Ka përfunduar Manifestimi Epopeja e UÇK-së

Me aktivitetin Nata e Zjarreve ka përfunduar Manifestim Epopeja e UÇK-së, kushtuar 19 vjetorit të rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari. Në ditën finale të këtij manifestimi, në Kompleksin Adem Jashari në Prekaz është mbajtur ritit tradicional i ndezjes së flakadanëve, ndërsa në sheshin Adem Jashari në Skenderaj është shfaqur program artistik para dhjetëra mijëra qytetarëve. Në hapje të programit para të pranishmëve ka folur nënkryetari i komunës së Skenderajt Fadil Nura. Në fjalën e tij Nura ka folur për rëndësinë e luftës dhe rënies së Komandantit Adem Jashari dhe të Familjes Jashari. Ai ka çmuar lartë veprën dhe flijimin e Adem Jasharit dhe Familjes Jashari në mars të vitit 1998. “Epopeja e UÇK-së  është ngjarja më e rëndësishme e luftës për liri të Kosovës. Lufta dhe rënia e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e Familjes Jashari është vepra më sublime në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ndër të tjera z. Nura.

Ai po ashtu ka përmendur edhe shqetësimin për burgosjen e pa drejtë të komandantëve të UÇK-së, bashkëluftëtarëve të Komandantit Legjendar Adem Jashari, ndër të cilët ka përmendur Kryetarin e Komunës së Skenderajt Sami Lushtakun, Sylejman Selimin dhe Ramush Haradinajn.

Të pranishmëve ju ka drejtuar në emër të OVL të UÇK-së edhe Hysni Gucati, i cili ka theksuar kujdesin që duhet të bëjnë institucionet për vlerat e luftës së UÇK-së.

Numri i madh i qytetarësh nga të gjitha viset shqiptare kanë ndjekur një program artistik me motive kombëtare dhe të kulturës tradicionale shqiptare. Ansamble muzikore dhe këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare janë paraqitur me këngë dhe valle enkas për këtë ngjarje.

Nata e Zjarreve është aktiviteti final i mbajtur në kuadër të manifestimit Epopeja e UÇK-së, i cili edhe këtë vit është organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Pjesë e aktiviteteve ka qenë edhe Komuna e Skenderajt. Në kuadër të kësaj ngjarje janë mbajtur edhe dy aktivitete sportive: Turneun në volejboll ,,Kupa Adem Jashari” dhe turneu ndërkombëtar në shah.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti vizitoi fshatin Stubëll

Kryetari i komunës së Vitisë z. Sokol Haliti vizitoi fshatin Stubëll. Aty  nga afër ai …