Komuna e Skenderajt i bashkohet zërit të komunave të Kosovës për mbrojtjen e kompetencave dhe interesit të qytetarëve

Sot, perfaqësues të Komunës së Skenderajt, të prirë nga Kryetari i Komunës, z. Sami Lushtaku, së bashku me kryetarë të komunave të tjera të Republikës së Kosovës, nënkryetarë, kryesues të kuvendeve komunale, drejtorë të drejtorive, anëtarë të kuvendeve komunale dhe qytetarë nga komunat e Kosovës, morën pjesë në protestën institucionale të organizuar para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Protesta, e organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, kishte për qëllim ngritjen e zërit të pushtetit lokal ndaj çështjeve që po ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e tyre dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Në fokus të kërkesave të komunave janë mbrojtja e buxheteve komunale, pronës dhe kompetencave të pushtetit lokal, kompensimi i obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti i nivelit qendror, kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, financimi i drejtë dhe i qëndrueshëm i komunave, si dhe respektimi i autonomisë lokale dhe ndalimi i ndërhyrjeve në kompetencat komunale.

Komuna e Skenderajt e konsideron të domosdoshëm një raport të qartë, të drejtë dhe funksional ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal të qeverisjes. Çdo përgjegjësi e komunave duhet të shoqërohet me mbështetjen dhe financimin përkatës, në mënyrë që institucionet lokale të kenë mundësi të përmbushin detyrimet e tyre ndaj qytetarëve.

Pushteti lokal është niveli më i afërt me qytetarin. Çdo vështirësi financiare, kufizim i kompetencave apo pengesë institucionale në nivelin komunal reflektohet drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, në realizimin e projekteve, në ofrimin e shërbimeve publike dhe në zhvillimin e komunave.

Për Komunën e Skenderajt, kjo nuk është çështje politike partiake, por çështje e funksionimit të pushtetit lokal dhe mbrojtjes së interesit publik.

Në këtë frymë, Komuna e Skenderajt kërkon që shqetësimet dhe kërkesat e komunave të trajtohen me seriozitet institucional dhe përmes dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

Komunat nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë respektimin e ligjit, kompetencave dhe përgjegjësive që u takojnë, në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Komuna e Skenderajt do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe për një bashkëpunim institucional që garanton zhvillim, shërbime më të mira dhe funksionim të qëndrueshëm të pushtetit lokal.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Malishevës në mbështetje të aktiviteteve të platformës “Liria Ka Emër”, sonte në ora 19:30 vendoset “Ora e Pritjes”.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, …