Komuna e Skenderajt ndan 139 mijë euro për luftimin e korona virusit

Në mbledhjen urgjente të Kuvendit Komunal, të thirrur me kërkesë të Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, është miratuar propozim vendimi “Për bartjen e mjeteve financiare për menaxhimin e situatës së krijuar nga virusi COVID-19”. Më anë të këtij vendimi Komuna e Skenderajt vë në dispozicion 139 mijë euro të bartura nga Drejtoria e Urbanizmit, mjete këto që do të shfrytëzohen për mbulimin e kërkesave dhe nevojave të Shtabit Emergjent të Skenderajt me saktësisht për menaxhimin e situatës së krijuar nga ky virus, duke përfshirë këtu furnizimin me barna ose përkrahjen për rastet sociale. Për arsye të transparencës, i pari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, kërkoi nga anëtarët e Kuvendit Komunal, që të propozojnë tre anëtar për tu bërë pjesë e punës së Shtabit Emergjent dhe tre anëtar të tjerë për Komisionin për monitorim të mjeteve të ndara. Kryetari Jashari, informoi asamblistët e Kuvendit Komunal, për hapat që ka ndërmarrë komuna për parandalimin e infektimit me virusin COVID-19. Krahas anulimit të procesit mësimor, tubimeve, konferencave, dëgjimeve publike, ngjarjeve sportive etj, Komuna e Skenderajt në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës ka pezulluar edhe seancat e Kuvendit Komunal si dhe në koordinim me OVL-UÇK, ka anuluar të gjitha aktivitetet përkujtimore për dëshmorët dhe martirët e Skenderajt. Si masë tjetër parandaluese është bërë pastrimi e dezinfektimi i rrugëve, i të gjitha hyrjeve të banesave në Skenderaj, kurse tani është në procedurë edhe dezinfektimi i institucioneve shkollore, shëndetësore, atyre të sigurisë etj. Kreu i Komunës, Bekim Jashari, bëri të ditur se me qëllim të identifikimit paraprak të pacientëve të prekur me COVID-19 është vendosur tenda me ekip mjekësor në hyrje të QKMF-Skenderaj, si masë preventive. Gjithashtu për të regjistruar personat që kanë ardhur në Skenderaj, në dy javët e fundit, është lansuar edhe platformën online ku qytetarët po regjistrohen dhe QKMF- po i kontakton rregullisht për t’u siguruar që gjendje e tyre është stabile. Kryetari Jashari tutje tha se për të regjistruar personat që kanë ardhur në Skenderaj, në dy javët e fundit, kemi lansuar edhe platformën online ku qytetarët po regjistrohen dhe QKMF- po i kontakton rregullisht për t’u siguruar që gjendje e tyre është stabile. “Po ashtu Inspektorati Komunal po merret me shqetësimet e qytetarëve rreth rritjes artificiale të çmimeve të artikujve ushqimor, medikamenteve dhe preparateve dezinfektuese, me ç’rast ka paralajmëruar bizneset që nëse do të këtë rritje të çmimeve inspektorati komunal do të ndërmarrë veprime ligjore sipas legjislacionit në fuqi. Në lidhje më këtë Inspektorati në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka shqiptuar disa gjoba por edhe ka mbyllur disa lokale të cilat nuk e kanë respektuar vendimin e Qeverisë për mbyllje”, tha Kryetari Jashari. Për përkrahjen dhënë familjeve në nevojë Kryetari Jashari ka falënderuar shoqatat e bizneset e ndryshme. “Ditëve të fundit kemi pranuar pako ushqimore e miell nga shoqata bamirëse e biznese, të cilat janë shpërndarë nga Qendra për Punë Sociale. Andaj edhe sot dua t’i falënderoj për përkrahjen shoqatën “Jetimat e Ballkanit me hoxhën Halil Kastrati, “Duart e Bamirësisë, fondacionin “Firdeus” të hoxhës Elvis Naçi si dhe biznesin “Elkos Grup”, tha i pari i komunës së Skenderajt. Në fund të kësaj seance Kryetari i Komunës së Skenderajt apeloi qytetarët që të respektojnë masat dhe këshillat e vendosura nga Instituti i Shëndetësisë Publike dhe nga institucionet tjera.

Në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve!

Pa frikë e panik por me kujdes të shtuar jemi bashkë dhe do t’ia dalim!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …