Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar ashpër ndaj tërheqjes së emrit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nga një artikull i diskutueshëm që kishte përmbajtje kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Limaj tha se veprimi i Bashës nuk e shlyen dëmin e shkaktuar dhe se një qasje e tillë përbën fyerje për opinionin publik. “Kjo është me fy inteligjencën e njerëzve në Kosovë. Nuk është shtëpi që ta prishësh e ta ndërtosh përsëri. Është si me vra një njeri, a mundesh me e ngjallë? Jo. Edhe ky dëm nuk shlyhet kështu,” tha Limaj, duke e cilësuar të papranueshme justifikimin e Bashës. Sipas tij, çdo individ që mban poste të larta publike duhet të përballet me të kaluarën e vet dhe të japë llogari para qytetarëve. “Në momentin kur konkurroni për poste publike, atëherë kthehet mbrapa: kush jeni ju, si ka qenë raporti juaj me shtetin dhe me UÇK-në. E kaluara nuk shlyhet,” theksoi Limaj. Ai shtoi se fakti që një person i akuzuar për qëndrime të tilla është kryetar i Kuvendit, ngre dilema serioze për përfaqësimin institucional. “Kjo çështje nuk është vetëm e një individi, por e kredibilitetit të Kuvendit të Kosovës si institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve,” u shpreh Limaj.
