Komuna e Malishevës vazhdon përkrahjen për bletarët

Edhe këtë vit, Komuna e Malishevës, ka vazhduar përkrahjen për bletarët lokal, përkatësisht për ata bletarë, të cilët kanë më pak se tridhjetë shoqëri bletësh dhe nuk mund të përfitojnë nga donacionet e ministrisë së bujqësisë. Këtë kategori të bletarëve, rreth 150 prej tyre, i ka përkrahur komuna, duke ju shpërndarë koshere dhe centrifuga.

Sipas drejtorit të bujqësisë, në Komunën e Malishevës, Haxhi Krasniqi, “në kuadër të përkrahjes në bujqësi, edhe sektori i bletarisë është përkrahur me mjete konkretizuese, përkatësisht me koshere dhe centrifuga, ku përfitues janë 140 bletarë me koshere dhe dhjetë të tjerë me centrifuga”.

Për këtë qëllim, Komuna e Malishevës, ka dhënë një fond prej 12150 euro, ku do të shpërndahen 250 koshere bletësh dhe dhjetë centrifuga, duke i përkrahur bletarët, të cilët nuk kanë mundësi të aplikojnë për subvencione në grantet qeveritare, pasi kanë më pak se tridhjetë shoqëri bletësh.

Sipas, kryetarit të Shoqatës së Bletarëve të Malishevës, Sali Bytyçi, “në Komunën e Malishevës, përkatësisht të anëtarësuar në këtë shoqatë janë afro dyqind anëtarë, me rreth tre mijë shoqëri bletësh dhe çdo përkrahje për bletarët është e mirëseardhur”.

Bazuar në të dhënat e shoqatës, në kushte normale të prodhimit, kjo sasi e shoqërive të bletëve, mund ti përmbushë nevojat e Komunës së Malishevës me mjaltë, gati njëqind për qind, edhe pse në dy vitet e fundit, ka qenë vit i brishtë për bletë, pasi nuk ka pasur sasi të mjaftueshme të mjaltit”.

Kontrolloni gjithashtu

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Arsmit 2024 – 2027

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor …