Limak Kosovo
Fillimi / Kultura / Kadri Rexha: Lek Lekë Matrënga ( 1560-1619 ) autori i parë i letërsisë së arbëreshëve të Italisë

Kadri Rexha: Lek Lekë Matrënga ( 1560-1619 ) autori i parë i letërsisë së arbëreshëve të Italisë

(Lekë Matrënga 1560-1619)

Për Lekë Matrëngën, autorin e veprës më të lashtë të letërsisë arbëreshe, si edhe për disa autorë tjerë të letërsisë sonë të vjetër, nuk ekziston ndonjë fond i gjërë i të dhënave ku do të mësohej më shumë për jetën dhe veprën e tij. Lekë Matrënga u lind në vitin 1560 në katundin Hora të arbëreshëve në afërsi të Palermos, në Sicili. Dihet se qe pasardhës i një familjeje të shquar e cila kishte emigruar nga Himara qysh në vitet e para pas vdekjes së Skënderbeut, në ato vite kur turqit i shtuan luftërat dhe pas një përpjekjeje të madhe ia dolën të thejnë qëndresën heroike të popullit tonë dhe ta fusin nën sundimin e vet edh Shqipërinë. Sundimi turk për të, si edhe për vendet tjera, qe një katastofë e madhe kombëtare. Shqipëria, e çmuar dhe e nderuar si shpëtimtare e krishtërimit nga qytetërimi evropian, kthehet në gërmadhë: shumë qytete, bashkë me kulturën e pasur, u rrafshuan me tokë, banorët e saj u masakruan, të tjerët u ngjitën në malësitë e pakalueshme për armikun, atje ku e ndienin veten Ante mitologjik, ndërsa shumë të tjerë, gati një e treta e popullsisë, që të mos i shtrohet zgjedhës së urryer turke u detyruan t’i braktisin vatrat e shenjta duke u mërguar përjetë në bregun e përtejmë të Adriatikut dhe u vendosën në jug të Gadishullit Apenin. Me lotë në sy ua kthyen shpinën vatrave të mbetura shkret, të cilat po i merrte i huaji. Qanin për dheun e bekuar që mbante në gji të vet asht e rrashtë të etërve dhe vëllezërve të tyre luanë, të cilët për njëzet e pesë vjet rresht, me qëndresën heroike, i dhanë dritë e nam Shqipërisë. Vashat e veshura me të zeza, me dënesje dhe rënkim të papërmbajtur, vajtonin për dheun e lënë dhe për fatin e vet të mjerë: 

Lamtumirë dheu im, 
T’përshëndes se po të lë
E s’do të shoh un’ ty më
As kam vend se ku të vete
As qytet ku të vendosem
Pa një shpi ku të mbëlidhëm
Këto degë e këto lule
Vyshkën shpejt kur të jenë larg
Nuk ma nxjerrin fare mallin

Emigrimi drejt Italisë, në grupe të vogla, kishte filluar edhe më herët, por pas vdekjes së Skënderbeut mori përmasa më të mëdha. Me urdhër të Mbretit të Napolit emigranet shqiptar u vendosën në trevat më të varfëra të Italisë Jugore, si në Basilikata, Pulja, Kalabri dhe Sicili. Në gjysmën e parë të shekullit XVI për në Itali emigrojnë edhe një pjesë e shqiptarëve nga Morea e Greqisë. Si pasojë e jetesës në kushte të vështira ekonomike, sociale dhe kulturore emigrantët shqiptarë përgjithësisht bënë një jetë të izoluar nga vendësit. 
Këta emigrantë me vete bartën një kulturë të pasur shpirtërore. Me dashurinë dhe më të madhe ata ruajtën gjuhën, zakonet kombëtare, kujtimin e gjallë të dheut te të parëve dhe të Skënderbeut… Nga kjo degë e trungut të kombit tonë do të dalin shumë personalitete të shquara, të cilët gjatë shekujve do të japin çdo gjë nga vetja për të mbajtur të gjallë në ato vise historinë dhe traditat e stërgjyshëve. Lekë Matrënga është njëri ndër ta dhe konsiderohet si themeluesi i një tradite të pasur letrare, e cila sa vjen e pasurohet më shumë për t’i dhënë frytet e pjekurisë, sidomos me De Radën, Darën e Ri, Seremben dhe Santorin, gjatë përiudhës së Rilindjes sonë Kombëtare. 
Pas mbarimit të mësimeve fillestare, Lekë Matrënga studioi në kolegjin fetar të Shën Atanasit në Romë. Përveç me mësimet fetare, në këtë kolegj, Matrënga u pajis edhe me njohuri të nevojshme nga letërsia antike greke e latine. Pas studimeve Matrënga shërben si prift në vendlindje. Për t’u ardhë në ndihmë bashatdhetarëve të vet, të cilët, siç pohon në librin e tij, nuk e kuptonin fare italishtën, i përvishet përkthimit të një katekizmi. Libri “Embsuame e Kërshterë”, përkthim i katekizmit të priftit spanjoll Ladesma, u botua në Romë në vitin 1952, po atë vit kur edhe filloi të punojë. Të njëzet e tetë faqet e tij hapen me një letër kushtesë me anën e së cilës autori i shpjegon rrethanat dhe qëllimin e përkthimit të kësaj vepre. Në vijim, fill pas kushtesës, pas një kënge të përshpirtshme që përbëhet prej tetë vargjesh, të cilën Matrënga e përkthen në mënyrë të lirë nga gjuha latine. Libri ka për bazë alfabetin latin. 
Shikuar në tërësi kjo vepër ka rëndësi të shumëfishtë, por në mënyrë të veçantë rëndësia e saj qëndron në aspektin historik dhe gjuhësorë. Është vepër e parë e letërsisë arbëreshe e shkruar në toskërishte dhe, pas “Mesharit” të Gjon Buzukut, numërohet si libri i dytë i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në përgjithësi. Në këtë libër gjenden edhe vargjet e para të letërsisë shqipe. Me këtë vepër, në trevat arbëreshe, fillon një traditë e të shkruarit në gjuhën shqipe që nuk do të pushojë në asnjë kohë. Lekë Matrënga vdiq në vendlindje, në vitin 1619. 

Lekë Matrënga:

KËNGË E PËRSHPIRTËSHME 

Gjithëve thëres, kush do ndëlesë,
të mirë të krështë, burra gra, 
mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë, 
se s’ishtë njerii nesh çë mkatë s’kaa; 
e lum kush e kujton se ka të vdesë, 
e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa, 
se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë, 
e bën për bijr të tij e për vëlla.

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Azizi: Sanxhaku duhet ta gëzojë një autonomi speciale, substanciale, mbështetur mbi të drejtën e Vetëvendosjes

Ismet Azizi: Sanxhaku duhet ta gëzojë një autonomi speciale, substanciale, mbështetur mbi të drejtën e Vetëvendosjes

Në emisionin “Bisedë në Studio” të TV-Diellit, studiuesi, veprimtari dhe profesori,  Ismet Azizi ka folur ...