Jakup Krasniqi: Dëmin që “insajderi” ia shkakton buxhetit të Kosovës dhe PTK-së nuk ia shkakton gjithë “fisi” im

Jakup Krasniqi: Injorancë apo lajthitje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?

Për zhvillimet e mbledhjes së 17 dhjetorit 2018 të Këshillit të Sigurimit (KS), të thirrur nga Serbia e Rusia për ushtrinë e Kosovës, nuk ka si të mos shtrohet pyetja: a kishin të drejtë disa nga folësit që t’i referoheshin Rezolutës 1244 të KS apo ta ndryshonin atë Rezolutë? Që të dyja përpjekjet janë absurde! Rezoluta i përket historisë, pasi proceset kanë avancuar aq shumë, duke filluar me Kornizën Kushtetuese, e cila ka hyrë në fuqi më 15 maj 2001. Korniza Kushtetuese është nënshkruar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), Hans Haekkerup. Në bazë të kompetencave që i janë dhënë me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të 10 qershorit 1999. Zhvillimet e tjera do të shpjegohen në vazhdim.

Diskutuesit a ishin në dijeni se cilës rezolutë i referoheshin dhe a ekziston shteti që i referohet Rezoluta 1244 e Këshillit  të Sigurimit?

Fillimisht duhet ta shohim se çka thotë vetë rezoluta në fjalë. Pika 3 e Rezolutës 1244 thotë:“Këshilli i Sigurimit kërkon në veçanti që RFJ t’i japë fund menjëherë dhe në mënyrë të verifikueshme dhunës dhe represionit në Kosovë, dhe të fillojë tërheqjen e plotë dhe të verifikueshme sipas fazave të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare në bazë të një orari të caktuar me të cilin do të sinkronizohet vendosja e pranisë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.”

Siç shihet qartë, Rezoluta i referohet një shteti (RFJ-së) që nuk ekziston më. Pra, RFJ është shpërbërë në shtatë shtete. Të fundit që janë divorcuar  nga RFJ-ja janë: Serbia, Mali i Zi dhe Kosova. Kjo e fundit është divorcuar me luftë të armatosur, e ndihmuar edhe nga ndërhyrja ndërkombëtare. Kosova rrugën e vet të pavarur e ka filluar me Rezolutën 1244 të KS të miratuar më 10 qershor 1999 dhe e ka përfunduar më 17 shkurt 2008, ndërkombëtarisht të vulosur në korrik të vitit 2010 nga GJND-ja. Kësaj rruge i kanë ndihmuar edhe dy emisarët e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. I pari ishte Kai Aides dhe Raporti i tij (Nju Jork, 13 qershor 2005), i cili konstatonte se “. Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të jetojë me një politikë që është perceptuar si politikë e status-quo-së” (pika 10 e Raportit). Kjo do të thoshte se status quo-ja në Kosovë nuk mund të vazhdonte më. Në pikën e 70 të Raportit Kai Aides në mes të tjerave shkruan: “kur të ketë filluar procesi, ai nuk mund të bllokohet dhe duhet të çohet në fund”.  Pas kësaj, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së cakton emisarin e tij të dytë më 2 nëntor 2005. Këshilli i Sigurimit konfirmoi zyrtarisht emërimin e ish-kryetarit finlandez Marti Ahtisari, si të dërguar të posaçëm të OKB-së në negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës për zhvillimin e bisedimeve të Vjenës. Bisedimeve të Vjenës iu ka paraprirë edhe Deklarata e Grupit të Kontaktit, pjesë e të cilit ishte edhe Rusia. Në pikën 6 të Deklaratës së 31 janarit 2006 thuhet: “Zgjedhja e statusit të Kosovës duhet të konsolidojë sigurinë e stabilitetin në rajon…”Garanci për të ndodhur kjo deklarata nënvizon: “Kosova të mos kthehet në gjendjen e para marsit 1999… nuk do të ketë ndryshim të territorit dhe as  do të ketë ndarje dhe as bashkim me ndonjë shtet tjetër apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër.”

Bisedimet e Vjenës vazhduan në vitin 2006 dhe përfunduan në vitin 2007 me një Dokument për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës, të njohur edhe si Dokumenti i Ahtisarit. Ahtisari pas përfundimit të bisedimeve i shkruan Sekretarit të Përgjithshëm dhe Presidentit të KS një letër propozuese ku në mes të tjerave i thotë: “Duke marrë me kujdes në konsideratë historinë e kohëve të fundit në Kosovë, realitetin e Kosovës sot dhe duke marrë parasysh negociatat me palët, unë kam ardhur në përfundim se i vetmi opsion i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia e mbikëqyrur për një periudhë fillestare nga bashkësia ndërkombëtare.” Ndërsa në përmbledhjen ekzekutive të dokumentit të tij Ahtisari shkruan: “Kosova do të jetë një shoqëri shumetnike, që e qeveris veten në mënyrë demokratike…”. Pas gjithë këtyre akteve ndërkombëtare, Kosova në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar më 17 shkurt 2008 e Shpall Pavarësinë. Në Deklaratën e Pavarësisë në pikën 1 është nënvizuar: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet të kësaj  Deklarate e shpallim Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik…”.Ky është rrugëtimi i Pavarësisë së Kosovës me një bashkëpunim e bashkërendim me Bashkësinë Ndërkombëtare, me OKB-në, Këshillin e Sigurimit, Grupin e Kontaktit, SHBA-të dhe BE-në. Ndërsa, Kushtetuta e Kosovës e hartuar me ekspertët amerikanë e britanikë, në nenin e saj të parë shkruan: “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. Ndërsa në nenin 2 paragrafi 1 shkruan: “Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute”.

Duke u nisur nga të gjithë dokumentet e lartcekura Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik 2010, kishte ardhur në përfundim se:“Në normat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare nuk konstatohet asnjë ndalim, konkret për deklarimin e pavarësisë”, prandaj ”Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk cenon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.”  A ka diçka më të qartë se kaq. Veç kësaj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në dhjetor të të njëjtit vit ka nxjerrë një Rezolutë e cila kërkon që Serbia e Kosovës të zhvillonin bisedime teknike me mbikëqyrjen e Brukselit (BE-së). Pra në gjithë procesin, filluar nga 9 qershori i vitit 1999 e krejt deri të shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe Vendimi i GJND-së dhe Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e dhjetorit 2010. Pra i gjithë ky proces ka kaluar nëpër organet më vitale të OKB-së. Parlamenti Evropian, institucioni përfaqësues i popujve të shteteve që e përbejnë Bashkimin Evropian, pavarësinë e Kosovës e ka njohur që në vitin 2008.

Pas gjithë këtyre zhvillimeve, përsëri në bashkërendim me Komunitetin Ndërkombëtar më 22 shtator 2012, Shtetit të Pavarur dhe Sovran të Kosovës i hiqet Mbikëqyrja e Pavarësisë. Botërisht dihet se Pieter Feith i kishte dy kapela, njëra ishte OKB-ja dhe tjetra BE-ja. Pas gjithë këtyre argumenteve shtrohet pyetja: Në mbledhjen e 17 dhjetorit 2018 të Këshillit të Sigurimit në Nju-Jork disa anëtarë të KS ishin injorantë apo të  lajthitur?! Ata do të duhej ta kishin të njohur se Rezoluta 1244 është historike dhe si e tillë, as nuk mund dikush t’i referohet e as të ndryshohet, madje edhe shteti që i referohet Rezoluta në fjalë nuk ekziston më. Madje, a ka absurd më të madh fakti se si është e mundur që edhe pas dhjetë viteve të pavarësisë së Kosovës, Këshilli i Sigurimit të mos e dijë rolin e UNMIK-ut në Kosovë?! Mëkat për njerëzimin, kush po flet e nga kush pret sigurinë globale!

E gjithë kjo që u tha e bën krejt të panevojshme, madje edhe absurde, mbledhjen e 17 dhjetorit 2018 të Këshillit të Sigurimit për rrezikun e botës  nga 5000 pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës! Meqë absurdet nuk kanë të sosur, ja edhe absurdi i radhës: disa anëtarëve të KS si nuk iu vjen keq për politikat e krimit e të gjenocidit serb në Kosovë, por e shohin rrezikun nga ushtria e një populli të Kosovës, që nuk e arrin as numrin prej dy milionë banorësh?! Është për t’u habitur se si vendet e mëdha si Rusia e Kina në KS kanë përfaqësues kaq të paarsimuar që mund të quhen pa hezitim analfabetë potencialë.

Është keq, vërtet keq, që një organ i lartë i OKB-së, siç është Këshilli i Sigurimit, në vend që të ndihmojë sigurinë planetare ai e bën të kundërtën! Kështu, KS një mizë e bëri jo buall, por sa Malet e Himalajeve!

Sa herë janë çoroditur drejtues të kombeve të mëdha, njerëzimi ka përjetuar rreziqe në shkallë botërore! E sidomos kanë pësuar popujt numerikisht të vegjël siç është rasti me shqiptarët.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …