Kadri Rexha: Fjala, veprimi, pushka dhe gjaku në shërbim të Atdheut

Kadri Rexha: Fjala, veprimi, pushka dhe gjaku në shërbim të Atdheut

(Me rastin e 17-vjetorit të vdekjes së Brahim M. Berishës, luftëtar i mbrojtjes së kufirit të Shqipërisë Etnike, luftëtar i Brigadës së Tretë Sulmuese të UNÇSH-së, bashkëveprimtar i Jusuf Gërvallës, baba i dëshmorit Maxhun Berisha)

 ***

Ishim të këputë ekonomikisht, pa asnjë hall, pos shpirtit nuk na kish mbetur gjë tjetër nga zullumi i shtetit, por bamë dasmë, binin tupanët dhe zurlat sikur ndër beglerë. Armikut duhet me i ba karrshillëk, me i iu mbajt i fortë edhe kur nuk je, mikut duhet me ju kajtë, por armikut duhet me iu lavdue… Vinin pranverat, ato pak bagëti që i kishim, të liga sa mezi kishin dalë në pranverë, i rregullojshim me tufa të leshit, delet i ngjyrosshim me bojë, i bajshim në varg dhe ia mësynim bjeshkës. Binin cingaret e lopëve, rrihnin kambanat e dhenëve, ushtojshin rrugët, ushtojshin shpatijet, me e plasë anmikun, por edhe shqiptarit me i dhanë zemër e vullnet. Kaq mujshim me ba na bujqit dhe kaq bajshim. Dhe, në saje të qëndresës, në saje të flijimit të bijve më të shquar të popullit, në saje të kërkesave të vazhdueshme për të drejtat që na takojshin erdhëm deri te shkollat shqipe, te Flamuri kombëtar, te Universiteti. Kur e kemi fitue Autonominë dhe Kushtetutën e Kosovës e kam ditë se rinia ma nuk ndalet deri te bashkimi i trojeve në një shtet shqiptar.

Brahim M. Berisha

***

      Brahim Maxhun Berisha (1918 – 2002) ka lindur në Prapaqan, në njërin ndër fshatrat më të bukura të Deçanit. Rrjedh nga një familje e madhe fshatare, rrënjët e së cilës shkojnë larg në thellësi shekujsh, gjashtë brezat e fundit të së cilës sot mbahen mend që nga koha e konvertimit prej fesë katolike në fenë islame. Si familje patriarkale familja Berisha ka jetuar dhe ka vepruar duke u marrë me bujqësi dhe me blegtori. Thuhet se Brahimi ka trashëguar tiparet e karakterit dhe të intelektit të gjyshit të tij, Nezir Smailit, luftëtar i Lidhjes së Prizrenit, i burgosur dhe i internuar për shumë vite nga pushtuesi turk, si dhe nga e ëma e tij, Hakë Gërvalla nga Duboviku, motër e Bardhosh Dinës, kryengritës dhe luftëtarë i rezistencës kombëtare, baba i heronjve të kombit, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla.

1

      Lindja dhe zhvillimi jetësor i Brahimit përkon me dhunën dhe gjenocidin serb të ushtruar për shtatëdhjetë vjet rresht në trojet shqiptare të ndara nga Fuqitë e Mëdha në Londër në vitin 1913. Si anëtar i familjes së madhe Brahimi shumë herët fillon të punojë aty ku e kërkonte nevoja. Dhe, puna në ara dhe ajo e mbikëqyrjes së bagëtisë në bjeshkë, nën pushtimin serbomalazez, parakuptonte rreziqe të shumanshme për secilin shqiptar. Rrahja, burgosja, vrasja dhe grabitja e pasurisë së shqiptarit asokohe ishin ndodhitë dhe lajmet më të shpeshta, por, si kundërpërgjigje e dhunës, as qëndresa shqiptare nuk paraqitej si ndonjë rast i rrallë. Fëmijë që po rritej me frymën e kohës, Brahimi, si me shtat ashtu edhe me pjekuri, dallon shumë nga moshatarët e tij. Vetëbesimi dhe krenaria e djaloshit do të rriten sidomos në momentin kur nga i ati do të dëgjojë se si fëmijë në moshën pesëvjeçare kishte marrë përqafimin, uratën dhe përgëzimin e ushtarit të ardhshëm të atdheut nga Azem dhe Shota Galica, të cilët rrugës për në Zonën Neutrale të Junikut, bënin pushimin ose e kalonin natën në odën e Smail Nezirit. Nga ajo kohë e tutje kulla dykatëshe e gjyshit Nezir Smaili në imagjinatën e Brahimit të ri do të merr përmasat e legjendës, ndërsa personazhet e Azemit dhe të Shotë Galicës do t’i vë përkrah Mujit dhe Halilit, trimave të këngëve kreshnikëve. Në gjirin e kësaj familje të madhe dhe në odën e burrave që frekuentohej dimër e verë nga burrat e kohës, Brahimi do të rritet, do të edukohet dhe do të përgatitet për punët e familjes si dhe për veprime të vyera në nivel shoqërorë. Ndjenjën e urrejtjes kundër okupatorit serb, si faktor tjetër formimi të karakterit të tij, pos në familje, Brahimi do ta marrë dhe do ta zgjerojë sidomos gjatë katër viteve të shkollës mbretërore serbe, në të cilën do ta përjetojë konkretisht glorifikimin e historisë, të kulturës dhe të traditave serbe, si dhe mohimin, përbuzjen dhe fyerjen e historisë dhe traditave shqiptare, si synim dhe përpjekje e pushtetit serb që shqiptarët të shpallën turq dhe mbeturinë turke në Ballkan.

2.

      Në kohën kur zullumi serb kish arritur kulmin, ndërsa shteti, me veprime dhe represalie në masë, po e shpejtonte shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, shpërthen Lufta e Dytë Botërore, luftë që shqiptarët e robëruar e pritën si çlirim dhe si shpëtim nga qielli. Gjatë pushtimit fashist fshati Prapaqan, ashtu si edhe mbarë zona e Dukagjinit, bie nën administrimin italian. Administrata serbe, së bashku me kolonistët serbë dhe malazezë, u largua nga Kosova ndërsa qeverisjen e vendit, në krye me pushtuesit italian, e morën shqiptarët. Në këtë kohë Brahim Maxhuni, bashkë edhe me bashkëluftëtarë të tjerë nga Rrafshi i Dukagjinit, Podgurit, Rugovës dhe viset tjera të Kosovës, për plot tri vjet mobilizohet në ushtri të rregullt dhe pozicionohet në vijën Çakorr-Rozhajë-Pazar i Ri, në mbrojtje të popullatës shqiptare të Plavës, Gucisë, Beranës, Sjenicës dhe të kufirit të Shqipërisë Etnike nga sulmet çetnike serbo-malazeze dhe nga partizanët jugosllav. Hyrja e formacioneve partizane të UNÇ të Shqipërisë në Deçan, më 17 Nëntor të vitit 1944, Brahimin e gjen në Qafë të Çakorrit, prej nga do të zbresë fitimtar dhe, me shpresën e madhe të lirisë dhe të bashkimit të trojeve shqiptare, menjëherë do të hyjë në radhët e Brigadës së Tretë Sulmuese të UNÇ të Shqipërisë në ndjekje të nazistëve gjerman, duke çliruar Deçanin, Pejën, Istogun, Rakoshin, Mitrovicën, Dragën, Tutinën, Pazarin e Ri, Peshterin, Senicën, Prijepolen, etj, prej nga pas një lufte të madhe fyt a fyt me armikun dhe pas viktimave të shumta, të tradhtuar nga politika shoviniste serbe, me pretekst se duhet të shkohet në ndjekje të gjermanëve ne drejtim të Greqisë, larg syve të popullit shqiptar, marshojnë nëpër Maqedoni dhe kalojnë kufirin për në Shqipëri.

3.

      Nga fronti i luftës, i zhgënjyer tej mase, Brahimi kthehet në Prapaqan. Tradhtia tradicionale serbe dhe politika e udhëheqjes komuniste dhe ushtarake jugosllave e kohës e kishin bërë të sajën. Vrasjet e pashembullta dhe masakrat e shumta e kishin ngritë popullin në rezistencë të armatosur. Kosova vlonte në rajonin e Drenicës, Gjilanit, Dukagjinit, Pazarit të Ri, Tetovës, Gostivarit, Shkupit. Aplikimi i pushtetit ushtarak mbi popullsinë shqiptare menjëherë pas largimit të ushtrisë gjermane përkujtonte pushtimin serb të trevave shqiptare në vitin 1912 dhe ripushtimin serb të vitit 1918. Pushteti ushtarak, pas masakrave në zonat kryengritëse, pas shuarjes me gjak të kryengritjes së armatosur të udhëhequr nga Shaban Palluzha, mobilizoi dhunshëm djalërinë shqiptare në formacione ushtarake të brigadave kosovare gjoja për plotësimin e njësive të brigadave ushtarake jugosllave dhe brigadave të punës dhe i dërgoi në zonat veriore jugosllave me qëllim që të zbrazen trojet shqiptare nga elementi mbrojtës. Përfundimi i këtij mobilizimi të dhunshëm është tragjik. Kolonat e çarmatosura të rinisë shqiptare, të mobilizuara dhunshëm, gjatë marshimeve drejt vdekjes së programuar, kosa serbe i kositi në mënyrën më të egër. Një brez rinor i një populli liridashës, i kërcënuar nga pushka dhe bajoneta serbe, të etur dhe të pa bukë, të lodhur dhe të dërmuar nga marshimet e vdekjes do ta përjetojnë golgotën e vërtetë serbe dhe do të përfundojnë nga rafalet e mitrolozëve, helmimet, vrasjet me gas dhe nga infektimet e injektuara me sëmundjen e tifos. Këtij mobilizimi Brahim Maxhun Berisha do t’i shmangët me mjeshtri dhe guxim. Kërkesat, urdhrat, kërcënimet dhe bastisjet e rregullta, për tri vjet rresht, nga pranvera e vitit 1945 e deri në pranverë të vitit 1948, Brahimi do t’i kalojë në kullën e tij, në një kthinë mes dy mureve me hyrje nga tavani, kthinë të cilën e ka ditur vetëm një person i shtëpisë. Pas tri vjetëve, me ndërmjetësimin e miqve të kohës, Brahimi bie në dorë dhe, pas dy javë burgu që do t’i mbajë, dërgohet në shërbim të rregullt ushtarak edhe për tri vite tjera, ku do të përballojë sprova nga më të ndryshmet.

4.

      Nga shërbimi ushtarak Brahim M. Berisha kthehet burrë i pjekur dhe i gatshëm për t’u dalë për ballë të gjitha problemeve që po i sillte koha dhe regjimi i pushtetit gjakatar serb. Duke ia parë zotësinë, zgjuarsinë, aftësitë, shkathtësitë, kujdesin për familjen, oratorinë, sjelljen e mirë, dhe, mbi të gjitha, drejtësinë dhe interesin për mirëvajtjen morale dhe ekonomike të familjes, edhe pse në moshë të re, xhaxhallarët, Brahimin e emërojnë për zot shtëpie, kryefamiljar, detyrë dhe obligim, të cilin do ta përmbushë denjësisht si brenda ashtu edhe jashtë familjes. Tash, pas mbarimit të shërbimit ushtarak, pos obligimeve për mbarëvajtjen e familjes, Brahimin e presin probleme të tjera që pushteti serb i kish imponuar mbi popullin shqiptar. Programi fashist i Çubrilloviqit, “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”, i vitit 1944, po zbatohej me hapa të shpejtuar. Krahas masakrave mbi masat shqiptare tashmë kolonët e vjetër serbë dhe malazezë ishin kthyer në tokat e zaptuara shqiptare, ndërsa administrata po pushtohej nga kolonë të ri. Menjëherë pas Luftës dhe sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, administrata serbe po punonte me propagandë të shtuar për mohimin e përkatësisë kombëtare të shqiptarëve dhe për favorizimin e të gjithë shqiptarëve të fesë myslimane që të regjistrohen si turq. Në këto masa të dhunës shqiptarëve u mohohej përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla, përdorimi i flamurit si dhe përdorimi i simboleve kombëtare. Duke e kthyer në ligj shkombëtarizimin dhe turqizimin e shqiptarëve shteti po përgatiste shpërnguljen e tyre të shpejt për në Turqi. Propaganda e regjimit për deklarimin e shqiptarëve në turq shoqërohej me dhunën individuale dhe atë kolektive në çdo pore të jetës. Në kuadër të këtij presioni aplikohen masa antishqiptare ekonomike si konfiskimi i tokave të familjeve të shpallura “armike”, “kulake” dhe dhënia e tyre kolonëve serbo-malazezë, mbledhja e tepricave, që popullin e çuan buzë varrit, shtetëzimi i pronave shqiptare, taksat e rënda për të gjitha veprimet në fushën e bujqësisë dhe të blegtorisë, fillimi i procesit të kolektivizimit të tokave si dhe aksioni për mbledhjen e armëve, terror në masë, me çka shteti synonte krijimin e një situate të pa sigurt për shqiptarët dhe nxitjen e procesit të shpërnguljes së shqiptarëve në përmasa sa më të mëdha. Këtij terrori dhe presioni shtetëror, ashtu siç bëri pjesa më e vetëdijshme e popullit, me tërë qenien, iu kundërvu edhe Brahim Maxhun Berisha.

5.

      I edukuar nga të parët se, pos plumbit, armikut nuk i jepet asgjë vullnetarisht, edhe aksionit për dorëzimin e ashtuquajturave teprica, Brahimi, me aq sa pati mundësi, nuk iu përgjigj. Së pari, në marrëveshje me të atin, për disa net me radhë, fshehtë familjes, e bartë një pjesë të drithit të misrit në një arkë të improvizuar me dërrasa, të përgatitur enkas për këtë punë, dhe e vendos në gropë të hapur nën bazamentin e hambarit, pjesë që shërbente edhe strehë për qentë e oborrit. Mungesën e tëlynit do ta kompensojë me dhjam të derrit të blerë nga malazezët në treg të Deçanit, të cilin e përzien me patate të ziera, ndërsa ditën kritike të bastisjes së shtëpisë, nga tufa e bagëtisë, me ndihmën e zonjës së shtëpisë, arrin ta shpëtojë një lopë me viç, të cilën do ta fshehin në dhomën e grave, njëkohësisht kuzhinë, të tymosur qëllimisht për këtë rast. Aksionin për kolektivizimin e tokës Brahimi do ta kundërshtojë haptas si në mbledhjen e fshatit, po ashtu duke bërë propagandë edhe në fshatrat për rreth, për çka, një kohë, do të bëjë jetë ilegali duke u strehuar si në shtëpi ashtu edhe ndër miq. Sidomos nga viti 1953 e më vonë masat represive të shtetit po jepnin rezultatet e para. Nga viti në vit me mijëra familje shqiptare të konvertuara në turq po shpërnguleshin dhunshëm për në Turqi. Në këtë drejtim, shteti kërkonte që shpërnguljet e shqiptarëve të  shumoheshin dhe të shpejtoheshin hala më shumë. Për këtë qëllim shteti organizon dhe e zbaton të ashtuquajturin aksion për mbledhjen e armëve gjatë dimrit të ashpër të vitit 1955/56 Për nga terrori dhe masakrat ky aksion ishte i pashembullt në historinë e deri atëhershme. Me lista të përpiluara qysh përpara ftoheshin në stacionet e milicisë burrat më në zë për t’i dorëzuar armët. Ata që nuk i kishin, pasi që dërmoheshin nga torturat çnjerëzore, lëshoheshin në heshtje për ta blerë armën e kërkuar. Bashkëpunëtorët e UDB-ës shitnin armë sikur patate në treg. Një pushkë shitej dorë më dorë deri në tridhjetë herë. Brahimi, edhe pse e kishte pushkën, me vetëdije të plotë u bën ballë torturave dhe del nga duart e udbës. Duke qenë i njoftuar se pushkët bliheshin nën mbikëqyrjen e UDB-ës, për të lënë përshtypjen se nuk ka pushkë, e shet lopën në treg të Pejës, e blen pushkën dhe e dorëzon në organet sigurimit, në stacionin e milicisë në Deçan. Sipas statistikave të mëvonshme, kuptohet të zvogëluara, gjatë këtij aksioni, në rrethet e Kosovës, janë rrahë mbi 30 mijë shqiptarë, 300 prej të cilëve kanë vdekur nga torturat, me mijëra të tjerë dhunshëm janë konvertuar në turq, ndërsa deri në vitin 1966 nga Kosova për në Turqi janë shpërngulur mbi 250 mijë shqiptarë.

6.

      Brahim M. Berisha gjatë asaj periudhe jo vetëm që fton për qëndresë në trojet e të parëve por me shembullin e tij blen tokën e grabitur nga një kolon malazez dhe gjatë atij viti martohet me Fatime Zukaj, bijë e Metë Kadrisë, fisi Shalë, e lindur më 1934 në fshatin Beleg i Deçanit, amvise e mirë,  punëtore në fushë, nënë e përkushtuar, me të cilën do t’i rritin katër fëmijë, Halën, Maxhunin, Aliun dhe Dautin. “Ishim të këputë ekonomikisht, pa asnjë hall, pos shpirtit nuk na kish mbetur gjë tjetër nga zullumi i shtetit, por bamë dasmë, binin tupanët dhe zurlat sikur ndër beglerë” thotë Brahimi, dhe vazhdon “armikut duhet me i ba karrshillëk, me i iu mbajt i fortë edhe kur nuk je, mikut duhet me ju kajtë, por armikut duhet me iu lavdue… Vinin pranverat, ato pak bagëti që i kishim, të liga sa mezi kishin dalë në pranverë, i rregullojshim me tufa të leshit, delet i ngjyrosshim me bojë, i bajshim në varg dhe ia mësynim bjeshkës. Binin cingaret e lopëve, rrihnin kambanat e dhenëve, ushtojshin rrugët, ushtojshin shpatijet, me e plasë anmikun, por edhe shqiptarit me i dhanë zemër e vullnet. Kaq mujshim me ba na bujqit dhe kaq bajshim. Dhe, në saje të qëndresës, në saje të flijimit të bijve më të shquar të popullit, në saje të kërkesave të vazhdueshme për të drejtat që na takojshin erdhëm deri te shkollat shqipe, te Flamuri kombëtar, te Universiteti. Kur e kemi fitue Autonominë dhe Kushtetutën e Kosovës e kam ditë se rinia ma nuk ndalet deri te bashkimi i trojeve në një shtet shqiptar. Rinia e ka sha Fadil Hoxhën, por Fadili asht kanë atdhetar, asht shkollue në Shqipni, gruen e ka pasë shqiptare, mësuese të mirë. Ai e ka njoftë kohën, i ka njoftë senet, ka muejt edhe ai me iu bashkue Shaban Palluzhës, me u vra bashkë me ta dhe kurrnjë send. Kam thanë gjithmonë se Shabani me luftën e vet e ka shpëtue Kosovën pa u farue, Demë Ali Pozhari me tërhjekjen e tij pa luftë e ka shpëtue Dukagjinin pa u ba rrafsh me tokë, Fadil Hoxha me politiken e gjakovarit e ka prue Kosovën deri në Autonomi të plotë. Fadil Hoxha ka pasë dallim të madh me Ali Shkukrinë, me Sinan Hasanin dhe me Kolë Shirokën. Kur kanë provue në kohën e Rankoviqit me na i mëshelë shkollat shqipe Fadili ka kundërshtue me fjalët: kemi ba luftë për liri e për të drejta dhe në koftë nevoja i kapemi malit përsëri, opangat e luftës hala i ruaj të varuna në tavan”.

7.

      Arsimimi i Brahim M. Berishës përmblidhej në vetëm katër klasë, por ai kishte një inteligjencë të lindur, kish intuitë të formuar, kish shkollën e odës së burrave. Dëgjonte lajmet, lexonte gazetën, shikonte dokumentarët, filmat me temë historike, propagandonte  të renë në rrugë, në autobusë, në odë dhe, ndonjëherë, ditëve të premte në xhami. Brahimi ka folë me rend, ka ditë me heshtë, por ka reaguar flakë për flakë ndaj budallaqeve dhe ndaj porosive të dëmshme për popullin dhe për atdheun.

      Si zot shtëpie, ndonëse i ri, në marrëveshje me xhaxhallarët, ka planifikuar detyrat lidhur me punët rreth shtëpisë, punëve rreth bagëtisë në bjeshkë, në mungesë të tokës ka marrë ara me qira, ka shitur prodhimet në treg, ka blerë mallra dhe artikuj për nevoja të shtëpisë, gjatë dimrit, me arka mollësh, i ka rrah tregjet e bregdetit Adriatik nga Ulqini e deri në Split. Në mungesë të nevojshme të tokës, gjatë verës, shpesh herë ka dalë me kosë për të kositur, me javë të tëra, deri në rrethinat e Gjakovës.

      Pas ndarjes nga xhaxhallarët, diku kah gjysma e viteve të 70-ta Brahimi vazhdon të jetojë në kullën e moçme së bashku me vëllain, Avdylin. Kulla e moçme vazhdon traditën me mysafirë të shumtë dhe me debatet politike të kohës e merr rolin e një institucioni të kuvendit. Tash, në kushte dhe rrethana të reja, kulla gufon nga brezi i ri, katër fëmijë të Brahimit dhe dhjetë të Avdylit, një pjesë e të cilëve vijonin mësimet në shkollën fillore e deri në atë të mesme. Nëse deri dje në odë të burrave u këndohej me lahutë dhe me çifteli kreshnikëve legjendarë dhe trimave të historisë tash aty dëgjohet Radio Kukësi, Radio Tirana, shikohet Radio Televizioni Shqiptar, mësohet historia e gjuhës shqipe, historia e letërsisë shqipe, historia e popullit shqiptar, lexohet Barleti, De Rada, Naimi, Fishta, Noli, Adem Istrefi, Jusuf Gërvalla, Dritëro Agolli, Jakov Xoxa, Ismail Kadare. Idetë patriotike dhe revolucionare nga Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” po merrnin udhë dhe po përtërinin fshatrat e Deçanit, ndërsa nëpërmjet Halës, Haxhiut, Maxhunit, Jasharit, Aliut, etj. këto ide të përflakura po i jepnin vrull e gjallëri kullës së lashtë të Berishëve.

      Gjatë viteve 1980 dhe 1981 Barahim Maxhuni disa herë shkon në Gjermani prej të cilit vend, si dikur nga Prishtina, me porosi të Jusuf Gërvallës bartë materiale të Lëvizjes dhe i shpërndan në adresa të caktuara. Nën frymën e kohës dhe në dritën e punës së djalërisë atdhetare shqiptare, qendrat komunale, dyert e objekteve publike dhe asfalti i rrugëve të Rrafshit të Dukagjinit, herë pas herë, po agonin të qëndisura me parulla politike dhe me thirrje liridashëse drejtuar popullit. Në mesin e kësaj rinie atdhetare të kohës, me një veprimtari modeste, me një arrest dhe burgosje prej disa ditësh në pranverën e vitit 1980, në dyert e altarit të atdhedashurisë, i heshtur, por i vendosur, po trokiste edhe ushtari i ardhshëm dhe dëshmori i pavdekshëm i UÇK-së, Maxhun Berisha.

Brahim M. Berisha vdiq në Prapaqan në moshën 84-vjeçare, më 1.9.2002.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …