KPF shqyrtoi kornizën afatmesme buxhetore 2017-2019 në Komunën e Malishevës

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), i drejtuar nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Aziz Thaçi, ka mbajtur sot mbledhjen e gjashtë me radhë për këtë vit, ndërsa pikë e rëndësishme e mbledhjes së sotme ishte korniza afatmesme buxhetore 2017-2019, me theks të veçantë buxheti për vitin 2017, pikë të cilën e rekomanduan për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Komunës.

Kornizën afatmesme buxhetore, para anëtarëve të KPF-së, e ka prezantuar drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi, i cili edhe ka shprehur pakënaqësinë e tij dhe të drejtorisë që drejton, lidhur me qarkoren e parë buxhetore, e cila sipas Krasniqit, është jo profesionale, është dërguar me vonesë, jashtë afateve ligjore dhe mbi të gjitha ka defekte të mëdha, të cilat do të ndikojnë direkt në buxhetin komunal për vitin 2017.

Drejtori Krasniqi, ka thënë para anëtarëve të KPF-së, se “qarkoren që do ta dërgojnë në ministrinë përkatëse, e kanë hartuar në bazë në mundësive dhe nevojave të komunës së Malishevës  dhe jo ashtu siç është hartuar nga ana e ministrisë, me shumë defekte”. Po ashtu Krasniqi, deklaroi se për të gjitha vërejtjet, me shkrim dhe në kohë e kanë informuar ministrinë.

Edhe anëtarët e KPF-së, pas shqyrtimit kanë vërejtur defekte të mëdha në qarkoren e parë buxhetore, të dërguara nga ana e ministrisë, pasi aty është rritur punëtorëve në arsim, pastaj shuma e të hyrave vetanake, është jashtë çdo mundësie të realizohet, sikur edhe defekte tjera, të cilat natyrshëm do të ndikojnë negativisht në qarkoren e dytë buxhetore.

Anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa, e kanë rekomanduar për shqyrtim në Kuvendin e Komunës së Malishevës,  kornizën afatmesme buxhetore dhe në të njëjtën kohë, e kanë përkrahur drejtorinë në hartimin e kornizës buxhetore, në bazë të nevojave dhe mundësive që ka Komuna e Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të sajë që ta shfrytëzojnë kohen e mbetur për regjistrim

Komuna e Deçanit ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të sajë që ta shfrytëzojnë kohen …