Komisioni Evropian ka njoftuar se po pret që Kosova ta njoftojë zyrtarisht për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare që mandej të nisë me pagesën e para-financimit nga Plani i Rritjes. “Sapo ligjet të shpallen zyrtarisht dhe kjo t’ia komunikojë zyrtarisht Komisionit, dhe me kusht që të përmbushen kushtet e përgjithshme [stabiliteti makroekonomik, menaxhimi i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit] dhe parakushtet [respektimi i mekanizmave demokratikë, angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë] mund të bëhet lëshimi i fondeve nën Planin e Rritjes”, është cituar të ketë thënë për Rradion Evropa e Lirë një zëdhënës i Komisionit Evropian. Pakoja e Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro, prej të cilave 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
