qenë në koalicion, me partitë e tjera, ajo ka ruajtur shumicën e komunave, ku tashmë ndihet fare e sigurt, sipër shembull në Pejë, Lypjan,  Viti, Gjilan, kësaj radhe edhe në bastionin kryesor në Besianë, pastaj në Fushë-Kosovë, Artanë, Burim, Vushtrri, Dragash, e të tjera.

PDK-ja ka disa bastione krejt të sigurta si në Skënderaj, pavarësisht se fiton Bekim Jashari apo Fadil Nura, ai është bastion historik i PDK-së sa i përket elektoratit, pastaj në Drenas, mund të kthehet fare lehtë në Mitrovicë, me kandidatin më serioz dhe më të dëshmuar në qeverisja, sikur është Bedri Hamza. PDK-ja i ka të sigurta edhe Shtimen, Ferizajn, Kaçanikun, ndërsa në balotazh mund të fitojë edhe në ndonjë komunë tjetër.

Po ashtu edhe AAK-ja ka gjasa reale të mbajë komunat në të cilat ka qeverisur në dy tri e më shumë mandate si në: Deçan, Junik, Klinë, Rahavec, Therandë, Gjakovë, në balotazh edhe në ndonjë komunë tjetër.

Sipas kësaj skeme zgjedhore, dominuese në Kosovën e pasluftës, del se mundësitë për të ndërruar papritur ky konfiguracion elektoral  në komuna, në dobi të Vetëvendosjes nuk ka fare gjasa, por ka gjasa që kjo parti të fitojë në balotazh edhe ndonjë komunë tjetër, mirëpo nuk mund të ndodh befasia, sepse nuk mund të ndodh që në komuna të fitojnë koalicioni, Vjosa Osmani-Albin Kurti, meqë zgjedhësit e Vjosa Osmanit janë elektorat vendor, komunal i LDK-së.

Duke qenë se fushata ka qenë e qetë, madje e moderuar, “e veshur” me metoda të reja dhe e reduktuar për shkak të pandemisë, qytetarët kanë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, jo me turrin e mujsharëve dhe propagandës gjatë fushatës,  jo me mashtrime e kauza të rreme, por me  qetësi,  bindje dhe besim në ata që janë dëshmuar gjatë këtyre viteve, por edhe të tjerë që kanë qenë bindës në premtimet e tyre.

Është me rëndësi edhe fakti se zgjedhjet e shumta gjatë tri viteve të fundit kanë rezultuar me përmbajtje dhe pjekuri qytetare, zgjedhje të cilat janë lavdëruar edhe nga monitoruesit ndërkombëtar. Është shumë me rëndësi që edhe në këto zgjedhje të fitojnë meritorët, në mënyrë që të fitojë Kosova, në një situatë jo edhe aq të mirë politike e strategjike, për shkaqe të njohura.

15 tetor 2021

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …