Kadri Ramadan Karaçica (4.3.1965 – 13.4.1999)

Kadri Ramadan Karaçica (4.3.1965 – 13.4.1999)

Kadri Karaçica u lind në fshatin Shkabaj, ish-Gllanasellë e Drenasit, më 6 mars të vitit 1965 nga babai, Ramadani e nëna Nurije. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e mesme ekonomike e mbaroi në Qendrën shkollore, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në Drenas.
Rrjedhë nga një familje me gjendje të dobët ekonomike, por me tradita të shquara atdhetare e çlirimtare.
(Gjyshi i Kadriut, Bajrush Man Karaçica, i lindur në vitin 1888 ka qenë bashkëluftëtar i Komandantit të Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, Azem Galica. Në vitin 1920, xhandarët serbë e kishin arrestuar dhe e kishin mbajtur në burgun e Manastirit të Deviqit. Ndërkohë ai arrin të arratiset dhe meqë ishte i plagosur qëndron ilegalisht në shtëpinë e Dan Mucatit në Llaushë. Pas ishte shëruar, gjen strehim të sigurt te familja e Xhemë Gjokës dhe Sylë Gjokës në fshatin Terstenik, ku ka qëndruar ilegalisht disa muaj. Duke qenë se regjimi serb e kërkonte për ta arrestuar, në vitin 1922 kalon kufirin dhe vendoset në Fushë Krujë të Shqipërisë, ku më vonë shpërngulen edhe disa luftëtarë të Azem Galicës së bashku me prijësen e çlirimtarëve, Shote Galica.
Në vitin 1941 kthehet në Drenicë, së bashku me Ramadan Vllasën e fshatit Taraxhë të Vushtrrisë. Gjatë asaj kohe rreshtohet përkrah forcave atdhetare të Shaban Palluzhës e Mehmet Gradicës, duke luftuar kundër forcave çetnike e partizane të cilat e kishin riokupuar Kosovën.
Bajrush Man Karaçica ka vdekur në vitin 1970 dhe është varrosur në vendlindjen e tij, në Gllanasellë).
Duke qenë në gjendje të rëndë ekonomike, i pa punë dhe në shënjestër të regjimit kriminal serb, Kadri Karaçica në vitin 1993 detyrohet të emigrojë në Zvicër. Edhe pse i ndjekur nga regjimi serb nuk arriti të marrë azil, por punoi ilegalisht, pa dokumente të rregullta. Ishte i dashur dhe i respektuar për familjen shokët e miqtë si në vendlindje ashtu edhe në mërgim. Asokohe ka qenë aktivist i LDK-së, por mbi të gjitha ishte një atdhetar i dalluar dhe i përkushtuar.
Ishte kthyer disa herë në Drenicë, përmes rrugëve ilegale sepse ka qenë i angazhuar drejtëpërdrejtë në bartjen e armatimit dhe municioneve nga Shqipëria në Kosovë. Dhjetëra herë ka bartur armatim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ka kontaktuar dhe ka mbajtur lidhje edhe me komandantin legjendar, Adem Jashari, me të cilin është takuar disa herë në Shqipëri, kryesisht në Tiranë.
Mbante lidhje të vazhdueshme edhe me komandantin e njohur, Sahit Jashari, me të cilin kishte lidhje familjare.
Më 27 dhjetor të vitit 1997 kthehet nga Shqipëria për herë të fundit dhe pas dy ditësh arrestohet nga forcat armike serbe, në fshatin Qikatovë në afërsi të Feronikelit, ku policët serbë edhe e torturojnë mizorisht. Ndërkohë dërgohet në burgun e Smrekovnicës. Po atë ditë policët serbë ia kishin bastisur shtëpinë, në fshatin Gllanasellë ku edhe kishin gjetur një sasi e armatimit dhe municionit, që e kishte sjellë nga Shqipëria.
Pas pesë muajve të qëndrimit në burgun e Smrekovnicës, Kadri Karaçica më 15 maj të vitit 1998 arratiset nga burgu dhe sërish iu kishte bashkuar bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Brigadës 114 Fehmi Lladrovci, që vepronin në këtë pjesë të Drenicës dhe që të udhëhiqej nga komandantët Sabit Lladrovci dhe Islam Karaçica.
Ka marrë pjesë në shumë luftime për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.
Bashkëluftëtarët e tij me të cilët ka pasur më shumë komunikim kanë qenë: Sami e Selatin Kurrumeli, Avni Bunjaku, Shaban Berisha, Islam Krasniqi, Zymer Karaçica e të tjerë.
Një kontribut dhe ndihmesë të veçantë ka dhënë edhe bashkëshortja e tij, Kumria duke e mbështetur dhe duke i dërguar gjëra të nevojshme bashkëshortit dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, të cilët vepronin e luftonin kryesisht nëpër malet përreth, Qyqavicës.
Pas rrethimit të Gllanasellës nga ushtria dhe policia armike serbe, më 13 prill të vitit 1999 një njësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e udhëhequr nga Kadri Karaçica zhvillon luftime të ashpra kundër forcave okupatore, të cilat mbanin në rrethim banorët e fshatit të tij. Gjatë një përleshjeje ballë për ballë me forcat serbe, afër fshatit Godanc ai bie në altarin e Atdheut, së bashku me vëllanë e tij Avdi Karaçica dhe djalin e xhahait, Xhevdet Karaçica. Po atë ditë plagoset edhe Naim Karaçica. Ndërkohë që bashkëluftëtarët trupin e tij dhe të dy dëshmorëve të tjerë i varrosin afër varreve të Fehmi e Xhevë Lladrovcit në fshatin Gllanasellë, të Drenasit.
Gjatë luftës, forcat serbe kanë vrarë edhe dy bijtë e Bajrush Manit, Sadik e Shefqet Karaçica, Dy ditë më parë kishin vrarë edhe Isuf Karaçicën dhe djalin e tij Hajzerin.
Shtatë pjesëtarë të kësaj familje kanë rënë dhe janë martirizuar nga forcat policore dhe ushtarake serbe në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në shenjë mirënjohje për guxim dhe trimëri, institucionet e Kosovës, familjes së dëshmorit i kanë ndarë mirënjohje. Janë botuar edhe libra që pasqyrojnë jetën dhe veprën e dëshmorit, Kadri Karaçica. Emri i tij është skalitur në memorialin e 2200 dëshmorëve në fshatin Morinë të komunës së Skënderajt, kurse asambleja komunale në Drenas ka emërtuar një rrugë me emrin e dëshmorit.
Dëshmori i kombit Kadri Karaçica ka lënë pas: babanë, Ramadanin, nënë Nurijen, Vëllezërit: Veliun, Bajrushin, Bedriun dhe motrën, Hajrije. Ai ka lënë bashkëshorten, Kumrie Prenku-Karaçica dhe tre bijtë: Elbasanin, asokohe 6 vjeçar, Edmirin 5 vjeçar dhe Kadriun i cili ka lindur pas rënies së babait dhe ka trashëguar emrin e tij.
Edhe Hajzer Karaçica ka lënë, Labinotin, asokohe 2-vjeçar dhe Isufin, i cili lindi nëntë ditë pas rënies së babait. Gjatë lutës së UÇK-së nga familja Karaçica kanë rënë dhe janë martirizuar: Kadri Ramadan Karaçica, Avdi Ramadan Karaçica, Xhevdet Sadik Karaçica, Sadik Karaçica, Shefqet Karaçica, Hajzer Karaçica dhe Isuf Karaçica. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Afrim Bahtir Isufi (3.3.1972 - 30.4.1999)

Afrim Bahtir Isufi (3.3.1972 – 30.4.1999)

Afrim Bahtir Isufi u lind më tre mars të vitit 1972 në fshatin Shtuticë të …