Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Mosndëshkimi i gjenocidit serb në Kosovës është fyerje për vlerat euroatlantike

Nuk ka se si të mos e kujtoj një fjalë të popullit që thotë:“Mos na lashtë zoti pa njerëz të drejtë e të pa sherr, se toka do të na lëshonte.” Kjo, për faktin se ndërmend një njeri, që reflektoi drejt, qartë e saktë: Schwarz-Schilling. Ky Schwarz-Schilling do të thoshte se për mos njohjen e Pavarësisë së Kosovës menjëherë pas Luftës Çlirimtare në vitin 1999, përgjegjësi kanë OKB-ja dhe sidomos BE-ja. Ai shkakun e sheh te  “Evropa,e cila nuk është në gjendje që të bëjë një politikë të qartë kundrejt Serbisë dhe Kosovës. Dhe ky është turp!” Tek e thotë këtë ai dhe vazhdon, sidomos për vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës: “Ato vende s’e kanë njohur (pavarësinë e Kosovës, – J.K.) për shkak të problemeve të brendshme. Ky është egoizëm i këtyre shteteve. Kështu BE-ja nuk do të luftojë kurrë ndonjë luftë për demokracinë”. Sipas mendimit të tij të avancuar, Pavarësia e Kosovës do të duhej të njihej që në vitin 1999. Ai thotë se, mosnjohja “ishte dobësi e OKB-së dhe e BE-së që nuk e bëri ketë”. http://zeri.info/aktuale/178845/christian-schwarz-schilling-kosova-eshte-dashur-te-njihet-shtet-me-1999/

Në ketë rast, nuk do ta implikoja OKB-në, e cila është një amalgamë e 196 shteteve me sisteme, kultura e tradita prej më të ndryshmeve, të cilat në Kartën e OKB-së kanë vendosur standarde që nuk mund t’i mbrojnë në asnjë mënyrë. Mua më vjen keq për vendet e Demokracisë Perëndimore, që për të drejtat dhe liritë e njeriut kanë vendosur standarde të larta civilizuese dhe nuk janë në gjendje që t’i mbrojnë ato standarde, por, përkundrazi në vend që ta dënonin gjenocidin serb të përsëritur më se një herë në Kosovë, ato vende janë përqendruar për ta vënë në gijotinën e dënimit Kosovën dhe e gjithë kjo po bëhet për hatrin e Serbisë!Dhe se askush që ka luftuar kundër saj të mos ndjehet mirë!

Shqiptarët si popull, politikave shfarosëse e shkombëtarizuese të Serbisë e Jugosllavisë i janë nënshtruar që nga luftërat e viteve 1876/78, luftërave Ballkanike, politikave të Jugosllavisë së Versajës e të AVNOJ-it e deri te politikat serbe të gjenocidit të viteve 1990-1999. Të gjitha këto politika që fillojnë nga Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) e deri të Konferenca e Rambujesë (1999) dhe Bisedimet e Vjenës (2005- 2007), Komunitetit Ndërkombëtar i janë të njohura mirë. Pse i heshtin ato politika tani, për ne është e panjohur! Nuk e mohoj faktin se për këto politika, përgjegjësi të madhe kanë të gjithë liderët politikë të pas Luftës Çlirimtare në Kosovë e veçmas këta që e pranuan themelimin e Gjykatës Speciale. Këta, po të kishin vetëm pak moral njerëzor e kombëtar, pas tentimit qyqar të natës për ta shpërberë  Gjykatën Speciale, që s’e bënë dot, do të duheshin të tërhiqeshin nga skena politike e Kosovës. Është e qartë, këta që e kanë sjell këtë gjendje, nuk mund ta ndryshojnë në asnjë mënyrë!

Ajo që duhet të dihet nga të gjithë ata që i thanë po Gjykatës Speciale, e sidomos atyre që edhe i detyruan të tjerët të votojnë për të, Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj për disa vite në vazhdim ia kanë bërë shërbimin më të keq të mundshëm. Do të duhej shumë ujë të kalojë nën urë që të pastrohet vendi ynë nga kjo njollë që ia imputuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, padyshim shumë padrejtësisht.

Nuk po me vjen keq vetëm pse po vazhdon padrejtësia ndaj Kosovës e qytetarëve të saj, por po me vjen keq për vlerat euroatlantike të cilat nuk po mbrohen nga ata që kanë obligim dhe forcë veprimi për ta dënuar gjenocidin serb në Kontinentin e Vjetër! Popujt e qytetëruar të vendeve euroatlantike duhet ta ngrehin zërin kundër kësaj padrejtësie të madhe historike dhe tolerimit që i bëhet gjenocidit serb të fundshekullit XX në Evropë. Natyrisht se kjo është një fyerje edhe për vlerat evropiane dhe humanitare, kudo ku ato janë instaluar.

Gjithë çfarë desha të them si më sipër do të doja ta përmblidhja si përfundim: Si do të shkonin punët pas Luftës se Dytë Botërore, po qe se do të formoheshin Gjykata Speciale (të tipit të Nyrembergut) për vendet që e luftuan nazifashizmin?! Ndaj duhet profecia e popullit si ftesë për reflektim kombëtar e ndërkombëtar: “Mos na lashtë zoti pa njerëz të drejtë e të pa sherr, se toka do të na lëshojë.”

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …