Brickos

Kryetari Bahtiri bisedoi me përfaqësues të fshatrave të rajonit të Shalës së Bajgores

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtorët e administratës komunale, Sami Zeka e Besnik Beka, si dhe nga kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNj në Mitrovicë, Halit Barani, ka qëndruar gjatë tërë ditës në rajonin e Shalës së Bajgores, ku ka  biseduar  me përfaqësues të fshatrave, përfaqësues të bizneseve familjare, kompanive të ndryshme etj.

Në fshatin Vllahi, kryetari Bahtiri ka biseduar me kryetarin e fshatit Shashivar Begu dhe përfaqësues të tjerë, me të cilat ka biseduar për problemet aktuale të banorëve dhe mundësitë e zgjidhjes së tyre.

Problemi kryesor për këtë fshat ka kohë që është uji për pije, problem të cilin komuna ka filluar ta zgjedh, duke ndërtuar basenin me kapacitet të mjaftueshëm për tërë fshatin dhe duke shtri rrjetin e gypave prej burimit deri në rezervuar, në gjatësi prej 2.000 metra.

Për të funksionalizuar ujësjellësin, nevojiten dy pompa, që kushtojnë rreth 15.000 euro dhe shtrirjen e rrjetit shpërndarës nëpër fshat.

Kryetari Bahtiri pasi inspektoi punët e kryera, ju premtoj përfaqësuesve të fshatit se do të gjej mjetet për blerjen e pompave dhe gypat për rrjetin shpërndarës, në mënyrë që banorët sa më shpejtë të kenë ujë për pije të mjaftueshëm të gjitha shtëpitë.

Sa u përket problemeve të tjera që u theksuan në bisedë, kryetari Bahtiri tha se do të bashkëbisedoj këto ditë me të gjithë banorët e Vllahisë edhe njëherë, për të caktuar prioritet në zgjidhjen e problemeve, në mënyrë që pastaj të fillojë realizimin e tyre.

Në Vllahi kryetari Bahtiri vizitoi edhe muzeun e Vllahisë, përkatësisht muzeun e pronarit Shashiavar Begu, në të cilën janë mbi 600 eksponate të ndryshme me vlera të rralla, duke filluar që nga koha e gurit dhe të kohërave të tjera.

Ndërkaq, në fshatin Bajgorë, kryetari Bahtiri bisedoi me përfaqësues të disa familjeve që zhvillojnë biznese të ndryshme familjare, me të cilat sigurojnë ekzistencën e tyre.

Ai më gjatë është ndalur në NTP “Albi”, e cila merret me grumbullimin e bimëve të ndryshme mjekuese dhe aromatike, kërpudhave etj. Pronari Adem Fejzullahu, e njoftoi kryetarin Bahtiri me punën që është duke e bërë, nga e cila tha se realizon të ardhura të mjaftueshme për mbajtjen e familjes së tij.

“I kam pesë punëtorë të rregullt, të cilët punojnë për të mbledhur dhe grumbulluar bimë të ndryshme mjekuese dhe aromatike. Në gjithë rajonin e Shalës së Bajgores i kam pikat grumbulluese ku qytetarët i dorëzojnë bimët e mbledhura. Këto më pastaj i përpunoi këtu në pajisjet që i kam dhe i dërgoj në “Agroprodukt” të Istogut. Qytetarët janë të kënaqur me çmimin që ua paguajmë për bimët e mbledhura. Sivjet do të shtoj kapacitet dhe pritet të shtoj edhe numrin e punëtorëve”, tha Fejzullahu.

Kryetari Bahtiri i tha Fejzullahut se i vjen shumë mirë që po i dëgjon këto fjalë dhe që është kaq i përkushtuar për të punuar me mund e djersë me tërë familjen e tij për të siguruar ekzistencën.

“Unë ju inkurajoj juve dhe të gjithë shaljanët që të angazhohen në punë të këtilla dhe të ngjashme, sepse rajoni i bukur i Shalës së Bajgores ofron mundësi të mëdha për zhvillimin e ekonomive familjare dhe bizneseve të ndryshme. Unë dhe komuna do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të krijuar kushte për punën tuaj dhe për të ju krijuar lehtësira të ndryshme, në mënyrë që të keni suksese në ushtrimin e veprimtarive tuaja”, tha ndër të tjera ai.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …