Agim Veli Kelmendi (3.1.1973 - 18.7.1998)

Agim Veli Kelmendi (3.1.1973 – 18.7.1998)

Me zbritjen e Batalionit të Rahavecit prej “Kërshi të Keq”, në “Rrasat e Rahaveci”, Ushtria Çlirimtare e Kosovës me formacionet “Lumi”, “Pëllumba”, “Çeliku” e “Vlora”, faktikisht, më 17 korrik të vitit 1998 merr segmentin e rajonales Malishevë – Xërxë, prej “Rrasave të Rahavecit” deri në Fortesë (ish – Bellacërkë). Hapi i këtillë ishte shumë i rëndësishëm për t’u mbrojtur korridori logjistik Vlahnë – Qafë-Mullar – Kushnin – Romajë – Rogovë – Celinë – Fortesë – Sopaj – Burim i Poshtëm Drenaj – Zatriq e Malishevë, me dy arterje; nëpër Drinas, kah Zona Operative e Rrafshit të Dukagjinit dhe nëpër Reti kahPagarusha. Kjo shtrirje e rrufeshme ndikoi që luftëtarët e fshatrave: Krushë e Madhe, Nagac, Hoçë e Vogël, Brestos, Celinë, Sopaj, Burim i Poshtëm, Malësi e Vogël e Drinas të përqëndrohen në fshatin Fortesë e ta zënë “Lakun e Fortesës”, rrëzë “Mellave” e buzë Bardhasë, më 18 korrik 1998.

Prerja e segmentit të rajonales Malishevë – Xërxë, për Luftën e Rahavecit, kishte rëndësi të shumëfishtë, sa për t’ua pamundësuar forcave serboçetnike hyrjen në Rahavec, aq edhe për mbrojtjen e korridorit logjistik prej Vlahne e Cahani, nëpër Rogovë e Celinë, kah Zatriqi e së andejmi në drejtim të Malishevës. Këtë prerje nuk mund ta bënte askush më mirë se Fortesa, fshat i organizuar mirë, i sistemuar me kohë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që prej ditës kur u dëgjuan krismat e Adem Jasharit në Prekazin legjendar e ditës kur “Në Gllogjan u dha kushtrimi”. Struktura e këtillë e instrumentit të forcës evoluoi nga ilegalja e Fortesës (Begzad Gashi, Samedin Kelmendi, Arben Fetoshi, Durmish Gashi, Ilir Popaj, Hajrullah Kelmendi, Bajram e Afrim Popaj) që ishte e organizuar në Ilegalen e Anadrinit, nëpër “çerdhet”: Qëndresë, Krushë e Madhe, Drinas, Drenaj e Hoçë e Vogël, e që kulmoi më 27 janar të vitit 1990, në “Lakun e Dëshmorëve” të Brestosit, të cilëve atë ditë u kishte prirë Prometheu i Shtetësisë së Kosovës, profesor Ukshin Hoti, e pranë Tij, në krye të kelmendasve të Fortesës qëndronte krenar Agim Veli Kelmendi, sot dëshmor i kombit, babë i Anitës së vogël që po rritet me shpresë për Lirinë e Kosovës, të cilës ia fali t’anë.

Agim Kelmendi, i Veliut dhe A vdijes, bijë e Gashëve të fshatit Sopaj të Anadrinit, i vëllai i shtatë vëllezërve e dy motrave, është i lindur më 3 janar të vitit 1973 në fshatin Fortesë të Anadrinit të Rahavecit. Doli nga vatra e rezistencës kelmendase, përherë e gatshme “n’luftë me ra, herë me turk e herë me shkja”. Veli Kelmendi, si bujk i vyeshëm, në fshatin ku jetohej vetëm prej djersës së ballit, rriti: Abdurrahmanin, Bashkimin, Beqirin, Bejtullahun, Halimin, Ahmetin e Agimin për t’ia dhënë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën xha Veliu e mbylli me Halimin e plagosur dhe Agimin, sugar të nënëlokes, dëshmor i kombit.

Shkollën fillore Agimi e mbaroi në Fortesë, por nuk vazhdoi fare shkollimin në gjimnaz, i përkushtohet bujqësisë, veçanërisht perimtarisë në Fortesën pjellore, të njohur për prodhimet e veta, si edhe i tërë Anadrini. Pra, ishte bujk i mirë e prodhues i vyeshëm. Më 1990 fillon të kyçet në organizimin e manifestimeve të revoltës kundër dhunës serbe. Pas rënies së dëshmorëve Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti e Hilmi Krasniqi, aktivizohet në shpërndarjen e trakteve, afisheve dhe të “Çlirimit”, duke bashkëvepruar me Krasniqët e Hoçës së Vogël e me Smajl Latifin e Drinasit, e falë atij angazhimi, në ato rrethana, shkrimet e profesor Ukshin Hotit lexoheshin anembanë trojeve etnike (revista Demokracia autentike). E Agim Kelmendi nuk ndalet së vepruari, veçanërisht kur kalon në Lubjanë, për t’iu shmangur ndjekjeve.

Më 26 prill të vitit 1998, menjëherë pas thyerjes së pritës policore pranë fshatit Piranë, Agim Kelmendi kyçet në formacionin e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Drenaj, i shpallur “fshat – kazermë” për luftëtarët e lirisë, jo vetëm të Anadrinit, por edhe të Hasit e të Vërrinit. Këtu gjendet së bashku me Osmanin e Mensurin, Bedrushin e Fehimin, Tafilin e Isufin, Milaimin e Eshrafedinin, Jahën e Ganiun, Sakipin e Përparimin, Tonin e Micin. Ishte i palodhshëm veçanërisht në sektorin e logjistikës; bartjen e armatimit dhe sigurimin e rrugës te “Kryqi i Fortesës” kah “Bardhabregu”.

Në formacion e kishte Himën, Ilirin, Sabriun, Xhaferin, Avdylin, Sabitin, Afrimin, Arsimin, Sinanin, Ibrahimin e Nazmiun, sot dëshmorë, invalidë e veteranë, pa kurnjë mbështetje institucionale. Kompania e Fortesës, të gjitha stërvitjet përgatitore i mbaronte në fshatin Zatriq, i zgjeronte në Drenaj, ndërsa i aplikonte prej “Rrasave të Rahavecit” deri në Rogovë të Hasit, pra në pjesët më të zjarrta të areales luftarake të Anadrinit.

Më 12 maj 1998, në fshatin Bardhatin, Agim Kelmendi me kompaninë e Fortesës gjendet në zjarrin e betejës, kur forcat serbe marrin goditjen e parë frontale në frontet e Anadrinit, e më 14 maj, në “Qafen e Gardhishtit”, Kelmendët, Popajt e Gashët e Fortesës gjenden buzë aksit Xërxë – Fortesë, në të djathtë e në të majtë të rrugës. Luftimet e përgjak- shme në Gardhisht, ku qëndronin me heroizëm luftëtarët e fshatrave: Gegjë, Malësi e Vogël, Drinas e Franjakë, u bënë paralajmërime se divizioni famkeq i forcave serboçetnike të Manojlo – Mane Marçetiqit do të përpiqet që në Drenaj të depërtojë edhe nëpër Fortesë. Vetulla e “Bardhabregut” u bë halë në sy për forcat ushtarake e policore serbe, prandaj fshatit Fortesë iu imponua një organizim më i gjithëmbarshëm. Rëniet heroike të dëshmorëve Milaim Krasniqi e Elmi Morina, në Bardhatin, Mehedin Morina në Gardhisht, Naser Krasniqi, në Drinas, e Sadri Thaçi në Kromnik, nuk e dobësuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por përkundrazi ndikuan në ngritjen e moralit luftarak, prandaj në Fortesë fillon ngritja e infrastrukturës defansive, veçanërisht bri lugjeve që shfrytëzoheshin nga logjistika.

Më 18 korrik 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvillonte aktivitetet luftarake për mbajtjen e Rahavecit, ndërsa formacionet e fshatrave: Krushë e Madhe, Celinë, Nagac, Hoçë e Vogël, Sopaj, Burim i Poshtëm e Drinas, vendosen në “Lakun e Mellës” – afër qendrës së Fortesës.

Të gjithë ishin unanimë; sa më e fortë do të ishte Fortesa, aq më shumë do të qëndrohet në Rahavec dhe aq më shpejt do të shtrihej “Zona e Lirë” – prej Llapushe deri në Has, duke përfshirë tërë Anadrinin. Po këtë ditë, civilët dhe emisarët serbë përpiqeshin për të depërtuar në Rahavec, sa prej Prizreni, aq edhe prej Gjakove e në këto luftime merr përjetësinë Gani Paçarizi – “Rreziku”, ndërsa plagoset rëndë Isuf Gashi – “Baca i Madh”, veteran i burgosur pas luftës.

Fortesa granatohej prej të gjitha anëve, kurse këmbësoria dhe autobatalioni, përpiqeshin që në Rahavec të depërtonin kah Pisjaku i Celinës, nëpër “Përronin e Bardhasë” e nëpër aksin e rajonales Xërxë – Rahavec.

Agim Kelmendi, në krye të luftëtarëve të Fortesës: Hajrullahut, Ibrahimit, Halimit, Zylfiut e Adem Kelmendit, Mahmutit, Zajdinit, Xhaferit, Avdylit, Nysretit, Arsimit e Afrim Popajt, breshëronte në drejtim të aksit rrugor nga “Kodra e Katundit”. Mirëpo, kah ora 16,00, forcat armike zbulojnë “Çerdhen” e Kelmendëve dhe pikërisht në atë “Vetull kodre” merr përjetësinë Agim Veli Kelmendi, ndërsa plagoset rëndë i vëllai, Halimi, sot invalid i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rezistenca e fshatit Fortesë të Anadrinit është kapitull i një rëndësie të veçantë për Betejën e Rahavecit, sepse luftëtarëve të lirisë që gjendeshin në Rahavec ua mundësoi tërheqjen e popullatës eivile kah Malisheva, kah Zatriqi e kah Krusha e Madhe nëpër Celinë.

Kelmendët, Gashët dhe Popajt e Fortesës, edhe një herë u qëndruan dhe u përballuan stuhive e rrebesheve; ruajtën burrërinë e njohur, jo vetëm në kuvendet e burrave, por edhe në logjet e mejdaneve kundër çdo pushtuesi. Qëndruan sepse luftën asnjëherë nuk e bënë “prej mendjes “madhe”, por përherë luftuan se “s’patën qare”.

Vëllezërit Kelmendi, të ndihmuar prej bashkëluftëtarëve, bënë luftë e përpjekje maksimale për tërheqjen e trupit të pajetë të Agimit, por raporti i forcave dhe situata në terren, pas luftimeve të korrikut në Fortesë, në Reti, Apterrush e Rahavec, pësojnë ndryshime të mëdha prandaj edhe trupi i dëshmorit të kombit Agim Kelmendi mbetet në pozicionet e “Kodrës së Katundit”. Me avantazhin e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas 20 shtatorit, komandantët Xhelal Hajda – Toni e Selajdin Mullabazi – Miei, të prirë nga Agim e Selami Popaj, njohës të mirë të terrenit në “Tehe”, “Pojata”, “Rapishte” e “Kodra e Katundit”, përpiqen për të depërtuar në istikamin e Kelmendëve – në “Kodrën e Katundit” dhe duke bërë kontrollin e terrenit zbulojnë trupin e pajetë të Skënder Jahë Kastratit, dëshmor i rënë në ofensivën e Fortesës.

Dëshmorët e kombit, Agim Kelmendi, Tafil Zyberaj e Skënder Jahë Kastrati vendosen nëpër kopshtet e dëshmorëve në fshatrat: Fortesë, Drenaj e Malësi e Vogël, kurse në Fortesën e Agim Kelmendit shkëlqejnë shumë lapidarë. Në “Përudhë” janë emrat e Feim Avdi Gashit, Sakip Bellaqës dhe Përparim Ali Thaçit, në “Kodrën e Bardhabregut”, emrat e Skënder Rexhepit e Fitim Durakut, në Qendër të fshatit ngrihet kompleksi memorial me emrat: Gani Paçarizi, Tafil Zyberaj e Agim Kelmendi.

Edhe në varrezat e fshatit Fortesë, jo larg oborreve kelmendase, kjo familje ngriti dy shtëpi të amshueshme mermeri: për Agimin e për Hirnën. Të dytë i viziton Anita e vogël, gjashtëmuajshe mbeti pa t’anë, e sot është rritur dhe duke pritur Lirinë e Kosovës, përkëdhel shqiponjat mbi t’anë e xhaxhanë dhe u reciton vargje për krenarinë e burrave.

E Fortesa?! – Fortesa,- Fortesë: me mburrje ruan kujtimet për “Betejën e Fortesës”, duke evokuar ditët e lavdishme për Feimin, Sakipin, Përparimin, Ganiun, Tafilin, Skënder Jahën, Skënder Rexhepin, Fitim Durakun e Agim Kelmendin. Kurse në “Kodrën e Madhe”, kah Celina, Fortesa ka “Kopshtin e Luleve” ku prehen të gjithë Ata që për Kosovë, për gjuhë e për flamur, dhanë jetën buzë “Bardhasë” e në “Bardhabreg”, jo larg “Bardhjakës” e “Drinit të Bardhë”, e janë gjashtëdhjetepesë shtëpi të amshueshme në “Kodrën e Kuqe”.

E Anita?! – Anita ëndërron Kosovën, ëndërron t’anë dhe emrat e shokëve të t’et të skalitur nëpër shkolla anembanë trojeve, ku bukës i thuhet bukë, e ujit- ujë, dhe rritet me krenarinë e një bije të dëshmorit – bijë e Agim Kelmendit. (S. c.)

Kontrolloni gjithashtu

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 - 2.5.1999)

Fetah Ahmet Gega (5.11.1964 – 2.5.1999)

Më 5 nëntor të vitit 1964, Ahmet Gegës, nga Studençani i komunës së Therandës (ish-Suharekë), i …