leoni

Kadri Salih Qerimi (10.12.1968 - 20.4.1999)

Kadri Salih Qerimi (10.12.1968 – 20.4.1999)

Familja Qerimi nga Katunishta është dëshmuar me patriotizëm dhe sakrificë për atdhe, duke dhënë trima luftëtarë në të gjitha kohërat. Gjyshi i Kadriut, Ademi, ishte në grupin e shqiptarëve që u dërguan për të luftuar armikun dhe shkoi nga Prishtina deri në Tivar, në këmbë. Atje arriti një ditë pas masakrës së njohur të Tivarit. Ndërsa babai i Kadriut ra dëshmorë në luftën e fundit, dhjetë ditë para të birit, dhe gati gjatë tërë kohës së luftës ishin të pandarë në front. Bashkëshortët, Mihanja dhe Salihu kishin pesë fëmijë, katër djem e një vajzë: Kadriun, Ilazin, Ekremin, Avniun dhe vajzën Astrien.

Dëshmori i kombit Kadri Qerimi ishte fëmija i madh i tyre, i cili u lind më 10 dhjetor 1968, në fshatin Katunishtë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në Llapashticë, të mesmen në Besianë, drejtimi teknik, dega e ndërtimtarisë. Studimet i vazhdoi në Fakultetin Teknik në degën e ndërtimtarisë, në Prishtinë, por për shkak të kushteve ekonomike i ndërpreu. Ai ishte largpamës dhe çdo herë e mendonte gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në Kosovë. Edhe pse ishte i ri, demonstratat e vitit 1988-89, Kadriun e shtynë që edhe më shumë të përqendrojë vëmendjen dhe të përkushtohet rreth çështjes kombëtare. Në çdo demonstratë ishte pjesëmarrës dhe nuk kurseu asgjë nga vetja e tij për të kontribuar për çështjen e Kosovës. Në vitin 1995, si shumë bashkëkombës u detyrua të marrë rrugën e mërgimit dhe shkoi në Gjermani. Edhe atje ai u angazhua për çeshtjen kombëtare dhe nga atje dha kontributin e tij.

Krismat e para të pushkëve të UÇK-së, Kadriun e gjetën të përgatitur në çdo aspekt dhe ato e gëzuan pa masë. Kështu, kontaktet e tij të para me pjesëtarët e UÇK-së ishin në shtator të vitit 1998, ku menjëherë radhitet në radhët e saj, duke dhënë kontribut të çmueshëm në luftë kundër armikut shekullor. Menjëherë pas inkuadrimit në radhët e UÇK -së ai me disa shokë shkon në Ashlan dhe sjell një rimorkio të traktorit me armatim, për shokët e luftës në ZOLL. Fillimisht ishte i sistemuar në fshatin e tij të lindjes, në Katunishtë, në njësitin e komandant Gjilanit, ku qëndroi deri në fund të nëntorit të vitit 1998. Ishte i dalluar ndër shokë për artin luftarak dhe për trimëri të rrallë. Më pas kalon në pozicionet e luftarake në fshatin Kastrat (ish – Obranqë). Ai mori pjesë në shumë beteja, siç janë Beteja e 27 dhjetorit 1998 në Kastrat, ku ai bashkë me t’et, Salihun, dëshmor dhe me shumë shokë të tjerë tregon trimëri të rrallë në luftimet ballë për ballë me armikun. Ai me mortajën e tij 500 mm, në një distancë rreth 100 metra, godet pamëshirshëm armikun duke i shkaktuar dëme në teknikën luftarake dhe në njerëz, ku edhe e ndali ofensivën serbe duke ia paralizuar planin armikut, i cili kishte për qëllim thyerjen e vijës së parë të frontit në këtë fshat, e pastaj të depërtonte në thellësinë e fshatrave të tjera e që pikësynim kishte depërtimin te Shtabi i ZOLL, që ndodhej në fshatin Llapashticë. Mirëpo, aty ishte Kadri Qerimi me bashkëluftëtarë, të cilët nuk lejuan të thyhet pika ushtarake në fshatin Kastrat dhe forcat e armikut u detyruan të tërhiqen për të provuar herë të tjera. Por, sa herë që provuan e pësuan nga Kadriu me shokë. Kjo pikë u sulmua disa herë por asnjëherë nuk u thye.

Një lapidar, i paraparë të ngrihet për nderim të dëshmorëve të kombit dhe luftën e lavdishme të UÇK -së në këtë fshat, është paraparë të vendoset pikërisht në vendin ku Kadri Qerimi shkrepi predhën e parë të mortajës me të cilën goditi dhe paralizoi makinerinë serbe, duke i shkaktuar humbje si në teknikë luftarake ashtu edhe në njerëz. Kadriu ishte i punësuar në Gjermani por me shpërthimin e luftës u kthye dhe iu bashkua radhëve të UÇK-së. Ishte dëshira e madhe për liri por edhe brumosja e tij me dekada në rrugën e lirisë, si dhe tradita familjare bëri që ai të lë punën dhe jetën luksoze në perëndim dhe të kthehet e të japë kontributin e tij për lirinë e vendit. Ai, që nga inkuadrimi në radhët e UÇK-së e deri në rënien heroike të tij ishte gjithmonë në vijën e parë të frontit.

Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë kanë qenë babai i tij, Salihu, Sahit Musa, Isak Abdullahu, Flori, Hoxha, Vogëlushi, Naim Rudari, Refki Hoti, Jahë Abdullahu, Xhevdet Fejzullahu, Ceni, Gani Jusufi, Faik Segashi, Xheku, Mexhit Shabani, Nazmi Potera, Gjarpëri, Bungu, komandant Gjilani, Komita, Rrapini, dëshmor etj.

Duke përkujtuar figurën e dëshmorit Kadri Qerimi, bashkëluftëtari i tij Naim Rudari thotë: “Pas shumë ofensivave të zhvilluara kundër okupatorit serb u sistemova në njësitin “Ulpiana 35” të Brigadës 152 “Shaban Shala” të ZOLL ku pata nderin që të jem me Kadriun, i cili kishte treguar një trimëri të rrallë në beteja e sidomos në betejat e dhjetorit 1998.

Në betejat e dhjetorit të vitit 1998, që u zhvilluan në Llapashticë, Kastrat, Katunishtë e mese të tjera në Llap, luftëtarët e UÇK -së, me heroizëm të paparë shpërndanë anekënd botës mesazhin shumë domethënës, se do të luftohet për liri deri në ushtarin dhe njeriun e fundit. Ato ditë në ato beteja ku në ballë të frontit ishte edhe Kadri Qerimi, u mposht njëherë e përgjithmonë fryma pushtuese dhe u thye miti për pathyeshmërinë e ushtrisë pushtuese serbe.

Andaj Beteja e Tabeve të Llapashticës dhe të gjitha betejat e tjera në Llap dhe anekënd Kosovës, dëshmuan për epokën e UÇK-së, lavdia e të cilës tregoi njëherë e mirë se sa e rrënjosur ishte në ne ndjenja e lirisë, brumosi vendosmërinë për çlirim me të cilën do të krenohemi me shekuj. Në qëndresën gjithëshqiptare për liri e çlirim, epoka e UÇK -së, do të shkëlqejë gjithmonë dhe do të shërbejë si burim, nga i cili do të ushqehen ndjenjat liridashëse e brezave që do të vijnë.

Kështu ai në betejën e 27 dhjetorit të atij viti, së bashku me babain e tij kishte paralizuar forcat armike dhe nuk i lejoi të depërtojnë në fshatin Kastrat. Ata bashkërisht ishin barriera të pakalueshme për armikun. Aty ballafaqoheshin zemra me metalin dhe armiku e kuptoi se tani Kosova ka ushtrinë e sajë që nuk do ta lejojë asnjë pëllëmbë toke.

Kadriu prapë shkëlqen në betejat e Katunishtës, ku pandërprerë u zhvilluan luftime të një intensiteti të lartë.

Më 13 prill 1999, Kadriu dëshmohet si një strateg i shquar dhe diversant i rrallë, ku përgatit planin dhe vetë i prin aksionit ku sulmohet një bazë e armikut në fshatin Katunishtë. Ai i shoqëruar nga disa shokë, në orën tre të mëngjesit, futet në brendi të bazës së armikut që ndodhej në shtëpinë e Sejdi Begollit dhe nga dritarja e asaj ndërtese, ua hedh predhat e mortajës. Ky ishte një aksion shumë i suksesshëm ku u vranë 17 pjesëtarë të armikut, kurse nga radhët e UÇK-së nuk pati asnjë të lënduar.”

Me 18 prill 1999 Kadriu nga eprorët e lartë të UÇK-së të ZOLL emërohet komandant toge dhe transferohet në fshatin Pakashticë, ku duhej mbrojtur popullata e dëbuar nga fshatra tjera të Llapit e që ishin strehuar në këto anë. Posa arrin në këtë fshat fillon të bëjë planet dhe përgatitjet strategjike se nga duhet mbrojtur popullata. Mirëpo, posa merr vesh se këmbësoria e armikut ka bërë lëvizje në atë pjesë nga mund të depërtonte te popullata, ai sulet si luan dhe në dyluftim e sipër me forcat e okupatorit, më 20 prill bie heroikisht në vendin e quajtur Jahovc të fshatit Pakashticë.

Ai është varrosur nga të afërmit dhe bashkëluftëtarët më 21 prill, në varrezat e lagjes së Parduzve, ndërsa është rivarrosur më 11 janar 2000 në fshatin e lindjes, në Katunishtë, ku prehet përkrah babait dëshmor. Në vendin e rënies i është ngritur lapidari.

Kadriu ishte i martuar me Safete Kajtazin nga Pakashtica, lagja e Parduzve dhe ka lënë pas vetes dy fëmijë, vajzën Blinerën dhe djalin Valdrinin.

Pas luftës familja e dëshmorit të kombit Kadri Qerimi është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme, nga UÇK -së, ZOLL-it, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 - 2.12.1998)

Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 – 2.12.1998)

Dëshmori Hyzri Talla ka lindur në fshatin Letancë të Besanës (ish-Podujevë) në një familje të …