Kryeministri Mustafa përuroi palestrën e re sportive në Dardanë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, dhe kryetari i Komunës së Dardanës, Begzad Sinani, në prani të shumë qytetarëve dhe sportistëve, përuroi palestrën e re të sportit në Kamenicë. Duke uruar për këtë objekt shumë të rëndësishëm për qytetin e Dardanës, kryeministri Mustafa tha se qytetarët e meritojnë një objekt të tillë i cili i plotëson nevojat e të rinjve, të sportistëve dhe të qytetarëve. Kryeministri Mustafa uroi që ky objekt të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë, duke shprehur dëshirën që të ketë më shumë sportistë, më shumë të rinj që do të merren me sport, me aktivitete kulturore dhe aktivitete tjera, për çfarë, siç theksoi kryeministri Mustafa, me këtë objekt u krijuan kushte shumë të volitshme. Nga ana e tij, ministri i Kulturës, Kujtim Shala tha se kjo palestër është një nga projektet e rëndësishme të Qeverisë, i përmbushur për Komunën e Dardanës. “Unë ju uroj për këtë sallë, për këtë palestër kaq të bukur dhe ju siguroj që investimet do të vazhdojnë. Qeveria do të përkrahë investimet dhe brenda këtij viti do të vazhdojmë investimet bashkë me komunën për ndërtimin e stadiumit të ri”, theksoi ministri Shala, duke shtuar se do të shihen projekte të reja sipas kërkesës dhe sipas nevojës së qytetarëve dhe sipas mundësive që ekzistojnë. Ndërkaq, kryetari i Dardanës, Begzad Sinani, tha se kjo palestër ka qenë projekt dhe premtim i përbashkët që punët të finalizohen në këtë mandat.

Kontrolloni gjithashtu

Në 25 vjetorin e rënies heroike, u përkujtuan Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorë të tjerë

Në nderim të rënies heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra dhe …