Kryeministri Haradinaj në Natën e Zjarreve në Prekaz: “Liria jonë ishte e shtrenjtë”

Me “Natën e Zjarreve” në Prekaz, është përmbyllur manifestimi gjithë popullor për shënimin e 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, në kuadër të aktivitete që janë organizuar nën përkujdesjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Fillimisht në Kompleksin Memorial në Prekaz, janë ndezur flakadanët e lirisë, ndërsa në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, është mbajtur manifestimi përmbyllës i “Epopesë së UÇK-së”.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj, kujtoi Komandantin Legjendar Adem Jashari,  Familjen Jashari dhe gjithë të rënët për liri, duke thënë se Kosova është me fat që e ka Familjen Jashari, por edhe brezin e ri të kësaj familje të shtrenjtë.
“Baca Rifat më herët tha se nuk ka pasuri më të madhe sesa populli që di ta çmoj lirinë. Kjo u pa me prezencën tuaj të madhe në ndezjen e zjarreve dhe tani këtu në këtë manifestim. Është diçka e rrallë në krejt popujt e botës, e ne ndoshta pse e kemi në mesin tonë, ndoshta harrojmë t’i shohim krejt dimensionet  e asaj se çka kemi në mesin tonë. Edhe sot e kemi në mesin tonë Ademin, Hamzën, Shabanin e ri, e kemi Bekimin, Bashkimin, Lulin, Muratin, e kemi brezin e djemve tonë, por e kemi edhe bacën Rifat që na prinë. Zoti është i madh që na e fali këtë Familje dhe sot e kemi në mesin tonë. Është e drejtë e Zotit, sepse po këta tre breza u flijuan për liri, po këta tre breza sot janë dëshmitarë të asaj se liria jonë ishte e shtrenjtë, se liria jonë ishte plotë jetë të njerëzve tanë më të dashur, më të mirë. Sot bashkohemi kështu t’i kujtojmë ata që ranë për liri, Komandantin Legjendar Adem Jashari,  Familjen Jashari dhe gjithë të rënët për liri dhe njëkohësisht të dimë se jemi në tokën tonë, në atdheun tonë dhe duhet ta mbrojmë lirinë tonë”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj, falënderoi kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në këtë manifestim.

 

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …