Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Beshiktashit të Stambollit do të binjakëzohen së shpejti

Një delegacion i komunës Beshiktash të Stambollit, me në krye avokatin e njohur Murat Hazinedar, kryetar, ka qëndruar në Mitrovicë, me ç’rast është pritur nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nënkryetari Eroll Zekeria dhe zyrtarë të tjerë komunal.

Delegacioni nga Stambolli fillimisht është pritur në ambientet e ndërtesës së administratës komunale dhe më pastaj ka bërë një shëtitje nëpër qytet, duke përfshi këtu edhe cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër. Anëtarët e delegacioni, të shoqëruar nga drejtuesit e lartpërmendur të komunës, kanë bërë iftar në tendën e vendosur në oborrin e   Xhamisë së Zallit, në qendër të qytetit.

Kryetari Bahtiri dhe nënkryetari Zekeria, pasi e kanë falënderuar shtetin e Turqisë dhe popullin turk, e sidomos komunat e Stambollit dhe qytetarët e tyre për interesimin e vazhdueshëm për të ndihmuar komunën e Mitrovicës, në veçanti komunën e Beshikatshit për organizmin falas të iftarit për 850 qytetarë të Mitrovicës gjatë tërë muajit Ramazan,  e kanë njoftuar kryetarin e Beshiktashit, Hazinedar me gjendjen e përgjithshme politike, të sigurisë dhe ekonomiko-sociale në komunë.

Ata ju thanë mysafirëve nga Beshiktashi i Stambollit, se gjendja politike dhe e sigurisë në komunën e Mitrovicës, është gjithnjë e më e relaksuar, ani pse ende ka probleme që presin zgjidhje, siç janë rivitalizimi i urës kryesore mbi lumin Ibër, çështja e kufijve administrativ midis dy komunave etj.

Ndërsa, sa i përket gjendjes ekonomiko-sociale, Bahtiri dhe Zekeria i njoftuan anëtarët e delegacionit të Beshiktashit me problemet e shumta të qytetarëve në këtë fushë, si pasojë e rrënimit para dhe gjatë luftës të ekonomisë së komunës nga okupatorët serbë, si dhe për përpjekjet që po bëhen për të dalë nga kjo gjendje.

Ndërsa, kryetari i Beshiktashit, Murat Hazinedar, foli për zhvillimin ekonomik të komunës së Beshiktashit. Ai tha se kjo komunë ka rreth 200.000 banorë, por që numri i njerëzve, qofshin ata turistë, apo të tillë që punojnë në ekonominë e komunës e që gjatë ditës qëndrojnë në territorin e saj, arrin deri në dy milionë.

Drejtuesit e të dyja komunave u dakorduan se në të ardhmen duhet të intensifikohet akoma më shumë bashkëpunimi i ndërsjellë, me qëllim të këmbimit të përvojave të ndryshme dhe mbështetjes në forma të ndryshme.

Kryetari Bahtiri dhe ai Hazinedar, u pajtuan që të fillojnë procedurat përkatëse për binjakëzimin e komunës së Mitrovicës dhe asaj Beshiktash të Stambollit, sepse kjo do të ishte në të mirë të të dyja komunave dhe qytetarëve të saj.

Komuna e Beshiktashit, që nga nata e parë e Ramazanit, në tendën e improvizuar në oborrin e Xhamisë së Zallit, është duke përgatitur iftare për 850 qytetarë të komunës së Mitrovicës.

Pas iftarit kryetarët Bahtiri dhe Hazinedar, kanë shpërnda ëmbëlsira për të gjithë pjesëmarrësit në iftar dhe për qytetarët tjerë që kalonin andejpari.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e rregullt

Këtë të mërkurë Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjën …