Brickos

Eliza Hoxha: Amerika demantoi kryeministrin e shkarkuar që keqpërdori detyrën dhe foltoren e Kuvendit...

Eliza Hoxha: Amerika demantoi kryeministrin e shkarkuar që keqpërdori detyrën dhe foltoren e Kuvendit…

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë sot në konferencë për media se PDK përshëndet deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit e cila demantoi kryeministrin e shkarkuar Albin Kurti i cili në ditën e fundit si kryeministër keqpërdori foltoren e Kuvendit për të dezinformuar qytetarët se gjoja ekziston një marrëveshje e fshehtë për ndarjen e Kosovës.

“Njëherazi, na vjen keq që partnerët tanë janë detyruar të bëjnë këtë përgënjeshtrim si pasojë e mashtrimeve publike që kanë ardhur në vazhdimësi nga kryeministri i shkarkuar Kurti dhe veçanërisht në seancën e rrëzimit të Qeverisë. Ne shprehim shqetësimin për rrezikun e madh që sjell shtrembërimi i së vërtetës mbi qëndrimet e aleatëve tanë amerikanë. Këto manipulime, jo vetëm dëmtojnë partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe cenojnë rëndë dinjitetin dhe reputacionin e shtetit të Kosovës”, tha zyrtarja e lartë e PDK-së, Eliza Hoxha.

 Deklarata e plotë e deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha:

 Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja parti në vend që ka dhënë një vizion të qartë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke propozuar një platformë konkrete për këtë proces që në muajin prill të vitit 2018. Mes tjerash, platforma e PDK-së shpreh qartë qëndrimin për të mos negociuar karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Kjo platformë synon të orientojë dialogun drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme në rrafshin e të drejtës ndërkombëtare, që garanton njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Për Partinë Demokratike të Kosovës, dialogu është proces shumë i rëndësishëm, sepse me anë të tij mund të përmbyllet procesi i shtet-ndërtimit të Kosovës dhe të kurorëzohet plotësisht subjektiviteti ndërkombëtar i saj. Po ashtu, orientimi gjeopolitik drejt perëndimit dhe forcimi i aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër shtyllat kryesore të trashëgimisë politike të krijuar nga partia jonë. Prandaj, ne jemi të gëzuar e mirënjohës për fokusin e shtuar të partnerëve tanë amerikanë në ballafaqimin me sukses të sfidës së dialogut.

Ne e përshëndesim deklaratën e përbashkët të të dërguarit special të Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, z. Richard Grenell, përfaqësuesit special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, z. Matthew Palmer, si dhe  ambasadorit amerikan në Kosovë, z. Philip Kosnett. Këtë deklaratë, që vjen nga nivelet më të larta të aleatit tonë më të madh, e konsiderojmë jo vetëm manifestim të mbështetjes së madhe për shtetin tonë, por edhe dëshmi të qëndrimit të unifikuar që ka Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit përkundrejt Kosovës.

Kjo deklaratë, gjithashtu, përgënjeshtroi deklaratat mashtruese dhe zërat konspirativ që janë përhapur për qëllime të ulëta politike në Kosovë, duke rikonfirmuar qartë e pa ekuivok, se nuk ka një plan të fshehtë për shkëmbime territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Njëherazi, na vjen keq që partnerët tanë janë detyruar të bëjnë këtë përgënjeshtrim si pasojë e mashtrimeve publike që kanë ardhur në vazhdimësi nga kryeministri i shkarkuar Kurti dhe veçanërisht në seancën e rrëzimit të Qeverisë. Ne shprehim shqetësimin për rrezikun e madh që sjell shtrembërimi i së vërtetës mbi qëndrimet e aleatëve tanë amerikanë. Këto manipulime, jo vetëm dëmtojnë partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe cenojnë rëndë dinjitetin dhe reputacionin e shtetit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës gjen rastin që të deklarojë sërish, se i konsideron si prioritet kryesor lidhjet afërta dhe të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të vazhdojë që të punojë për t’i konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet bilaterale me këtë shtet mik të përhershëm.

Po ashtu, ftojmë qytetarët e vendit që të mos bien pre e mashtrimeve të aktorëve apo faktorëve politikë, të cilët instrumentalizojnë në mënyrë të papërgjegjshme me këto raporte apo që spekulojnë për përfitime meskine politike me to.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …