Ka filluar asfaltimi i rrugës në hyrje të qytetit të Skenderajt

Ka filluar sot edhe asfaltimi i rrugës në hyrje të qytetit të Skenderajt, kahu në drejtim të Drenasit, si hap i fundit i përmbylljes së projektit që e kishte për obligim Qeveria e Kosovës, por që u tërhoq në çastet e fundit nga financimi, edhe pse Komuna e Skenderajt kishte zgjidhur çështjet kontestuese të pronave, me qëllim të realizimit të këtij projekti të madh kapital. Kryetari i Komunës, Fadil Nura, nënkryetari Sami Lushtaku dhe drejtori për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit, Driton Mulaj, kanë mbikëqyrë sot punimet gjatë procesit të asfaltimit të rrugës, e cila ka shkaktuar deri dje telashe të mëdha për pjesëmarrësit në komunikacion, për shkak të gropave dhe dëmtimeve në rrugë. Pas përfundimit të procesit të shtresës së asfaltit, kjo pjesë e rrugës do të ofrojë më shumë siguri dhe lëvizje pa ndonjë pengesë rrugore. Kryetari Nura ka falënderuar të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit e komunikacionit, për durimin që kanë shfaqur, deri sa janë zhvilluar punimet në këtë pjesë të qytetit. Qeverisja lokale në Skenderaj, përkundër problemeve në infrastrukturën rrugore publike të dëmtuar nga vërshimet e janarit të këtij viti, dhe mundësive të vogla buxhetore, mori përsipër të rregullojë këtë rrugë, e cila ka një rëndësi të madhe, meqë lidh Skenderajn me rajonin e Prishtinës dhe është më kryesorja në rrjetin publik rrugor.

Kontrolloni gjithashtu

Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së …