Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar një protestë të re më 18 maj në Shkup, me kërkesën kryesore që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta, e cila do të nisë nga Ura e Gurit, tashmë ka marrë dimension më të gjerë, duke përfshirë edhe çështje që lidhen me përdorimin dhe trajtimin institucional të gjuhës shqipe në vend. Nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një”, organizatorët kanë bërë thirrje për mobilizim qytetar, duke kërkuar pjesëmarrjen e studentëve, profesorëve, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë. Njëri nga organizatorët, Mevlan Ademi, ka deklaruar se iniciativa nuk lidhet më vetëm me një çështje teknike akademike, por me një problematikë më të gjerë që prek pozitën e gjuhës shqipe dhe trajtimin institucional të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, në opinion po komentohet mungesa e reagimit nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, në kohën kur protesta po vendos në presion politik koalicionin qeverisës VLEN dhe kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski. Mbështetje për protestën kanë shprehur figura të ndryshme politike dhe publike nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqiptare. Ambasadori i Shqipëria në Shkup, Denion Meidani, ka reaguar përmes një postimi me vargje nga Gjergj Fishta, duke theksuar rëndësinë e gjuhës shqipe si element i identitetit kombëtar. Nga Kosova, mbështetje publike kanë dhënë edhe Përparim Rama, Bedri Hamza dhe Vlora Çitaku, të cilët e kanë cilësuar protestën si përpjekje legjitime për mbrojtjen e dinjitetit, identitetit dhe të drejtave të shqiptarëve. Reagime kanë ardhur edhe nga bota e artit, ku Bebe Rexha dhe Ilir Shaqiri kanë dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë, duke e cilësuar gjuhën shqipe si pjesë të pandashme të identitetit kombëtar dhe të drejtë themelore që duhet respektuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
