Kryetari Haliti në terren pas stuhisë: Kërkon mbështetje nga Qeveria për familjet e prekura

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka vizituar sot zonat e prekura nga stuhia e fuqishme që shkaktoi dëme në disa vendbanime të komunës, veçanërisht në Pozherqn, Skifteraj dhe Sllatinë, ku janë dëmtuar kulmet e shtëpive, objekte shkollore dhe prona të qytetarëve. Si pasojë e motit të ligë janë raportuar edhe raste të lëndimeve fizike.

I shoqëruar nga drejtoritë komunale, Shërbimet Publike, Njësia e Emergjencave, zjarrfikësit dhe institucionet tjera përgjegjëse, Haliti u njoh nga afër me gjendjen dhe koordinoi veprimet për tejkalimin e situatës.

Ai bëri të ditur se, pas përfundimit të vlerësimit të dëmeve, Komuna e Vitisë do t’i drejtohet Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë për mbështetje financiare për familjet e prekura.

Kryetari Haliti theksoi se fatkeqësitë natyrore kërkojnë mbështetje nga të gjitha nivelet institucionale dhe kërkoi që ministritë përkatëse të vizitojnë komunat e prekura për të parë nga afër gjendjen reale dhe nevojat e qytetarëve.

Komuna e Vitisë njofton se ekipet profesionale po vazhdojnë evidentimin e dëmeve, ndërsa qytetarët ftohen të raportojnë çdo rast në mënyrë që procesi i vlerësimit dhe mbështetjes të realizohet sa më shpejt.

Pas stuhisë, Komuna e Vitisë u bën thirrje qytetarëve të raportojnë dëmet

Komuna e Vitisë njofton të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme si pasojë e stuhisë së fundit se, me vendim të Kryetarit të Komunës, është funksionalizuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore, i cili do të bëjë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve në terren.

Ftohen të gjithë qytetarët, ekonomitë familjare, bizneset dhe subjektet e tjera që kanë pësuar dëme në shtëpi, objekte përcjellëse, prodhime bujqësore apo prona të tjera, që sa më parë të paraqesin rastet e tyre, në mënyrë që komisioni të dalë në terren dhe të kryejë vlerësimin sipas procedurave ligjore.

Për paraqitjen e dëmeve dhe informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë anëtarët e komisionit në këta numra të telefonit:

* Mustafë Islami – 044 616 098

* Xhelal Musa – 045 805 511

* Avni Misini – 044 249 910

Komuna e Vitisë mbetet e përkushtuar që procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve të zhvillohet në mënyrë profesionale, transparente dhe sa më efikase, me qëllim që të krijohen kushtet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë institucionalë.

Komuna e Vitisë

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt Dëgjimi Publik Buxhetor me banorët e Fortesës, Sapniqit dhe Pataqanit të Poshtëm

Komuna e Rahovecit, përkatësisht Drejtoria për Buxhet dhe Financa, në bashkëpunim me Grupin Punues për …