Jean Asselborn

Jean Asselborn: Bashkimi Europian po shkon drejt anarkisë

Bashkimi Europian po shkon drejt anarkisë, paralajmëroi sot shefi i diplomacisë së Luksembugut, Jean Asselborn teksa ministrat e Drejtësisë dhe ata të Brendshëm të bllokut u mblodhën për të diskutuar krizën e emigracionit, kërcënimi më i madh sot për vetë ekzistencën e BE-së. “Bashkimi Europian nuk ka më një linjë të përvijuar qartë në raport me emigracionin. Ne po i drejtohemi anarkisë”, ka deklaruar Jean Asselborn.  “Politika e lejim-kalimit do të thotë se problemet zgjidhen në kurriz të vendeve të tjera, siç është Gjermania. Kjo është e papranueshme dhe ne nuk vazhdojmë me të njëjtin ritëm për një kohë të gjatë. Objektivi ynë i përbashkët është forcimi i kufijve të jashtëm mes Greqisë dhe Turqisë në mënyrë që numri i refugjatëve të arrijë të reduktohet ndjeshëm”, tha nga ana tjetër ministri gjerman i Brendshëm, Thomas de Maiziere. “Në këtë situatë, na nevojiten zgjidhje europiane. Politikës së lejim-kalimit duhet t’i jepet fund sa më parë”, tha Johana Mikl Leitner, ministre e Brendshme e Austrisë.

“Muret krijojnë vetëm iluzione. Një vend që ndërton mure mund ta zgjidhë problemin përkohësisht, por në fund i gjithë sistemi do të shembet”, tha ministri italian Angelino Alfano.Më herët, ministrat e BE-së patën një mëngjes pune me përfaqësues të vendeve ballkanike, qëllimi i të cilit ishte sheshimi i dallimeve mbi krizën më të madhe të momentit.Austria, Serbia dhe Maqedonia kanë shtrënguar ndjeshëm hyrjen e emigrantëve, çka zemëron Greqinë që druhet se kontrollet e rrepta të këtyre shteteve do t’i grumbullojnë të ardhurit në tokën e saj.Hendeku i krijuar shton presionin mbi politikën europiane të emigracionit, edhe kështu të zhytur në pështjellim prej valës së papreçedentë të emigrantëve dhe refugjatëve. Më shumë se 100.000 të tillë kanë mbërritur këtë vit në kontinentin e vjetër, shumica përmes Ballkanit. ( Top Channel )

Kontrolloni gjithashtu

Numri i këshilltarëve, asistentëve e koordinatorëve të kabinetit Kurti arrin në 30 zyrtarë

Kabineti kryeministrit Kurti, përbëhet nga gati 30 persona të cilët angazhohen në këshillimin dhe menaxhimin …