Komunat kërkojnë që pagesat për stafin mbështetës në shkolla gjatë procesit zgjedhor të kryhen nga KQZ-ja

Kryetarët e Komunave të Kosovës kërkojnë që stafi mbështetës i shkollave, i angazhuar në procesin zgjedhor dhe në qendrat e numërimit, të paguhet drejtpërdrejt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe jo nga komunat.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu i është drejtuar më një kërkesë Kreshnik Radoniqit, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ndër të tjera thuhet: “Siç jeni në dijeni, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), gjatë procesit zgjedhor, po obligon komunat e Republikës së Kosovës që të mbulojnë pagesat për mirëmbajtësit e shkollave nëpër komuna. Në anën tjetër, Departamenti i Thesarit në kuadër të Ministrisë së Financave ende nuk i ka ekzekutuar shtesat për këtë staf nga zgjedhjet e kaluara. Në këtë kontekst, në emër të komunave të Republikës së Kosovës, kërkojmë që stafi mbështetës i shkollave, i angazhuar në procesin zgjedhor dhe në qendrat e numërimit, të paguhet drejtpërdrejt nga KQZ dhe jo nga komunat. Gjithashtu, theksojmë se komunat tashmë përballen me vështirësi të theksuara buxhetore, veçanërisht në kategorinë e pagave dhe mëditjeve”, thuhet në letrën e kryetarit Agim Aliu.

 

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ekrem Kastrati bëri homazhe në 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit

Në shënim të 27-vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve të kombit, Ibrahim Mazrreku, Kujtim Krasniqi, …