Tafil Nuhi Zyberaj (10.5.1962 - 18.7.1998)

Tafil Nuhi Zyberaj (10.5.1962 – 18.7.1998)

Dita e 26 prillit të vitit 1998 mbetet ndër datat më të rëndësishme për rrjedhën e zhvillimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, bashkëluftëtarët e Komandantit Legjendar Adem Jashari dolën publikisht në fshatin Drenaj (ish – Drenoc) të Zatriqit, të Anadrinit, sulmuan me një aksion – stuhie mbi forcat serbe në aksin e magjistrales Prishtinë – Pejë te Gjergjica e Balinca, por edhe në aksin e magjistrales Prizren – Gjakovë, te Krusha e Vogël e Pirana.
Sulmin te fshati Balincë, luftëtarët e lirisë e kishin kryer në orët e pasdrekës, u pati prirë njësiti “Lumi” dhe shkëlqyen lufëtarët e formacioneve “Lumi” dhe “Pëllumbat”. Në këtë aksion morën pjesë: Mehedin Morina – komandant Meha, Imer Krasniqi, Fatos Krasniqi e Besim Halilaj, sot të gjithë dëshmorë të kombit, ndërsa po atë ditë, por në orët e vonshme të mbrëmjes, nga Drenica, nëpër Malishevë e Drenaj kishin rrugëtuar luftëtarët: Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Hoxha i Jashanicës, Isuf Gashi, Osman Zyberaj, Feim Gashi, Vehbi Muharremi dhe Xhafer Mekani. Në Balincë, luftëtarët e lirisë kaluan “pa therrë në këmbë”, por në aksin e Anadrinit, te Pirana dhe Krusha e Vogël, ishin plagosur: Sami Lushtaku dhe Hoxha i Jashanicës. Dhe kështu krisën pushkët e u shkatërrua njësiti policor patrullues, të cilit i prinin edhe argatët shqipfolës që e njihnin mirë Hasin dhe fshatrat Qëndresë (ish – Randubravë), Piranë, Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Celinë e Xërxë. Të specializuar për kolaboracion, këta argatë, ndiqnin veprimtarinë e patriotëve Ukashin Hoti, Nait Hasani, Dervish e Halil Çadraku, Rifat Dina e Smajl Latifi, por me fokusim të veçantë mbi Grupin e Drenajt, të cilin e përbënin: Isuf, Islam, Flurim, Bedrush, Avdi e Feim Gashi; mbi Osman, Mensur, Tafil e Bedri Zyberaj; mbi Vehbi Muharremin; mbi Hemë e Isuf Berishën, Hamid Makshanën, Sakip Bellaqën, Përparim Thaçin, Xhemë Gashin, Selajdin Mullabazin, Gani Paçarizin, Milaim Krasniqin, Xhelal Hajdën, Selajdin Mullazin, Idriz Vehapin, Ilir e Afrim Popajn, Arben Fetoshin e Durmish Gashin, por veçanërisht mbi veprimtarinë e familjes Zyberaj: Osmanin, Mensurin, Bedriun dhe Tafil Zyberajn, sot të gjithë dëshmorë e veteranë të Ushtrisë Ççlirimtare të Kosovës.
Dëshmori i kombit, Tafil Zyberaj është i lindur më 10 maj të vitit 1962 në fshatin Drenaj (ish-Drenoc) të Zatriqit të Anadrinit, komuna e Rahovecit. Ai u rrit në një familje me traditë për mënyrat e ndryshme të organizimit të rezistencës kombëtare prandaj edhe kësaj lufte, përveç tërë mallit që kishte, i dha në altarin e lirisë Mensurin e Tafilin.
Xha Nuhiu dhe nënë Hasija, bijë e fshatit Gexhë të Anadrinit, përveç Tafilit kishin edhe 3 djem e 7 vajza, prandaj edhe skamja ishte pjesë e jetës së kësaj familjeje. Megjithatë, xha Nuhiu kishte dëshirë të flaktë që t’i shkollonte të bijtë, por mundësitë materiale i kishte aq të kufizuara sa që jetonte nën vijën e ekzistencës, prandaj edhe luftëtarit të lirisë, Tafilit, ashtu si edhe vëllezërve dhe motrave, nuk iu mundësua shkollimi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin e filloi në Rahovec, por nuk e përfundoi. Gjatë udhëtimeve prej Drenajt për në Rahovec, i binte që shpesh të ballafaqohej me patrullat e policisë serbe, të cilat që moti e kishin fokusin dhe objektivin mbi familjen Zyberaj të Drenajt, prandaj, nga njëra anë ndjekjet, dhe nga ana tjetër skamja, e detyruan Tafilin që ta ndërprejë shkollimin. Zuri t’i ndihmojë t’ët, Nuhiut, në punët bujqësore, por rënia e dëshmorit Luan Haradinaj më 6 maj të vitit 1997 në “Qafën e Mullarit”, Tafilin së bashku me Mensur Zyberajn i gjeti në Shqiponjë, ndërsa rënia e mësuesit Halit Geci, i gjeti në Llaushë të Skënderajt. Atje Tafili është së bashku me Bedrushin dhe Feim Gashin, Haxhi Hotin dhe Sakip Bellaqën, sot të gjithë dëshmorë të kombit.
Në Likoc, Zyberajt marrin detyra të rëndësishme për të vepruar në sektorin e logjistikës i cili kalonte nëpër Has. Tafili kishte mbështetjen e vëllezërve Zyberaj, Osmanit e Mensurit dhe nga fqiu i tyre Isuf Sherif Gashi, dy shtylla kryesore në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arealen luftarake të Anadrinit.
Më 26 prill të vitit 1998, në fshatin Drenaj doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe fshati rrëzë Zatriqit u shndërrua në kazermë, ndërsa me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u themelua Shtabi Operativ Lokal i cili shumë shpejt avancoi në nivelin rajonal të Anadrinit me stafin komplet dhe planin operativ për shtrirje. Tafilin e shohim së bashku me kushërinjtë, Osmanin dhe Mensurin. Pas aksionit të parë, më 26 prill të vitit 1998, ndërmjet Krushës së Vogël dhe Piranës, më 12 maj shpërthejnë luftimet e para frontale ndërmjet forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave policore serbe në kodrinat vreshtare pranë fshatrave Franjakë, Bardhatin, Drenaj e Drinas (ish-Ratkoc). Këto luftime shënojnë “Betejën e Bardhatinit” në të cilën thyhen forcat polcore-ushtarake serbe, ndërsa në radhët e luftëtarëve të lirisë përjetësohen: Milaim Krasniqi e Elmi Morina dhe Tafilit i plagoset rëndë kushëriri Osman Zyberaj. Por gjatë atyre ditëve, pas luftimeve në fshatin Balincë e të Grykës së Llapushnikut, luftimet me një intensitet edhe më të fuqishëm shtrihen edhe në Rrafshin e Anadrinit.
Më 14 maj 1998, forcat serbe i konsolidojnë radhët dhe sërish përpiqen për t’u ndërsyer kah Drenajt dhe fshatrat e Nënzatriqit. Por forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës barrikadohen rrëzë Gardhishtit, jo larg aksit të magjistrales Prizren-Gjakovë, pranë “Urës së Fshajt”. Edhe këtu serbët e thyejnë qafën mu në “Qafën e Gardhishtit”, ku përjetësohet dëshmori i kombit Mehedin Morina.
Pas kësaj humbjeje, policia serbe kurthon ”Pritën e Përudhës” ndërmjet fshatrave Fortesë e Xërxë të Anadrinit, ndërsa Tafili, pas kësaj prite mbetet pa tre shokë: Feim Gashin, Sakip Bellaqën dhe Përparim Thaçin, ndërsa me plagë të rënda i shpëton bashkëluftëtari Islam Isuf Gashi. Më 6 qershor 1998, Tafili është në luftimet përreth fshatit Drinas, ndërsa më 18 e 19 qershor edhe në “Betejën e Kromnikut”, buzë Drinit të Bardhë. Më 17 korrik 1998, Tafili krahas kushërinjve gjendet në luftimet për Rahovecin, ndërsa më 18 korrik në Betejën e Fortesës bie dhe përjetësohet në altarin e lirisë së bashku me Gani Paçarizin dhe Agim Kelmendin dhe kështu edhe pushoi veprimtaria e Tafil Zyberajt. Sot, pas përpjekjeve të mëdha për t’u gjetur trupi i pajetë i dëshmorit Tafil Zyberaj, pushon në varrezat e fshatit, pranë trupit të kushëririt Mensur dhe pranë dëshmorëve të tjerë të fshatit Drenaj, ndërsa në qendër të fshatit shkëlqen lapidari që ruan emrat e dëshmorëve: Mensur Zyberaj, Bedush e Feim Gashi, Eshrafedin, Mazllum e Esat Kastrati, Xhafer Vehapit dhe Tafil Zyberaj. Në gjirin familjar të xha Nuhiut, në fshatin Drenaj rron nëna Hasie me të renë Kymetin dhe u rrëfejnë bijëve të Tafilit, Valonit, Jetonit, Balmirës, Valentonit dhe Njomzës, ngjarje nga jeta dhe veprimtaria e Zyberajve dhe veçanërisht për Mensurin e Tafil Zyberajn.(S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 - 2.5.1999)

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 – 2.5.1999)

Më 5 nëntor të vitit 1964, Ahmet Gegës, nga Studençani i komunës së Therandës (ish-Suharekë), i …