Ish-zëdhënësi dhe zyrtari i lartë i NATO, Jamie Shea, ka deklaruar se përpjekjet në Kongresin amerikan për të mbështetur anëtarësimin e Kosova në NATO duhet parë më shumë si një strategji afatgjatë politike sesa si një zhvillim me ndikim të menjëhershëm. Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, Shea tha se këto iniciativa e mbajnë Kosovën në fokusin politik të Uashingtonit dhe krijojnë mundësi për të ardhmen, kur rrethanat politike dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë të jenë më të favorshme. Megjithatë, ai vlerësoi se mungesa e stabilitetit politik në vend mbetet pengesë serioze për avancimin e procesit euroatlantik. “Derisa të ketë më shumë stabilitet pas zgjedhjeve të qershorit, nuk pritet të ketë një rrugë të qartë përpara në procesin e integrimit euroatlantik”, tha Shea, duke përmendur faktin se Kosova po shkon në zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve. Sipas tij, kriza e vazhdueshme politike dhe pamundësia për krijimin e institucioneve stabile pas zgjedhjeve të fundit kanë ndikuar negativisht në perceptimin ndërkombëtar për stabilitetin institucional të vendit. Shea theksoi gjithashtu se Kosova duhet të ndërtojë një strategji më të balancuar diplomatike dhe të mos mbështetet vetëm në përkrahjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
