Kadri Kryeziu: Deputetët s’duhet të shkojnë në pushim, fillimisht të zhbllokojnë institucionet

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka vlerësuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet të shkojnë në pushim veror përderisa vendi vazhdon të jetë i bllokuar institucionalisht. Prioritet absolut duhet të jetë konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, ndërsa zgjedhja e presidentit duhet të vijë vetëm pasi të arrihet një marrëveshje politike. Sipas Kryeziut, zgjedhja e presidentit pa konsensus është e pamundur, pasi kërkon 80 vota në Kuvend dhe çdo tentativë pa dakordim paraprak rrezikon të dështojë. Ai theksoi se funksionalizimi i Kuvendit dhe Qeverisë është jetik për miratimin e ligjeve, ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe plotësimin e vendeve vakante në institucionet kushtetuese, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Kryeziu kritikoi edhe mundësinë që deputetët të shfrytëzojnë pushimin veror në rrethanat aktuale, duke thënë se, ndonëse kjo e drejtë parashihet me rregullore, nuk është e arsyeshme në një situatë të tillë. “Deputetët nuk duhet të shkojnë në pushim. Zgjedhjet bëhen për t’i zgjedhur institucionet dhe ata kanë obligim kushtetues, moral dhe njerëzor që ta zhbllokojnë situatën para se të mendojnë për pushime”, u shpreh ai. Kushtetuta nuk e trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjen e pushimeve gjatë një vakumi institucional, ndaj përgjegjësia mbetet mbi deputetët dhe vullnetin e tyre politik për të zgjidhur ngërçin.

Kontrolloni gjithashtu

FSK merr pjesë në konferencën “European Partnership Flight” për bashkëpunimin në aviacionin ushtarak

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në konferencën “European Partnership Flight”, …