Kadri Rexha

Kadri Rexha: Drama e aspiratave kombëtare

 (Adem Dema, “Politika dhe pushka”, dramë, LSHK, Prishtinë, 2012)

1.

Drama “Politika dhe pushka” e shkrimtarit Adem Dema është vepër e veçantë e letërsisë shqipe. Nëse jo kryevepër, në saje të temës, idesë, porosisë dhe vlerave letrare, padyshim, kjo dramë do të mbetet vepra më autobiografike dhe më e çmuar e autorit të saj. Në favor të këtij pohimi flet edhe fakti se, më mirë dhe më besnikërisht se në asnjë vepër tjetër e tij, në këtë dramë pasqyrohet artistikisht ideali jetësor i autorit, çështja e pazgjidhur shqiptare, qëndresa e shtresave të gjëra popullore, përpjekjet e brezave për liri e pavarësi dhe aspiratat e popullit tonë për bashkim kombëtar. Drama është e shkruar në burg, brenda muajve shkurt dhe mars të vitit 1970, në kohën kur lëvizja kombëtare, politike, shoqërore dhe kulturore legale dhe ilegale e Kosovës po organizohej, po masivizohej dhe kur populli me çdo kusht duhej të përgatitej për luftën finale për çlirim nga robëria serbe. E frymëzuar nga ngjarje të mëdha historike dhe e shkruar me qëllime praktike mobilizuese organizative, për arsye të njohura botërisht, drama do të mbetet e burgosur, njësoj si autori i saj, dhe, për më shumë se dyzet vjet, nuk do të arrijë të kontaktojë me lexuesin e as me skenën e teatrit dhe, kësisoj, as ta përçojë porosinë e saj politike, shoqërore dhe letrare.

2.

Drama për temë ka luftën, diplomacinë, filozofinë politike dhe organizimin e mirëfilltë të luftës çlirimtare dhe është jehonë letrare e programeve politike-luftarake të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” e themeluar në vitin 1918 dhe organizatës”Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” e themeluar në vitin 1963. Struktura e kompozicionit të dramës ndërtohet përmes pesë akteve, tablove e pamjeve të shumta, ndërsa ngjarjet e saj zhvillohen në hapësira dhe vende të ndryshme si në kabinetin e punës dhe në shtëpinë e Nikolla Pashiqit, në kafenenë provinciale e quajtur “Orient”, në një dhomë të një qendre atdhetare në Shkodër, në shtëpinë e hanxhiut Banush Berila, në Shotorr të Llapit, në pyjet Kozmaç e Gërdeç dhe në fshatrat e Drenicës gjatë harkut kohor dhjetor 1920 – gusht 1924. Zhvillimi i ngjarjeve të dramës përkon me pranimin e Shqipërisë së vitit 1913 në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, respektivisht me prishjen e ëndrrës serbe për pushtimin e Shqipërisë dhe daljen në Durrës, me ringjalljen e shpresës së shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar dhe me organizimin e lëvizjes së armatosur çlirimtare shqiptare nën udhëheqjen e prijësit Azem Galica. Lufta shekullore shqiptare-serbe, e vënë në qendër të dramës përmes një galerie personazhesh reale dhe të imagjinuara, shpaloset nëpërmjet bisedave të N. Pashiqit ku zbërthehet doktrina serbe për shfarosjen e shqiptarëve, nëpërmjet masakrave serbe në masat e gjëra shqiptare, tensioneve të ngritura ndërluftuese, debateve të shumta të krerëve kryengritës për gjetjen e rrugës së lirisë, aksioneve guerile të luftëtarëve të atdheut, tendosjeve dhe lojërave të pabesa të qarqeve diplomatike ballkanike dhe evropiane, marrëveshjeve të kurdisura të armikut me elementin atdhemohues dhe, në fund, nëpërmjet tradhtisë tradicionale sllave. Tri personazhet kryesore të dramës, Nikolla Pashiqi, Azem Galica dhe Nurë Shatri, i pari kryeministër i Serbisë, i dyti udhëheqës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe i treti këshilltar politik i Azem Galicës, krijojnë treshen simbolike të zhvillimeve politike të kohës dhe mbartin peshën e misionit të veprës letrare. Të gjitha personazhet tjera si Shota Galica, Shaban Manxholli, Mehmet Delia, Emin Lati, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Nazim Gafurri, Mushan Jahudia, Salih Siqani, Banush Berila, Dara dhe Rade Pashiqi, Momçillo Ninçiqi, etj. e përmbushin rrëfimin dramatik me identitete të veçanta, me ide nga më të ndryshmet, me veprime konkrete, me situata të llojllojshme shpirtërore dhe, si ansambël kuptimplotë, ato vihen në shërbim të porosisë së veprës. Syzheu i dramës rrjedh në mënyrë normale pa thyerje të komplikuara dhe formon një tablo epokale, një epope moderne bashkëkohore. Shtresat kuptimore të dramës të ndërtuara nëpërmjet kategorive kuptimore, si: ideja, debati, ligjërata, thirrja, definicioni, portreti i politikanit, sistemet filozofike, sistemet shoqërore, ekonomia politike, revolucioni, shtyllat e pushtetit, objektiviteti, zhvillimi dialektik i gjërave, largpamësia politike, nënvlerësimi dhe mbivlerësimi i armikut, dobësitë dhe veset e politikanit, indiferenca, sedra, vetëkënaqësia, vetëmashtrimi, karrierizmi, mjeshtëria e heshtjes, sistemi shkencor i të menduarit, materializmi dialektik, dobësitë e shqiptarit, vetëdija e fjetur kombëtare, vëllavrasja, pabesia sllave, mos dorëzimi i armëve, përgatitja për luftë, shikimi i problemit nga të gjitha anët, vigjilenca, roli i prijësit në momentin historik, ndihmat materiale për luftë, lidhshmëria e gjërave, zgjidhja e problemeve sipas radhës dhe peshës, sprovimi i bashkëluftëtarit, disiplina, morali, vetëbesimi, vendosmëria, flijimi për ideal, disfatizmi, pacifizmi, përçarjet, injoranca, autoriteti, vullneti si komponentë psikologjike, spontaniteti dhe organizimi, negociatat si manovrim i kulluar, organizimi me program të qartë politik dhe me një strategji e taktikë përkatëse të menduar mirë, kushti që ushtria t’i bindet politikës, aksionet guerile, e kështu me radhë, shtresa kuptimore këto, që, nëpërmjet bisedave spontane dhe të qëllimshme, të lidhura tok në një bosht, formojnë temën dhe motivet kryesore të veprës, qëndresën, organizimin dhe luftën e armatosur, si akte të vetëdijesimit më të lartë të secilit popull të robëruar.

3.

Personalitet poliedrik, humanist dhe ideolog i papërsëritshëm kombëtar, Adem Dema radhitet në mesin e shkrimtarëve të paktë, te të cilët vepra artistike e shkrimtarit përputhet plotësisht me jetën politike, kulturore dhe atdhetare të veprimtarit. Veprimtar i angazhuar vetëdijshëm, që nga rinia e hershme, është e kuptueshme se edhe si shkrimtar ai është kujdesur që veprën e tij artistike ta organizojë dhe ta orientojë në vijën e idealeve të larta njerëzore dhe atdhetare. Kështu, në tërësinë e veprës së tij letrare, me realizëm dhe objektivitet, janë trajtuar problemet jetike të popullit të robëruar shqiptar si dhuna, shfrytëzimi dhe shtypja e armikut serb, ashtu edhe qëndresa, organizimi dhe lufta çlirimtare e popullit tonë. Në këtë drejtim edhe ngjarjet e dramës, pasqyrë artistike e realitetit historik të kohës, hedhin dritë mbi politikën antishqiptare të shtetit serb, politikë kjo sa koloniale dhe pushtuese, po aq çnjerëzore dhe pengesë në rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Në këtë dramë, më hapur se në asnjë vepër tjetër, autori ka trajtuar synimet e vërteta të politikës serbe për serbizimin e Kosovës, pushtimin e Shqipërisë së Veriut dhe asaj të Mesme, me qëllim të fundit të daljes në Detin Adriatik. Shkrimtar i dëshmuar i temave sociale, morale dhe politike, krijues ekzistencialist i preokupuar me çështjet politike të kohës, në dramën “Politika dhe pushka”, Adem Dema shfrytëzon të kaluarën historike për tua bërë më të qartë bashkëkohësve, respektivisht lëvizjes çlirimtare, zhvillimin dialektik të shoqërisë dhe organizimin e mirëfilltë të lëvizjes si parakusht për ngritje në luftë të armatosur drejt lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Teksti i kësaj drame politike, prandaj, aq sa është kronikë ngjarjesh e një realiteti kohor, po aq është tablo historike e ngritur në art, aq sa është evokim autentik lufte, po aq është teori e luftës për liri dhe pavarësi, aq sa është shembull i manovrave diplomatike, po aq është botëkuptim shkencor filozofik, aq sa është dokument letrar kohe, po aq është letërsi fiktive e dorës së parë. Si e tillë, pra, aq sa rrëfen për zhvillimet historike dhe politike të viteve mes dy luftërave botërore, po aq kjo vepër flet për kohën kur u frymëzua dhe u shkrua nga autori i saj. Thënë shkurt, aq sa ishte e domosdoshme në kohën kur u shkrua, po aq kjo dramë është aktuale edhe për kohën tonë.

4.

Ashtu si shkrimtarët tanë të Rilindjes edhe Adem Dema letërsinë e sheh si thirrje dhe mision në shërbim të popullit dhe të atdheut. Prandaj, për t’i vënë në spikamë më mirë aspiratat shekullore të popullit si dhe rrugën për jetësimin e tyre në praktikë, ai dramën e ndërton në teknikën e kontrastit, ku ideja humaniste i kundërvihet luftës pushtuese, e para e përfaqësuar nga personazhet Nurë Shatri e Azem Galica, ndërsa e dyta nga Nikolla Pashiqi e Momçillo Ninçiq. Udhëheqës shpirtëror i popullit, i bindur se fjala e tij ka ndikim të madh, ai gjithë përvojën personale prej ideologut dhe veprimtarit të përjetshëm e mishëron në figurën e Nurë Shatrit, atdhetar, humanist dhe filozof popullor. Si njohës i mirë i të kaluarës dhe të sotmes, i gjuhës dhe etnopsikologjisë së popullit, i bisedave të shtruara parlamentare të odës shqiptare, sidomos me aktivizimin e frazeologjisë popullore në dialogët e personazheve, autori kësaj drame ia ka shtuar koloritin mjedisor dhe natyrshmërinë njerëzore. Drama me titull e thotë përmbajtjen dhe shquhet për figura të pasura, simbole të gjetura, sinteza e përgjithësime të mëdha, lirizëm të lehtë dhe për humor të thellë. E ndërtuar mbi temë historike, me diskurs dominues politik, me strukturë të thjeshtë, me dialogët dramatike, me çaste emocionale reale dhe me artikulim bashkëbisedimi nga tradita oratorike e odës shqiptare, drama ka dalë një realizim i bukur artistik letrar. Autori i dramës ka treguar mjeshtri të rrallë krijuese sidomos në gërshetimin e elementeve të letërsisë klasike, realiste dhe asaj popullore sa, duke i shkrirë ato në një tërësi, ka dhënë një vepër plot jetë, natyrshmëri dhe frymë popullore. Lidhur me përkimet së saj me folklorin, si thesar i çmuar i mendimit, i frazeologjisë, i shprehjes figurative dhe i bisedës me rrotulla, kjo vepër meriton një vëmendje të posaçme nga studiuesit dhe kritika letrare. Gjuha tipike e personazheve në serbishte dhe turke jepet e përkthyer në shqipen standarde, ndërsa ajo e personazheve shqiptare është e folme dialektore e kohës, e folme e odave fshatare të Drenicës, që krijon atmosferën e kuvendeve historike ku merreshin vendime të rëndësishme për faljen e gjaqeve dhe fillimin e kryengritjeve luftarake. Në këtë aspekt drama paraqet një sintezë të prodhimtarisë gojore, një visar shprehjesh frazeologjike, një antologji të mendimit aforistik dhe një vizion konkret për ardhmërinë e atdheut.

5.

Në kohën kur mercenarët shpirtshitur po na sugjerojnë paqen në vend të lirisë, në kohën kur klasa vasale në pushtet po shkel mbi gjakun e dëshmorëve dhe mbi luftën e gjeneratave për liri e pavarësi, në kohën kur po mohohet identiteti kombëtar i popullit, flamuri dhe simbolet tona kombëtare, në kohën kur, në emër të së nesërmes, shqiptarëve u kërkohet të harrojnë pushtimin njëqindvjeçar serb, shpërnguljet me dhunë shtetërore, varrezat masive, djegiet e fshatrave, rrënimin e qyteteve, dhunimin e njëzet mijë grave, në kohën kur po dënohen me burg thuaja të gjithë komandantët e zonave dhe ushtarët e UÇK-së, në kohën kur pasuritë e atdheut po plaçkitën pa mëshirë dhe, më në fund, në kohën kur pas fitores së luftës mbi njëqind vjeçare kundër Serbisë, në tryeza bisedimesh të fshehta, po tregtohen territore të atdheut, drama “Politika dhe pushka” e shkrimtarit Adem Demaçi, me temën e përjetshme, me realizimin e përkryer artistik, me porosinë e saj të qartë, do të jetë aktuale, sot e mot, ashtu si në kohën kur është shkruar. Kjo dramë do të lexohet me interesim, do të luhet në skenën e teatrit, do të gjirohet në film dhe si një dokument tronditës letrar artistik përherë do të prekë në ndërgjegjen e mbarë kombit shqiptar.

 Shkurt, 2016 (Kumtesë e lexuar në Simpoziumin “Adem Demaçi-Ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës”, mbajtur në Volkshaus të Cyrihut, më 21.02.2016)

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …