Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se qeverisja duhet të mbetet përgjegjësi direkte ndaj qytetarëve, duke vendosur në qendër shërbimin publik, bashkëpunimin dhe respektin institucional.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, ai ka deklaruar se politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për realizimin e të mirës së përbashkët.
Një ditë pasi e zyrtarizoi koalicionin me PDK-në në Prishtinë, Rama e cilësoi këtë periudhë si një moment të rëndësishëm për kryeqytetin, duke përmendur projektet madhore zhvillimore dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, të cilat sipas tij do të ndikojnë në ndërtimin e një Prishtine moderne, funksionale dhe konkurruese në nivel evropian.
Postimi i tij i plotë
Qeverisja është, në thelb, përgjegjësi ndaj qytetarit.
Prandaj, obligimi ynë moral dhe politik është i qartë: të ofrojmë qeverisje që u shërben qytetarëve me përgjegjësi, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë.
Politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për të realizuar të mirën publike: për qytetarin.
Sot, Prishtina ndodhet para një momenti të rëndësishëm historik dhe zhvillimor. Me projektet madhore që na presin, përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, ne nuk po ndërtojmë vetëm infrastrukturë moderne, por po ndërtojmë identitetin dhe perspektivën e një Kryeqyteti europian, funksional dhe konkurrues.
Këto procese kërkojnë stabilitet institucional, bashkëpunim dhe vendimmarrje të përgjegjshme.
Në një rend demokratik, dallimet janë të natyrshme dhe legjitime. Por pjekuria politike matet me aftësinë për t’i tejkaluar ato në funksion të interesit të përbashkët.
Qytetarët nuk jetojnë në parti, jetojnë në komunitet të përbashkët, prandaj ata janë përgjegjësi e PËRBASHKËT. Nevojat e tyre nuk janë çështje interpretimi politik, por detyrim për zgjidhje konkrete të menjëhershme.
Jam kundër çdo retorike përçarëse. Ne jemi një POPULL. Një SHTET. Prandaj, duhet vizion i përbashkët, stabilitet dhe veprime të përgjegjshëm institucionale nga secili prej nesh.